E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për projektin e Shqipërisë Evropiane*



Por, unë gjithashtu, dua nga ky tempull të përulem me nderim të madh, para të gjithë qytetarëve shqiptarë që me 28 qershor, u ftuan nga pozita dhe opozita të votojnë ndryshimin dhe ata, midis ndryshimit të pushtetit dhe ndryshimit të Shqipërisë, votuan për mazhorancën dhe vazhdimin e ndryshimit të Shqipërisë, vendosën besimin e tyre mbi projektin e Shqipërisë që po ndryshon, projektin e Shqipërisë Evropiane, si projektin më të mirë për realizimin e ëndrrës së tyre të bukur – Shqipëria si Evropa, ëndrrës së integrimit në Bashkimin Evropian.

Unë dua të garantoj ata se kryefjala e kësaj qeverie dhe këtij programi, do të jetë ndryshimi që ata mirëpresin dhe për të cilin ata votuan.

Shqipëria erdhi në zgjedhjet e 28 qershorit si vendi problematik me zgjedhjet e lira. Kështu që, më 28 qershor, në Shqipëri nuk ishim në provë vetëm ne, partitë, liderët, programet e tyre. Jo. Para së gjithash, në provë ishte liria e shqiptarëve, demokracia e tyre, ishte qëndrimi ynë ndaj lirisë, ishte dinjiteti ynë qytetar dhe dinjiteti kombëtar.

Katër vjet më parë, jam betuar në këtë sallë se qeveria ime do të bëjë çdo gjë që qytetarët shqiptarë të shprehin lirshëm vullnetin e tyre.

Sot, pas katër vjetësh, shpreh kënaqësinë se më 28 qershor, në Shqipëri, vendin anëtar të NATO-s, fitoi liria, demokracia, mbi trysninë, mashtrimin, falsifikimin, manipulimin, dhe ashtu siç do të deklaronte miku i madh i kombit shqiptar, Presidenti Sarkozy, se këto zgjedhje ishin fitore e demokracisë.

“Zgjedhjet në Shqipëri, - do të deklaronte zëdhënësi i OSBE/ODIHR-it, - plotësuan angazhimet kryesore të OSBE-së” dhe se “vlerësimi i përgjithshëm për këto zgjedhje është pozitiv”.

Zgjedhjet e 28 qershorit nuk ishin të përsosura, por ato hynë në historinë e lirisë dhe të demokracisë së këtij vendi, si zgjedhjet e para në të cilat opozita zgjodhi sistemin zgjedhor, si zgjedhjet që u realizuan me teknologjinë dixhitale më të lartë dhe në të cilat vota e çdo shqiptari u numërua, fotografua dhe filmua dhe çdo mandat i deputetëve të këtij Kuvendi u votua me unanimitet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Këto ishin zgjedhjet, për të cilat arbitri ndërkombëtar u shpreh gjithashtu se “nuk pati prova për parregullsi në numërimin e votave, as dhe manipulim të rezultateve”.

Një mirënjohje të thellë dua t’u shpreh vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe NATO-s, vendeve mike që i dërguan ato në Shqipëri dhe t’i siguroj se vërejtjet, sugjerimet dhe rekomandimet e tyre dhe reforma zgjedhore, do të jenë përparësi e programit të qeverisë sonë dhe se, në projektin e Shqipërisë Evropiane ato përbëjnë një përparësi madhore.

Ftoj opozitën shqiptare të zërë vendet në Parlament dhe e garantoj atë se do të ketë rol të rëndësishëm në reformat për integrimin e vendit, se do të ketë zë kryesor në reformën zgjedhore. Le të trajtojmë së bashku të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, për të përsosur më tej procesin zgjedhor.

Por, zgjedhjet e 28 qershorit janë historike, sepse në këto zgjedhje sovrani, me votën e tij të lirë, përcaktoi zgjerimin e spektrit qeverisës të vendit, aleancën integruese të Shqipërisë në BE, Parti Demokratike – Lëvizja Socialiste për Integrim, aleancë kjo që do të shndërrojë në realitet ëndrrën evropiane të shqiptarëve. Duke përshëndetur përzemërsisht, me këtë rast, votuesit e LSI-së, dua t’i siguroj se në programin e kësaj qeverie do të kenë të mishëruar tërësisht programin për të cilin ata votuan

Ky mandat nis, pasi ne, me reforma të thella dhe të gjithanshme, ia dolëm të shndërrojmë në realitet ëndrrën e madhe euroatlantiste të kombit tonë, të anëtarësojmë Shqipërinë në NATO; firmosim dhe ratifikojmë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe të paraqesim kërkesën për vend anëtar të BE dhe heqjen e vizave me BE-në.

