E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI i merr PS-së kryetaren e komunës dhe 250 antarë

• "Ky ribashkim i yni do ta mundë Berishën në 2009-ën dhe do ta shpëtojë Edin nga kurthi i Berishës".Aristir LumeziDje ka nisur të konkretizohet koalicioni i ri "E majta për integrim", i shpallur nga LSI. "Do ta mundim Sali Berishën dhe të gjithë ata që sot tentojnë të bëhen ortakë të tij. Do ta mundim për të mirën e Shqipërisë dhe për të mirën e Saliut", tha Meta. Me Lëvizjen Socialiste për Integrim janë bashkuar dje kryetarja e komunës Ndroq në Tiranë, Fatime Goga, këshilltarët socialistë të saj dhe 250 socialistë e simpatizantë të së majtës. Në një takim të zhvilluar dje në komunën Ndroq, Meta ka dorëzuar teserat e LSI të sapopranuarve, duke denoncuar bashkëpunimin e fshehtë Rama-Berisha në kurriz të së majtës. "Koalicioni i ri që synon të rrëzojë një herë e mirë 'Murin e Berlinit' të ngritur përmes intrigave dhe komploteve midis socialistëve e të majtëve dhe t'i bashkojë ata jo atje, tek zyrat e ish-Partisë Socialiste, ku kryetari i saj fton Ilir Metën që të kthehet tek dyert e asaj partie", tha Meta. Sipas kreut të LSI-së, askush nuk mund ta ndalë bashkimin e të majtës progresiste në një bllok kundër Sali Berishës. "Ju e kuptoni se sa e rëndë është që Edi Rama shkeli një marrëveshje me të majtën, me opozitën për zgjedhjet dhe thotë që këtë bashkëpunim do e ketë me Sali Berishën, sepse ne vendosim, sepse ne nuk pranojmë diktat nga askush tjetër. Në këto kushte, të gjithë të majtët duhet ta kuptojnë që ne vendin dhe të ardhmen e tij nuk duhet ta lëmë në këto duar të pasigurta. Askush nuk mund ta ndalë bashkimin e të majtës progresiste kundër Sali Berishës", tha Meta. RamaKreu i LSI-së ka fajësuar Edi Ramën për prishje të marrëveshjes së bashkëpunimit të koalicionit opozitar. Sipas tij, "kur Rama ka ardhur në PS, kishte turp ta quante veten socialist, dhe tani ka zgjedhur rrugën e mohimit të vlerave reale të Partisë Socialiste". "Ne e kemi pritur me dashuri Edin, kur ai ka ardhur në '98-ën direkt ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe po bën 10 vjet, sepse edhe unë kam hyrë në të njëjtën ditë në Qeverinë e atëhershme të z.Nano. Unë atëherë u emërova Sekretar Shteti, ndërsa ai në Ministrinë e Kulturës, edhe pse ai e kishte për turp të thoshte se jam socialist, por thoshte se vinte për të kontribuar për Shqipërinë. Ju e keni zgjedhur edhe Kryetar të Partisë Socialiste para disa vitesh, por mendoj se rruga që ai ka zgjedhur për të mohuar ato vlera të pamohueshme që ka pasur PS-ja në jetën politike shqiptare, pavarësisht nga ato deformime që kanë ndodhur, pavarësisht nga këto ndarje që kanë ndodhur dhe që në një kohë të dytë, do të sqarohen se kush e futi farën e përçarjeve dhe intrigave brenda të majtës. Por, pavarësisht me të gjitha këto, ne do t'i themi edhe Edit dhe të gjithë të tjerëve, që nuk na ndal askush për të bërë atë bashkim të vërtetë me të gjithë socialistët e vërtetë, me të gjithë të majtët e vërtetë dhe progresistët", tha Meta. Kreu i LSI-së u shpreh se Rama po luan me parimin "një anëtar, një votë", pasi nuk po e zbaton atë.  "Nuk mund të luhet më me përrallat e 'një anëtar, një votë', kur përjashtohen njerëzit në mënyrë të padrejtë dhe kur ata që nuk kanë pasur asnjë lloj lidhje jo me PS-në, por as me të majtën, vijnë dhe caktohen këtu në krye të komunës suaj", tha Meta.ZgjedhjetMeta u shpreh i sigurt se me bashkimin e ri të së majtës, fitorja e saj do të jetë e padiskutueshme. "Unë së bashku me ju, ashtu sikurse kemi fituar në vitin 2000 në zgjedhjet e përgjithshme vendore në të gjithë Shqipërinë, ashtu sikurse fituam edhe Bashkinë e Tiranës dhe bëmë Edin kryetar, apo sikurse fituam Durrësin dhe gjithë qytetet që i kishte pasur Berisha për 10 vjet, do fitojmë një herë e mirë ndaj Sali Berishës në vitin 2009", tha Meta. Kreu i LSI-së "premtoi gatishmëri maksimale, vendosmëri maksimale dhe fitore në 2009 kundër Sali Berishës dhe rikthimin e të majtës së bashkuar në pushtet". "Ndaj të gjithë të bashkohemi jo vetëm këtu në Ndroq, por të bashkohemi dhe do të bashkohemi në të gjithë Shqipërinë, për këtë ndërmarrje të madhe për krijimin e Partisë Socialiste të vërtetë", tha Meta.Koalicioni “E majta për integrim” drejt formatimitLëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar regjistrimin në gjykatë të koalicionit të ri opozitar si subjekt politik. Regjistrimi i koalicionit të ri opozitar "E majta për integrim" në gjykatë, i jep atij vlerën e një partie politike dhe aspak të marrëveshjeve politike para dhe paszgjedhore. Ky veprim do të bëjë të mundur hyrjen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare 2009 edhe të koalicionit të disa partive, por dhe personaliteteve, edhe pse Kodi i ri Zgjedhor do t'i përjashtojë koalicionet parazgjedhore. Koalicioni i formatuar juridikisht si parti politike, pritet të ketë në përbërjen e tij jo vetëm parti politike, por edhe shoqata, përfaqësues të partive politike, të zgjedhur vendorë etj., duke e nxjerrë atë jashtë formatimeve të aplikuara deri tani në politikën shqiptare. Deri tani kanë shprehur interes për t'u bashkuar në këtë koalicion mjaft parti të spektrit të majtë dhe të djathtë, por dhe të zgjedhur vendorë të partive të ndryshme. Madje, një përkrahje të hapur të tij ka dhënë dhe drejtuesi i Lëvizjes Institucionale Socialiste, Petro Koçi, i cili e ka cilësuar atë si koalicionin e vërtetë të së majtës kundër Berishës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›