E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Jo çmime tavan për bukën, të ulen taksat për naftën”

• Çmimi i bukës do të nivelohet nga tregu, kurse për naftën, duhet të rishikohet barra fiskale.Redi Gjuzi Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Gjokë Uldedaj, tregon problemet e biznesit dhe kërkesat e tij për qeverinë. Në një intervistë për gazetën, Uldedaj komenton zhvillimin e biznesit mes Shqipërisë dhe Kosovës pas shpalljes së pavarësisë. Problemet e reja që do dalin nga rritja e çmimit të dritave dhe marrëdhëniet me qeverinë për reformat fiskale. Çfarë përfitojnë bizneset nga anëtarësimi në Dhomën e Tregtisë dhe efektet në ekonominë vendase nga ndikimi i faktorëve të jashtëm. Kosova tani është një shtet i pavarur. Sa do të ndikojë kjo në ekonominë e Shqipërisë? A është atraktiv tregu kosovar për biznesin shqiptar?Tregu kosovar është një treg i rëndësishëm potencial për tregun shqiptar. Kjo falë pasurive që ka vetë Kosova, si mbi tokë, ashtu dhe nëntokë dhe mundësive të mëdha për bashkëpunim. Marrëdhëniet mes dy shteteve janë marrëdhënie të qëndrueshme, që kanë ardhur duke u përmirësuar vazhdimisht. Vlen të përmenden dy marrëveshje ndërshtetërore, ajo e vitit 2003 e Tregtisë së Lirë, (ku rreth 50 për qind të produkteve importoheshin në drejtim të Kosovës), dhe thellimi i saj në vitin 2006, përmes së cilës pothuajse 100 për qind e produkteve u lehtësuan nga barra doganore. Por, me gjithë këto masa, niveli dhe ritmi i shkëmbimeve tregtare ndërmjet të dy vendeve nuk është ai i kërkuari. Nga rreth 10 milionë euro në 2003, këto shkëmbime arritën në rreth 60 milionë euro në vitin 2006 dhe diçka më shumë në vitin 2007. Kategoritë e produkteve që përbëjnë gamën e shkëmbimeve tregtare, janë kryesisht produkte të dorës së dytë dhe të disa nevojave emergjente. Nuk ka një marrëdhënie ose shkëmbim tregtar të domosdoshëm të produkteve të nevojave bazë, pasi këto produkte, si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Kosova, merren në tregje të tjera. Shqipëria importon kryesisht nga Evropa, ndërsa Kosova importon rreth 60-70 për qind të produkteve nga tregu serb dhe maqedonas. Eksportet e të dy vendeve janë në nivele relativisht të ulëta.Konsolidimi i shtetit të pavarur të Kosovës, përmirësimi i legjislacionit shqiptar dhe riorientimi i kompanive shqiptare do te bëjnë që, ajo e cila në momentin e parë do të duket tkurrje e tregut kosovar drejt tregut serb dhe maqedonas, të rezultojë në një hapje të tij në drejtim të tregut shqiptar. Ky moment historik duhet shfrytëzuar për krijimin e marrëdhënieve të qëndrueshme e me potencial të lartë zhvillimi ekonomik ndërmjet të dy vendeve në të ardhmen. E themi këtë, pasi aktualisht nuk kemi mjaft produkte standarde për të shkëmbyer me njëri-tjetrin. Kjo për dy arsye: ato prodhime që prodhohen tek ne deri tani nuk plotësojnë nevojat e tregut tonë, gjë qe shprehet me disbalancën shumë të madhe ndërmjet eksportit dhe importit, ndërsa veprimtaria prodhuese në Kosovë shpesh bazohet në teknologji të vjetra, që nuk arrijnë standardet për tregjet e huaja. Pra, është detyrë e të dy vendeve tona, që bazuar në studime strategjike e plane zhvillimi të përbashkët, të arrijnë që tregjet respektive të specializohen në drejtime të ndryshme: ajo që prodhohet me kualitet në Kosovë të importohet në Shqipëri dhe atë që prodhon Shqipëria të mos e prodhojë edhe Kosova. Kështu, mund të shfrytëzohen në mënyrë efiçente resurset natyrore, ekonomike, financiare e njerëzore të të dy vendeve, duke arritur më lehtë një dimension tregu në kushtet kur kufijtë ndërmjet vendeve do të jenë më shumë virtuale. Një impuls për këtë janë favorizimet që lidhen me konceptet e marketingut ndërkombëtar: ka një afeksion politik shumë të mirë