Ne nisim këtë mandat, pas një lufte të suksesshme të krimit dhe korrupsionit, reformave të thella ekonomike, privatizimeve të mëdha, rritjes së shpejtë ekonomike, revolucionit të thellë fiskal dhe pothuaj dyfishimit të të ardhurave, rritjes me 68% të rrogës mesatare, dyfishimit të rrogave dhe pensioneve të ulëta, dhe pasi Shqipëria është shndërruar në një ndër vendet më tërheqëse në rajon për investimet e huaja.

Nisim mandatin e dytë, ndërkohë që ekonomia shqiptare i rezistoi më mirë se të gjitha ekonomitë e tjera, krizës së rëndë ekonomike dhe financiare botërore.

Nisim mandatin e ri në një kohë kur, vendi është bërë një nga drejtimet turistike më të kërkuara në rajon.

Pra, rrethanat në të cilin nisim qeverisjen e re, janë jo katër, por tetë herë më të favorshme se katër vite më parë, por projekti që duhet të zbatohet në katër vitet që vijnë është shumë më kompleks, më i vështirë se sa ato që kemi realizuar gjer sot.

Shqipëria Evropiane nuk është një bulevard i shtruar për ne, por projekti më madhor, më ambicioz, më kompleks dhe më i vështirë që Shqipëria ka ndërmarrë në tërë historinë e saj dhe që duhet të bazohet kryekëput në performancën tonë, si interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë. Shqipëria Europiane është një ëndërr e bukur kombëtare e shqiptarëve që në rilindjen e tyre, por shndërrimi i saj në realitet është një univers i tërë reformash, ligjesh, vendimesh, veprash dhe ndryshimesh me të cilat ne duhet t’ju garantojmë qytetarëve shqiptarë të drejtat, standardet, normat, praktikën e qytetarëve të vendeve të zhvilluara evropiane.

Liria është dhe mbetet pasioni ynë. Liria dhe vlerat e saj janë themelet e Shqipërisë Evropiane.

Shqipëria Evropiane është para së gjithash, vendi i lirive dhe të drejtave të garantuara, i shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike dhe të pavarura, pra vendi i demokracisë funksionale.

Liritë dhe të drejtat e individit dhe minoriteteve do të njohin, gjatë këtij mandati, respektim dhe zgjerim më të madh.

Minoritete, që sot janë të përfaqësuara më mirë se më parë në këtë Parlament, do të gëzojnë të gjitha liritë dhe të drejtat e garantuara nga dokumente ndërkombëtare që ka firmosur Shqipëria.

Një vëmendje të përqendruar qeveria do të dëshmojë për komunitetin rom – egjiptian.

Anëtarësimi i Shqipërisë në Dekadën e Romëve dhe Egjiptianëve, dëshmon angazhimin tonë për fokusimin më të madh në strehimin, punësimin, shkollimin e tyre.

Respektimi i plotë i lirisë së mendimit, mediave është qëndrimi ynë. Shqipëria Evropiane do të jetë vendi i standardeve unike në Evropë, ku nuk ekzistojnë dhe nuk do të ekzistojnë padi penale apo civile ndaj gazetarëve, çfarëdo që ata të shkruajnë për punonjësit dhe zyrtarët e administratës.

Shqipëria Evropiane është vendi i tolerancës së shkëlqyer fetare. Ky Parlament, së shpejti, do të ratifikojë marrëveshjen e qeverisë me komunitetet e mëdha fetare. Ligji për financimin e tyre do të zbatohet. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet në kuadrin e Aleancës së Qytetërimeve dhe nismave të tjera që të përhapim gjithnjë e më shumë në Evropë dhe më gjerë mesazhin e tolerancës fetare, shpirtit tonë të madh kombëtar.

Reforma institucionale është një objektiv tjetër madhor i programit të Qeverisë së Integrimit Evropian.

Respektimi dhe konsolidimi i ndarjes dhe kontrollit të pushteteve, pavarësisë së sistemit gjyqësor në të gjitha nivelet, përmirësimi rrënjësor i kushteve të veprimtarisë së këtij sistemi, transparenca e vendimeve gjyqësore, ekzekutimi me vendosmëri i vendimeve të gjykatave, përcaktimi më i qartë i kompetencave midis Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, transparenca e sistemit të emërimeve dhe kontrollit të gjykatësve, do të jenë objektivat kryesore të punës sonë.

