E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatime Goga: Me Ilirin jam në PS që prej 1991

• Kryetarja e komunës Ndroq, Fatime Goga, e cila dje mori teserën e LSI-së bashkë me këshilltarët socialistë të kësaj komune, akuzoi Edi Ramën se nuk pati respekt për votën e socialistëve të Ndroqit."Në PS nuk funksionon më parimi 'një anëtar, një votë', por është vetëm një slogan, sepse kur 179 anëtarë votojnë në Ndroq me votë të fshehtë dhe të monitoruar për një kandidat të preferuar, selia e PS-së vendos për një person tjetër që kishte marrë vetëm votën e një anëtari", tha Goga. Si një nga socialistet e para, që prej themelimit të PS-së, Goga tha se, "unë jam socialiste që nga viti 1991, po kështu edhe Ilir Meta. Ndaj ju ftoj të gjithëve të bashkohemi me liderin që do të bashkojë të gjithë socialistët dhe të majtët e vërtetë drejt fitores". Kryetarja e komunës së Ndroqit u shpreh se po bashkohet së bashku me kolegët e tjerë socialistë me LSI, që është e majta e vërtetë dhe mbron interesat dhe vlerat e socialistëve shqiptarë. Fatime Goga u shpreh se, "këta 250 anëtarë që vijnë sot te LSI, bashkohen me Kryeministrin më të suksesshëm që ka pasur Shqipëria që pas '90-ës, me liderin që do të bashkojë të gjithë socialistët dhe të majtën drejt fitores, me z.Ilir Meta". Më pas ajo shtoi se, "duke pasur mbështetjen e të gjithë anëtarëve të PS-së, ne morëm sot këtë vendim, sepse jemi ndjerë të anashkaluar dhe të përbuzur nga kryetari i PS-së. Ai nuk pati respekt për votën e socialistëve të vërtetë këtu në Ndroq, nuk pati respekt për gjakun e derdhur për mbrojtjen e kutive të votimit në zgjedhjet e 18 Shkurtit".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›