mes dy vendeve, një mjedis ligjor që përafrohet gjithnjë e më shumë me atë evropian, një mjedis financiar që funksionon pothuajse në të njëjtat nivele, një mjedis kulturor të njëjtë me konsumatorë me shije e preferenca të njëjta, si dhe një mjedis ekonomik pothuajse të njëjtë. Të gjitha këto kushte tregojnë që mund të funksionojmë si një treg dhe kjo varet nga aktorët politikë dhe bizneset e vendeve respektive.Kush mund të jenë fushat e mundshme të investimit mes bizneseve?Fusha kryesore është turizmi, e cila tashmë po kthehet në traditë, pasi bregdeti shqiptar është i njohur nga shtetasit e Kosovës. Kjo gjithashtu do të nxisë edhe më shumë prodhimin vendas për t'i shërbyer këtij konsumatori. Lajmi tjetër pozitiv është se Shqipëria do të marrë pjesë në ndërtimin në Kosovë të një termocentrali, i cili do të jetë 10 herë më i fuqishëm se ai që do të ngrihet në Vlorë, duke krijuar bindje se problemi i energjisë do të zgjidhet në faza të ndryshme, si për Shqipërinë, ashtu dhe për Kosovën. Veç turizmit dhe energjetikës, fusha të tjera investimi janë ato të veprimtarisë prodhuese, agro-industrisë, ndërtimit etj., dhe kjo falë lidhjeve që presim të shumëfishohen falë investimeve të mëdha në sistemin rrugor që lidh të dy vendet. Përfundimi i rrugës Durrës-Kukës-Morinë dhe komunikimi përmes porteve shqiptare, kryesisht atij të Shëngjinit, do të sjellë dhe një rivlerësim të aseteve, gjë që do të rrisë vlerën e kolateraleve dhe sasinë e kreditimit të biznesit nëpërmjet sistemit bankar.Të kthehemi në realitetin shqiptar. Ka një tendencë për rritjen e çmimeve. Çmimi i bukës shkoi për pak kohë 100 lekë, ndërkohë që ka rritje të çmimit për shumë produkte të tjera. Mendoni se duhen krijuar lehtësi fiskale nga qeveria?Është e vërtetë që ka pasur një tendencë rritjeje të çmimeve, sidomos për produktet agro-ushqimore me bazë grurin. Kjo si rezultat i rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare, por dhe si rezultat i efekteve të tjera anësore, të cilat kanë ndikuar jo pak. Lufta kundër informalitetit është njëra prej tyre, pasi tani subjektet akoma dhe më shumë po i nënshtrohen likuidimit të detyrimeve. Sidomos ajo kategori që deri dje ka qenë jashtë këtij sistemi dhe sot është e inkuadruar në kuadrin e bashkive, por që përbëjnë shumicën e sipërfaqes së kontaktit me konsumatorin e fundit, shto këtu dhe problemet e perceptimit të inflacionit dhe abuzimet në këto raste nga shitësit me pakicë. E gjithë kjo situatë ka bërë që ne të ballafaqohemi me çmime të rritura. Megjithatë nuk jemi dakord që të ndërhyhet në përcaktimin e çmimeve për të vendosur dysheme ose tavan, pasi mendoj që kemi një treg, i cili është i zhvilluar, vepron mbi bazën e parimeve të konkurrencës së lirë dhe shtetit i mbetet të jetë një arbitër i drejtë dhe i baraslarguar përballë subjekteve, duke përcaktuar rregulla të qarta loje, për të mos i lënë rast njëanshmërisë dhe formave selektive, që rëndom kanë ndodhur vite më parë. Tregu rregullon vetveten. Ajo që duhet përmirësuar është e lidhur me administrimin tatimor. Sa i përket faktit tjetër, atë të lehtësimit të barrës, nuk mendoj që ka vend për të krijuar lehtësi fiskale për këto kategori produktesh. Më shumë duhen marrë masa rregulluese, duke pasur si etalon ato subjekte, të cilat kanë një rekord pozitiv në marrëdhëniet me shtetin dhe me konsumatorin. Një tjetër problem për konsumatorët është çmimi i karburanteve. Sot ai krahasohet me çmimin e vendeve perëndimore, ndërkohë që të ardhurat e shqiptarëve janë shumë më të ulëta. Çfarë po ndodh me këtë treg. Është mungesa e konkurrencës që vendos çmime të larta, apo barra e lartë fiskale?Sot ballafaqohemi me nivelin më të lartë të çmimeve në tregjet ndërkombëtare për karburantet. Në këtë moment që flasim çmimi i naftës D2 (zë 90% të konsumit në vend) është 935 dollarë platt`s cif për mt/ton. Në këtë nivel çmimi, kostoja e blerjes përfshi edhe detyrimet doganore, rezulton 126 lekë për litër. 