Riorganizimi i sistemit të akuzës, përgjegjshmëria para ligjit dhe lufta kundër korrupsionit do të jenë përparësitë tona.

Ne angazhohemi për një rishqyrtim tërësor të legjislacionit të vendit, kodeve, ligjeve dhe procedurave ligjore, për t’i përshtatur ato me standardet evropiane.

Reforma do të vazhdojë me vendosmëri në sistemin e vuajtjes së dënimit, për arritjen e standardeve evropiane.

Po kështu, do të konsolidohet sistemi i përmbarimit shtetëror dhe privat, me qëllim zbatimin e vendimeve të gjykatave, të arrijë në mesataren e vendeve anëtare të BE-së.

Reforma institucionale do të vazhdojë në të gjitha institucionet e vendit, me qëllim përmirësimin e funksionit të tyre. Reformës do t’i nënshtrohet Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ Kombëtar, Entet Rregullatore, agjencitë që merren me reformën e pronësisë, në mënyrë që ato të përmbushin misionin e tyre të ardhshëm për Shqipërinë Evropiane.

Reformave të thella do t’u nënshtrohen arsimi, shëndetësia, diplomacia shqiptare.

Qeveri e vogël, eficiente dhe në dietë – do të jetë zotimi ynë solemn para qytetarëve shqiptarë. Në këtë kontekst, ne zotohemi të zvogëlojmë më tej, edhe me 10%, administratën publike të Shqipërisë, të instalojmë brenda vitit 2010 e-government, çka do të rrisë transparencën e qeverisjes dhe përmirësojë të gjitha shërbimet ndaj qytetarëve.

Statusi i nëpunësit civil do të konsolidohet dhe zgjerohet. Për trajnimin dhe kualifikimin e administratës publike, qeveria do të konsiderojë ngritjen e Universitetit të Administrimit Publik.

Shqipëria Evropiane, ndërtimi i saj, ka si kusht të të gjitha kushteve, luftën me zero tolerancë kundër korrupsionit, këtij kanceri që përbën mater matriks të të gjitha të këqijave, në një vend të lirë.

Në katër vite, qeveria e duarve të pastra shembi sistemin e kleptokracisë, me reforma të thella dhe të gjithanshme. Shqipëria u shkëput nga 24 vendet më të korruptuara të planetit dhe la mbrapa 95 vende, zuri vendin e parë në rajon dhe u rendit ndër 10 vendet më të mira në botë për suksesin e luftës kundër korrupsionit, ne ia dolëm të dyfishojmë buxhetin.

Por, stadi në të cilën ndodhemi, kërkon nga ne që fituam një betejë kundër tij, të vazhdojmë çdo orë, çdo ditë, luftën me zero tolerancë ndaj tij.

Në këtë kontekst, Qeveria e Integrimit Evropian, sërish luftën kundër korrupsionit do ta bazojë në reformat e gjithanshme dhe penalizime të vendosura të zyrtarëve të korruptuar. Objektivi ynë do të jetë rendja drejt grupit të 20 vendeve të para me korrupsion më të ulët, objektiv që sigurisht, nuk mund të përmbushet me një mandat, por do të jetë frymëzues dhe jetik për vendin tonë.

Për suksesin e luftës kundër korrupsionit ne zotohemi për qeveri të vogël, eficiente dhe në dietë.

Shkurtimi me 25% të shpenzimeve operative.

Prandaj dhe në kuadrin e zvogëlimit të shpenzimeve, abuzimeve, muajin e parë të këtij Parlamenti ne do të sjellim për miratim ligjin për heqjen e disa privilegjeve të pamerituara të administratës dhe institucioneve shtetërore.

Vetëm me këtë ligj kursehen mbi 35 milionë dollarë në vit në rrafshin financiar, por dhjetëra herë më shumë fitohet në rrafshin etiko-moral të qeverisjes, duke shkëputur administratën e sistemit demokratik nga trashëgimia e nomenklaturës së vjetër komuniste.

Shërbimet online, regjistrim biznesi online, taksa dhe bilance online, si dhe dixhitalizimi i të gjitha shërbimeve shtetërore janë rrugët efikase për luftën kundër korrupsionit.

Shqipëria sot, është vendi i vetëm në botë me prokurime elektronike 100%, por përsosja e këtij sistemi, si dhe shtrirja e tij edhe për blerjet e vogla dhe ankandet, mbeten objektiva madhore të këtij mandati.

Konsolidimi i heqjes së 2/3 të lejeve dhe licencave, krijimi i One Stop Shop për lejet dhe licencat e mbetura dhe One Stop Shop për energjinë, si dhe ngritja e tij për minierat, janë reforma efikase kundër korrupsionit.

