Urdhri; Zgjidhet problemi i Juridikut, studentët do të marrin DIND
Ministri i ri i Arsimit vendos që studentët e sistemit katërvjeçar në Ekonomik dhe Juridik të pajisen me Diplomë të Integruar të Nivelit të Dytë, duke pezulluar një shkresë të mëparshme të ministrisë drejt universiteteve, ku përcaktohej se këta të diplomuar duhet të kryenin edhe një vit akademik
Duket se nuk ekziston më problemi i studentëve të diplomuar në sistemin katërvjeçar gjatë vitit 2009, të cilët do të marrin në duart e tyre Diploma të Integruara të Nivelit të Dytë. Burime nga Universiteti i Tiranës bëjnë të ditur se tashmë është zgjidhur ngërçi i krijuar me Ministrinë e Arsimit, pasi ministri i ri i Arsimit, z. Myqerem Tafaj, ka vendosur që të urdhërojë regjistrimin e këtyre diplomave si Diploma të Integruara të Nivelit të Dytë, duke pezulluar një vendim të mëparshëm të ministrisë. Vendimi i mëparshëm përcaktonte se të gjithë studentët që kanë përfunduar sivjet studime 4-vjeçare, do të merrnin një diplomë “hibride”, sipas Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës. Juristët, ekonomistët e të diplomuarit në profile të tjera 4-vjeçare gjatë vitit të kaluar akademik, do të merrnin, sipas vendimit të kaluar, në përfundim të studimeve “diplomë universitare, 4 vite akademike me 240 kredite”, në ndryshim nga pritshmëria e tyre për Diplomë të Integruar të Nivelit të Dytë.
Por, vendimi i ri i ministrit Tafaj, e ka zgjidhur këtë ngërç, duke u dhënë të gjithë të diplomuarve të katërvjeçarit Diplomë të Integruar të Nivelit të Dytë. Ndërkohë, një shkresë është dërguar në Shkollën e Magjistraturës, ku u është kërkuar drejtuesve të këtij institucioni të pranojnë aplikimet e studentëve të diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë.
Vendimi i mëparshëm i ministrisë thoshte se “nëse këta studentë dëshirojnë të fitojnë Diplomë të Integruar të Nivelit të Dytë me 300 kredite, në përputhje me nenin 26, pika 1.2.2 e ligjit nr. 9741, datë 21.05.2007, “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, të marrin masat që në vitin akademik 2009-2010 t’u japin mundësinë të diplomuarve të plotësojnë studimet edhe me një vit akademik, 60 kredite”.
Porse të bazuar në të njëjtin ligj, kjo vlen vetëm për ata që kanë nisur shkollën pasi ka nisur zbatimin Karta e Bolonjës, çka nuk ka ndodhur me këta studentë. Këto argumente nuk bindën universitetet, të cilat vijuan të cilësojnë diplomat katërvjeçare si DIND; ashtu sikurse parashikonte ligji për konvertimin e të gjitha diplomave të dhëna përpara vitit 2008, kur nisi zbatimi i plotë i Kartës së Bolonjës, deri dje, kur ky qëndrim u mor edhe nga ministri Tafaj.
Ligji i arsimit të lartë parashikon vetëm diploma 3-vjeçare dhe 5-vjeçare, DNP dhe DND, ndërkohë një diplomë 4-vjeçare me 240 kredite nuk është parashikuar në këtë ligj, duke i konvertuar ato me DIND.
Tafaj premton ndërtimin e korpusit të ri të Universitetit të Tiranës
Korpusi i ri i propozuar në Qytetin Studenti ka marrë mbështetjen e ministrit të Arsimit, z. Myqerem Tafaj, sipas burimeve nga Universiteti i Tiranës, i cili ka deklaruar se qeveria do të mbështesë këtë projekt ambicioz për universitetin më të madh publik në vend. Projekti në fjalë parashikon ndërtimin e katër godinave të reja. Dy ndërtesa do të kthehen në godinat e reja ku do të strehohen dy fakultete, ndërkohë që dy ndërtesat e tjera do të shërbejnë si qendër sportive dhe mjedis pune për administratën.
