Fati i njëjtë i mendimit ndryshe
Në historinë e re të së majtës shqiptare, mendimi ndryshe ka okupuar vazhdimisht Partinë Socialiste, duke e kthyer atë në një model të qarkullimit të mendimit dhe debatit, por po aq ajo është një parti ku mendimi ndryshe nuk është kthyer asnjëherë në vijë zyrtare brenda saj. Si rrallë mund të ndodhë në një parti ku ka debate, mendimi ndryshe ka mbetur një hap larg zyrtarizimit edhe në ato raste kur ka prodhuar lidershipin e kësaj partie.
Idetë kanë qarkulluar vetëm në një orbitë, pa pasur fuqinë të kalojnë në orbitën tjetër që ka qenë ajo e mendimit zyrtar, i cili është i ngrirë njësoj siç ka qenë njëzet vjet përpara. Ky absurd në trajektoren e debatit politik në një parti të madhe pjell në vazhdimësi kriza dhe përleshje mes aktorëve politikë, duke e bërë në finale të padobishëm atë debat.
Përpara se Edi Rama të bëhej kryetar i Partisë Socialiste, ai konkurroi me një projekt që zyrtarizonte fraksionin dhe krijonte hapësira edhe në qeverisje, edhe në parti, për të gjithë përbërësit e mendimit politik të një partie. Vetë Edi Rama është kryetar i PS-së pikërisht për shkak se kishte diversitete publike me lidershipin e vjetër të PS-së, për shkak se premtonte energji dhe ide, të cilat mund të krijonin në Partinë Socialiste që kishte humbur pushtetin, një rrugë të re për rimarrjen e tij.
Si me magji brenda 24 orëve në kongresin e kësaj partie u pranua si kryetar udhëheqësi i mendimit ndryshe, që ishte Edi Rama dhe platforma zyrtare e vjetër e PS-së që përfaqësohej prej rivalit të tij në këtë garë, ish-Presidentit të vendit, Rexhep Meidani. Pra u pranua kopertura, por nuk u ndryshua thelbi, organizimi diktoi vijën politike të partisë, struktura ruajti përparësinë dhe jo ideja për demokratizimin e aksioneve të strukturës.
Edi Rama e pranoi kushtin bashkë me emblemën e këtij kushti, që është sekretari i Përgjithshëm, Gramoz Ruçi, i cili ruan këtë post që nga viti 1991.
Të gjithë e kemi parë që kryetari më i fundit i PS-së nuk ka dhënë asnjë element të ri në shfaqjet e tij politike, përveçse përngjasime më të vjetra në përvojën e kësaj partie krahasuar edhe me ato që ka përdorur Fatos Nano.
Populizmi rural tipik për të majtët konservatorë, rikthimi i të vjetërve nëpërmjet bijve, tipike për autokracinë e reja në vendet ish-sovjetike, konsumizmi ideologjik në vend të programeve konkrete për një qeverisje të dobishme, këto kanë qenë pak a shumë linjat nëpër të cilat Partia Socialiste ka artikuluar këto katër vite nëpërmjet kryetarit të saj, Edi Rama.
Nuk ka fat më të keq se ai i mendimit ndryshe brenda kësaj partie. Dhe ky fat i keq për herë të parë mund të përndjekë edhe bartësit e tij. Edi Rama paralajmëroi këto ditë përjashtimin e pesë deputetëve rebelë nga partia, gjë që nuk u ka ndodhur as vetë Edi Ramës, as Fatos Nanos, as Ilir Metës, as Pandeli Majkos. Ata janë relativizuar në kohë të ndryshme, por nuk janë përjashtuar. Kanë ikur vetë, por nuk i ka larguar kush me një urdhër verbal të dalë prej kryetarit, e aq më pak për shkak të mendimit ndryshe.
Por edhe nëse ata do të mbeten në parti, edhe nëse do të mbështeten fort te mendimi ndryshe, për t’u bërë ndonjëri edhe kryetar pas dy apo katër vitesh, askush nuk jep dot siguri se ky mendim ndryshe do të ngjizet në praktikat e PS-së, duke e çliruar atë njëherë e mirë nga kryetarët që partia i merr nga aktualiteti dhe ia kthen në ditën e parë të punës strukturave parademokratike të kësaj partie.