Vendosja e parimit heshtja është pranim në lejet e ndërtimit, por edhe në lejet dhe licencat e tjera, përbën kushte sine qua none për të prerë me gërshërët e ligjit dorën e zezë të ryshfetit.

Privatizimi i të gjitha sipërmarrjeve publike dhe shitja e aksioneve të shtetit, si dhe dhënia me koncesion i shërbimeve publike, përfshirë këtu ato të pronave dhe regjistrimit të pasurive.

Antifragmentarizimi i buxhetit, kontrolli rigoroz i shpenzimeve do të jenë objektiva të tjera madhore në luftën kundër korrupsionit.

Ligji për transparencën e plotë të financimeve të partive politike.

Heqja e imunitetit për ministrat dhe deputetët e kësaj mazhorance, në çdo rast që do të kërkojnë organi i akuzës apo gjykatat.

Amendimi i ligjit të ILIP dhe krijimi i të gjitha mundësive për hetim të plotë nga ky institucion.

Konsolidimi i zbatimit të ligjit të denoncuesve të korrupsionit, si dhe

Reformimi dhe konsolidimi i të gjitha institucioneve të kontrollit, si dhe task-forcës së luftës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit në gjashtë qarqet kryesore të vendit.

Ndëshkim ligjor për të gjithë zyrtarët e korruptuar. Kjo është platforma jonë, ne do të fitojmë luftën kundër tij.

Qeveria e Integrimit Evropian, si një ndër përparësitë më madhore të saj, do të ketë sigurinë më të lartë të jetës, pronës dhe veprimtarisë së qytetarëve shqiptarë, luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, bashkëpunimin dhe partneritetin luajal në këtë fushë, në rajon dhe më gjerë.

Lufta me zero tolerancë kundër krimit të organizuar solli si rezultat çmontimin e mbi 206 grupeve dhe organizatave kriminale, rënien e treguesve të kriminalitetit nën mesataren e vendeve anëtare të BE-së, rënien e ndjeshme të trafiqeve kriminale, trafikut të njerëzve, drogës etj.

Në katër vitet që vijnë, kjo luftë do të vazhdojë me vendosmërinë më të madhe. Shqipëria do të ecë drejt niveleve të ulëta të kriminalitetit në rajon dhe Evropë. Kontrolli i integruar i kufijve, sistemi i ri i identifikimit të qytetarëve janë një mbështetje e fuqishme për këtë objektiv. Shqipëria do të mbajë në fuqi moratoriumin për skafet. Lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore do të përbëjë një ndër përparësitë më madhore në kuadrin e tolerancës zero ndaj krimit të organizuar.

Policia shqiptare do të pajiset me mjetet më moderne për luftën kundër të gjitha formave të krimit të organizuar.

Legjislacioni ynë do të përshtatet për një luftë më efikase kundër krimit ekonomik dhe pasurive të tij, larjes së parave, hetimit të pasurive të fshehura.

Reformës së thellë në funksion të kësaj lufte dhe parandalimit të krimit, do t’i nënshtrohen të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit: Policia, sistemi i mbrojtjes së dëshmitarëve, bashkëpunimi i saj me komunitetin, Prokuroria, Shërbimi Informativ Kombëtar, si dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit.

Shqipëria Evropiane ka si kusht themelor ekonominë funksionale të tregut të lirë, kompetitivitetin e saj, rritjen e shpejtë ekonomike, zhvillimin e qëndrueshëm dhe të pandërprerë të vendit.

Asgjë nuk përcakton më shumë dhe më qartë ritmet e integrimit të vendit tonë në BE sesa rritja e shpejtë ekonomike, zhvillimi i qëndrueshëm, i pandërprerë i tij.

Por, kam kënaqësinë të theksoj se pas shembjes së murit të krimit dhe korrupsionit, suksesi i reformave ekonomike dhe fiskale, janë dhe ndër arritjet më madhore të katër viteve që shkuan.

Ekonomia shqiptare është një ekonomi e vogël, por solide, dinamike dhe në sajë të reformave të thella dhe të gjithanshme, ia dolëm të vendosim Shqipërinë në orbitën e rritjes së shpejtë ekonomike, në vendin më tërheqës për investimet e huaja. Shqipëria sot është vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë, vendi në të cilin biznesi regjistrohet në One Sto Shop dhe me të cilin janë hequr dy të tretat e lejeve dhe licencave, është krijuar One Stop Shop për lejet dhe licencat që kanë mbetur, si dhe One Stop Shop për energjinë. Ekonomia shqiptare, me gjithë krizën e thellë botërore, ruan këtë vit rritjen më të madhe ekonomike në Evropë. Sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm këtë gjashtë mujor, investimet e huaja kanë një rritje prej 59%, krahasuar me vitin e kaluar.