10-15 ditë më parë në këto nivele ka qenë çmimi me pakicë. E them këtë për të argumentuar rritjen e çmimeve në tregun shqiptar, i cili reflektohet nga tre elementë: çmimet e tregjeve ndërkombëtare, niveli i detyrimeve doganore (akcizë, TVSH etj.) dhe shkalla e fitimit në rrjetin e shitjeve me shumicë dhe pakicë. Në këto tre nivele pjesa e tregtarit për të ndikuar në rritjen e çmimit zë më pak se 10 për qind (7 deri 10). Mendoj që kemi një treg të zhvilluar dhe të konsoliduar të shitjes me shumicë në nivelin e importuesve dhe ka shumë defekte për sa i përket shitjes me pakicë. Operatorët në këtë kategori tregu reflektojnë mungesa të respektimit të ligjit për hidrokarburet, ku shprehimisht është e cilësuar që stacionet e shitjes me pakicë duhet të mbajnë tabelat e importuesit, gjë që në kushtet aktuale kjo është e realizuar vetëm në nivelet 30-40 për qind. Mendoj që për kategorinë e karburanteve, ndryshe nga kategoritë e tjera të produkteve, të cilat reflektojnë çmime të rritura, mund të ketë një ndërhyrje të përkohshme me uljen e akcizës, pasi një pjesë e vendeve të tjera e kanë bërë këtë, kjo dhe për faktin se karburanti konsiderohet dhe si burim alternativ energjie në kushtet e krizës energjetike. Ka pasur disa reforma fiskale. Dhoma e Tregtisë është institucioni që përfaqëson biznesin. Cili ka qenë roli juaj, cilat janë pikat që keni kundërshtuar dhe çfarë kërkoni nga financat?Qeveria e ka pranuar më së fundi faktin që 85 për qind e të ardhurave sigurohen nga sektori privat. Nisur nga kjo pikëpamje, shteti nuk e sheh më biznesin si target grup që duhet vjelur, por po synon ta shohë atë si partner dhe aktor në hartimin e ligjeve për ekonominë. Këtë e them referuar pjesëmarrjes sonë gjatë vitit të kaluar, pothuajse në të gjitha projektligjet që janë hartuar nga qeveria, ku Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë - Tiranë, përfaqësuese e biznesit ka qenë pjesë e të gjitha ndryshimeve ligjore të bëra. Projektligji i procedurave tatimore, që prek në mënyrë të drejtpërdrejtë biznesin, ishte një prioritet i yni dhe për këtë Ministria e Financave, hartuesja e ligjit, organizoi tryeza me biznesin për të marrë në konsideratë sugjerimet konkrete që erdhën prej nesh. Dhoma e Tregtisë shkoi me një varg propozimesh konkrete, që tashmë ne presim të jenë të reflektuara në projektligj, i cili ka marrë formën ligjore dhe pret miratimin parlamentar. Si anëtare e Këshillit Konsultativ të Biznesit, Dhoma ka qenë pjesëmarrëse aktive e diskutimeve edhe për projektligje të tjera, si ai "Për zonat e lira ekonomike", "Për masat mbrojtëse në importe", "Për organizimin e panaireve dhe ekspozitave", "Për mbrojtjen e shëndetin nga produktet e duhanit", "Për nënshkrimin elektronik", "Për sistemin e taksave vendore", apo për projektvendime të Qeverise, si ato "Për zbatimin e detyrueshëm të standardeve të kontabilitetit", "Për furnizimin me karburant pa akcizë në peshkim" etj. Duke qenë pjesë e diskutimeve konkrete në të gjitha këto projekte të rëndësishme, Dhoma ka kërkuar reflektimin e propozimeve në ligje të ndryshme, duke sjellë në tryezat e diskutimeve zërin real të biznesit që përfaqëson.  