Kodheli: Pro OSBE-së, jemi kundër listave të hapura
• Partia Socialiste u shpreh dje në mbështetje të deklaratave të ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch.Aristir LumeziZëdhënësja e kryesisë socialiste, Mimi Kodheli, tha se "PS-ja është kundër listave të hapura që kërkojnë partitë e vogla". "Deklarata e OSBE-së lidhur me të ashtuquajturat 'lista të hapura', tregon qartë se kundërshtimi ynë ndaj këtyre listave, që kanë deformuar rregullisht vullnetin e zgjedhësve, është një kundërshtim parimor dhe kurrsesi një manovër për të asgjësuar partitë e vogla. Këto të fundit duhet ta kuptojnë se nuk është interesi i ngushtë i PS-së, por interesi ynë i përbashkët që t'i japim fund proceseve të turpshme zgjedhore dhe këtij sistemi politik të dëmshëm për interesat e vendit", deklaroi zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli. Duke iu referuar deklarimit të zyrtarit të lartë të Prezencës së OSBE-së, zëdhënësja e PS-së shprehu "nevojën për kryerjen me urgjencë të reformës zgjedhore". "Ne i ftojmë të gjitha palët ta konsiderojnë pa asnjë paragjykim apo filtër interesash të vogla, propozimin tonë për të kaluar në një sistem zgjedhor me zona shumë emërore, pra në një proporcional rajonal. Për llojin e këtij proporcionali jemi tërësisht të hapur të diskutojmë me të gjithë, qoftë me PD-në, qoftë me të tjerët, qoftë edhe me LSI-në, e cila po kthehet mbrapa në kohë, me një sjellje të vjetër politike", u shpreh Kodheli. Dy ditë më parë, nga Shkodra, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, u shpreh kundër listave të hapura në procesin e ardhshëm zgjedhor. "OSBE-ODIHR ka në fakt vetëm pak kushte, kërkohet një sistem që të jetë sa më transparent, një sistem demokratik. Nuk duhet të ketë më fenomen të 'Dushkut' dhe së fundmi, nuk duhet të ketë lista të hapura, sepse ato lejojnë që pas zgjedhjeve të manipulohen", theksoi Bosch. Zgjedhja e sistemit është në duart e politikës shqiptare, nënvizoi ambasadori Bosch, duke shprehur bindjen se, "ajo do të zgjedhë atë sistem që ju dëshironi, me kusht që të plotësohen kërkesat që theksuam më sipër dhe ky kompromis të përqafohet nga të gjitha partitë. Përsëri po e theksoj, kompromisi është i domosdoshëm, sepse koha po ikën". Reforma zgjedhore ka ngecur pikërisht në këto dy çështje të rëndësishme, siç janë sistemi zgjedhor dhe listat e kandidatëve, pas qëndrimeve të ndryshme që ndajnë PS dhe PD nga partitë e tjera parlamentare.Sot mblidhet KomisioniKomisioni i posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore do të mblidhet sot pas shumë muajsh bllokim. Sot në orën 12:30, anëtarët e tij do të ulen në karriget e tyre, në të cilat nuk kanë shkelur edhe pse ky komision po përfundon mandatin e tretë shtesë të tij, përsëri pa asnjë rezultat konkret. Përmes një ultimatumi, dhjetë partitë e vogla parlamentare i kanë kërkuar dy partive të mëdha PS-PD të mbledhin Komisionin e Reformës, ku të diskutohen të gjitha pikat e reformës zgjedhore dhe jo të flitet në konferenca për shtyp. Dy partitë e mëdha dhe 10 partitë e vogla parlamentare ndahen në dy pika mjaft të forta të kësaj reforme, në sistemin zgjedhor dhe listat e kandidatëve. Dy partitë e mëdha janë shprehur se të dyja bashkë mund të miratojnë në Kuvend propozimet për një sistem proporcional rajonal dhe për lista të mbyllura të kandidatëve. Kjo ka gjetur kundërshtim tek partitë e tjera. Këto kontradikta priten të zgjidhen në Komisionin e Reformës Zgjedhore që rinis sot.