Sipas universitetit, mendohet që këto ndërtesa të jenë jo më shumë se pesë kate secila, në rast se projekti miratohet. Ndërkohë, mësohet se me anë të këtij investimi, që pritet të mbulohet nga Këshilli i Ministrave, t`i jepet zgjidhje problemit të mjediseve në Universitetin e Tiranës.
Në këtë mënyrë, mendohet se Fakulteti i Drejtësisë dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja do të zhvendosen në ndërtesat e reja, kur ato të përfundojnë, dhe do të lëshojnë mjediset e tyre për Fakultetin e Shkencave Sociale dhe Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë përkatësisht. Deri tani, këto katër fakultete strehoheshin në vetëm dy ndërtesa. Por, arritja më e madhe e këtij projekti, sipas specialistëve, është rritja e gjelbërimit dhe e mjediseve argëtuese dhe sportive në një zonë që tani nuk përdoret për asgjë.
Miratimi i një projekti të tillë është një rritje e cilësisë akademike në vend, sipas drejtorit të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ky korpus do të mund ta bëjë UT-në të krahasueshme me universitete të tjera evropiane dhe e vetmja pengesë që mbetet, është kostoja. Paraprakisht është hamendësuar një shumë prej 20-25 milionë eurosh, për një fazë trevjeçare, por ende nuk është llogaritur kostoja përfundimtare.
Ideja e një korpusi për Universitetin e Tiranës nuk ka qenë kurrë kaq afër realizimit. Përpara tri vitesh u paraqit një projekt për ndërtimin e një korpusi në mjediset e Parkut të Liqenit Artificial, por ai nuk u miratua, për shkak të dëmtimit që do të sillte në hapësirën e vetme të gjelbër të kryeqytetit.
Ndërkohë, projekti i ri parashikon zhvillimin e korpusit në një mjedis që i ka kaluar tashmë nën administrim Universitetit të Tiranës dhe kur udhëheqja politike e arsimit të lartë në vend e ka kristalizuar idenë e zgjerimit të hapësirave mësimdhënëse dhe argëtuese për institucionet e arsimit të lartë.
Hapësira ku mendohet të ndërtohet ky kampus është fusha e vjetër e Qytetit Studenti, i cili aktualisht është jashtë funksionimit për shkak të kushteve të këqija dhe kinoklubi i QS-së, që gjithashtu ka ndryshuar destinacionin e vet. Nëse ky plan miratohet, atëherë Universiteti i Tiranës do të ketë mjedise konkurruese me universitetet evropiane, sipas specialistëve, dhe do të mund të grumbullojë në një hapësirë të vogël, siç është Qyteti Studenti dhe Rruga e Elbasanit, të paktën 4 fakultete, nga 8 që e përbëjnë.
Vijojnë problemet në Vlorë, universiteti nuk regjistron fituesit
Drejtuesit e Universitetit të Vlorës vazhdojnë të tregojnë muskujt e tyre ndaj maturantëve fitues që dëshirojnë të regjistrohen në këtë universitet. Edhe dje drejtuesit e këtij institucioni nuk kanë pranuar të regjistrojnë fituesit me notë mesatare nën gjashtë, duke shkaktuar tension me ta. Kjo, edhe pas udhëzimit të ri të Ministrisë së Arsimit që i urdhëron drejtuesit e universitetit të regjistrojnë të gjithë fituesit, pa vendime arbitrare.
Me anë të një deklarate për shtyp, ministria ka theksuar para dy ditësh qartazi se vendimi i Universitetit të Vlorës për të mos pranuar studentë që kanë përfunduar arsimin e mesëm me mesatare nën 6, është i jashtëligjshëm dhe i papranueshëm. Duke e nënvizuar këtë pjesë, njoftimi thekson se “regjistrimi i studentëve nëpër të gjitha universitetet do të kryhet vetëm sipas listës zyrtare të fituesve të nxjerrë nga Agjencia e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë, APRIAL”.
Ndërkohë që asnjë universitet nuk ka të drejtë të veprojë sipas rregullave të veta, të vendosura në çastin e fundit dhe pa marrë mendimin e ministrisë. “Asnjë IAL nuk ka të drejtë të ndërhyjë në këto lista. Kjo listë është e detyrueshme për t’u zbatuar prej tyre. IAL-të të mos nxjerrin pengesa në regjistrimin e të gjithë kandidatëve fitues brenda afateve të caktuara”, - thekson ministria.