Por, ndërtimi i Shqipërisë Evropiane kërkon që ekonomia shqiptare të vrapojë, si kushtin më kryesor për të garantuar për qytetarët shqiptarë, mirëqenien, punësimin, shërbimet që gëzojnë qytetarët e vendeve anëtare të BE-së.

Objektivat më madhore të Qeverisë së Integrimit Evropian janë: konsolidimi i rritjes së shpejtë ekonomike, rritja e kompetitivitetit të ekonomisë sonë, Shqipëria lider në rajon për thithjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e qëndrueshëm të saj.

Për të garantuar kompetitivitetin më të lartë, do të ndërmerren reformat ë thella administrative, fiskale dhe gjyqësore.

Reformës së thellë do t’i nënshtrohet sistemi i të gjitha inspektorateve të vendit, me objektivin e rritjes së eficencës dhe zvogëlimit të barrës së tyre mbi bizneset.

Regjistrimi i biznesit, pagesa e taksave dhe bilancet do të jenë online.

Do të konsolidohen One Stop Shop për licencat dhe lejet edhe për energjitikën dhe do të ndërtohet One Stop Shop për minierat.

Do të ridimensionohet partneriteti publik-privat, në të gjitha fushat e ekonomisë, si levë kryesore për thithjen e investimeve private dhe zhvillimin e vendit.

Diplomacia shqiptare do të shndërrohet në një promovuese e fuqishme e potencialeve të Shqipërisë për investimet e huaja dhe bashkëpunimin e ekonomik ndërkombëtar të vendit.

Do të reformohet tërësisht Agjencia e Investimeve të Huaja.

Do të krijohen gjashtë parqet industriale, të cilat do të shndërrohen në gjeneratorë të fuqishëm prodhimi dhe punësimi.

Sistemi i minierave të vendit do të riaktivizohet mbi bazën e standardeve më të mira të shfrytëzimit, transparencën financiare, mbrojtjes së mjedisit dhe bashkëpunimit me komunitetin.

Në të gjitha lejet dhe licencat do të vendoset parimi heshtja është miratim.

Revolucioni industrial i vendit do të jetë një nga tiparet kardinale të katërvjeçarit që vjen. Energjia dhe turizmi do të jenë shtylla kryesore të zhvillimit të ekonomisë.

Revolucioni fiskal dhe reformat e financave publike do të vazhdojë pa ndërprerë. Reduktimi i mëtejshëm i barrës fiskale, si heqja e TVSH-së për mallrat dhe shërbimet në arsim dhe shëndetësi, reduktimi i taksave mbi dividendin, reformimi tërësisht i sistemit të pensioneve dhe sigurimeve shoqërore.

Hartimi, zbatimi, kontrolli i buxhetit të shtetit do të reformohet thellësisht.

Do të krijohet fondi i zhvillimit të rajoneve, duke shumëfishuar buxhetin qendror për qeveritë vendore, si dhe huamarrjet e tyre.

Do të aplikohen stimuj fiskalë për punësim.

Reformë ligjore institucionale dhe modernizmi i mëtejshëm i sistemit të tatimeve dhe doganave, taksa, bilance online, skaner dhe kontroll imazhor në të gjitha doganat kryesore të vendit.

Rimbursim i TVSH-së brenda 30 ditëve dhe aplikimi i parimit heshtja është miratim.

Modernizim i menaxhimit të borxhit publik.

Objektivi ynë madhor për katër vitet që vijnë është që në Shqipëri, në parqe industriale, në parqe energjitike, porte, veçanërisht në portin e ri të Vlorës, autostrada e aeroporte, hidrocentrale dhe vepra të tjera të investohen rreth 12 miliard euro. Disa miliarda euro do të investohen në rreth 150 hidrocentrale, që do të ndërtohen apo do të nisin ndërtimet në rrethet e Elbasanit, Peshkopisë, Gjirokastrës, Mirditës, Tiranës, Gramshit, Shkodrës, Kukësit, Tropojës. Miliarda të tjera do të investohen në Vlorë, Durrës, Tiranë, Shëngjin, Fier, Elbasan, Korçë, në porte, vepra energjitike dhe parqe industriale. Në këto vepra do të punësohen rreth 160 mijë punonjësve.

*Marrë me shkurtime nga fjala e Kryeministrit dje në Parlament

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›