E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto: OSBE të mos bjerë pre e presioneve politike

• Kryetari i Këshillit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Edmond Haxhinasto, kërkoi dje nga OSBE-ja që të mos marrë sërish pozicionin që mbajti në zgjedhjet e 2005-ës."Nuk besojmë se OSBE do të veprojë si në 2005-ën, kur nuk reagoi ndaj paralajmërimeve të LSI, duke pranuar marrëveshjen e atëhershme PD-PS, marrëveshje e cila solli megadushkun dhe gjithë pasojat që i dimë të gjithë mirë", tha Haxhinasto. Këtë deklaratë ai e bëri në përgjigje të deklaratës së ambasadorit të prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, për listat e hapura të kandidatëve. Haxhinasto e konsideroi keqkuptim nga ana e ambasadorit përjashtimin e listave të hapura nga sistemi zgjedhor, pasi nuk ka kuptuar si duhet funksionimin e tyre. "Listat e hapura, ose sistemi preferencial për listat, janë një element i një sistemi demokratik, që sjellin përfaqësimin e drejtë e të ndershëm në Kuvendin e Shqipërisë. Ne do të dëshironim që Prezenca e OSBE-së në Shqipëri nuk duhet të bie pre e presioneve të qeverisë apo ndonjë partie duke adoptuar qëndrimet e tyre specifike", tha Haxhinasto. Kryetari i KDK-së së LSI-së shprehu dje shqetësim për raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit për trafiqet e narkotikëve dhe pastrimin e parave, ku konkludohet se Shqipëria nuk ka kapacitetet dhe pengohet nga korrupsioni i madh për të realizuar objektivat e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›