Eshtë miratuar para pak ditësh, projektligji për falimentimin. Si shpjegohet që gjatë 17 viteve të ekonomisë së tregut, ka pasur fare pak raste falimentimi. A janë të gjithë bizneset e shëndetshme?Pyetja që shtroni ju duhet parë nga dy pikëpamje. Nëse ka pasur pak raste falimentimi, kjo tregon se biznesi nga viti në vit ka arritur të konsolidohet. Por, kjo situatë dëshmon edhe për mungesë të një kuadri të plotë ligjor në këtë fushë. Po bëhen përpjekje që kjo të rregullohet përmes një ligji të ri. Miratimi i tij do të sjellë thjeshtëzimin e procedurave, shkurtimin e afatit për mbylljen e një procedure falimentimi, si dhe vendosjen e sanksioneve për administratorët apo ortakët e atyre subjekteve që nuk marrin masa për të kërkuar falimentimin e shoqërive të tyre, apo që nuk janë të afta të paguajnë detyrimet e tyre ligjore.Nuk është pozitive që një biznes të shkojë në falimentim, por rregullat e ekonomisë së tregut çojnë në suksese dhe mossuksese. Parë nga kjo pikëpamje, ligji i ri, i jep biznesit mundësinë për të konkurruar në mënyrë të drejtë dhe reale, pasi janë kreditorët apo shoqëritë e tjera që kanë marrëdhënie apo kredi me palë të tjera të biznesit, duke e vënë këtë të fundit marrëdhënie të zhdrejtë me ligjet e konkurrencës.  Si e shihni rritjen e çmimit të energjisë elektrike. A do ndikojë te bizneset?Rritja e çmimit të energjisë elektrike përbën një problem të madh për biznesin. Kësaj radhe ajo nuk erdhi thjesht si diferencë vlerash, por mbi të gjitha si ndryshim përqasjeje. Para dy vitesh flitej për çmime favorizuese të energjisë elektrike për biznesin, gjë që u shoqërua me uljet përkatëse. Sot kemi rritje të ndjeshme të çmimeve. Çështja nuk është vetëm se rritja e çmimit të energjisë elektrike do të pasqyrohet vende-vende ndjeshëm me rritje të çmimeve të mallrave e të shërbimeve. Sikur gjërat të mbaronin këtu, do të ishin të thjeshta. Çështja është se biznesi, si edhe më parë do të paguajë energjinë e konsumuar, madje tani edhe më shtrenjtë, por nuk do të ketë prapë asnjë garanci se do ta ketë mall kur t'i duhet. Sloganin e KESH-it "paguaje që ta kesh", tashmë e ka të vështirë ta besojë njeri.Kam përshtypjen se në marrjen e vendimeve lidhur me çmimet e energjisë elektrike ka një përqasje defektoze. Vëmendja përqendrohet në analizën nga pikëpamja e furnizuesit dhe jo edhe e klientit, pra ç'ndodh me klientët e KESH (ekonominë publike, private e familjare) kur çmimet e tij rriten. Sot, përballë KESH - një kompanie monopoliste nuk ekziston një palë që të ketë analizuar kërkesën dhe argumentet e tij për rritje çmimi dhe që përmes një analize profesionale të planit strategjik dhe të gjendjes financiare të KESH, nga njëra anë, dhe te efekteve që mund të japë në rrafshin ekonomik e social të vendit kërkesa e tij, nga ana tjetër ta gjykojë atë, të bëjë pra oponencën e tij. Mund të shëndoshet KESH, por shëndoshja e pakontrolluar e tij mund të jetë shumë e rëndë për ekonominë dhe me pasoja të rënda sociale, pra me një efekt të përgjithshëm ekonomik e shoqëror negativ.Sa do ndikojë për biznesin rritja e pagës minimale nga Qeveria?Për biznesin rritja e pagës minimale, që shoqërohet edhe me rritjen e shpenzimeve për sigurimet shoqërore e shëndetësore, do të thotë rritje e kostos së prodhimit. Qeverisë i takon të bëjë politikat e duhura sociale. Duke parë çmimet e mallrave në treg, rritja e bërë nga Qeveria në planin social mendoj se është e drejtë. Sa aktive është Dhoma e Tregtisë në ndihmë të biznesit. Çfarë përfiton një biznesmen shqiptar, që është i anëtarësuar në Dhomë?Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë ka një rol primar jo vetëm në vendosjen e marrëdhënieve biznes-shtet, por krijimin e një klime sa më të favorshme në të bërin biznes. Vite më parë ishte krijuar ideja që i vetmi "privilegj" i biznesit, duke qenë anëtar i Dhomës, ishte pajisja me një vizë për jashtë shtetit. Dhoma e Tregtisë është një shërbyese reale e biznesit, që e ndihmon atë për të qenë i suksesshëm. Megjithëse anëtarësimi është një detyrim ligjor, ne kemi synuar ta bëjmë sa më të vullnetshëm, duke përdorur metoda sa më atraktive komunikimi. Ju pyesni çfarë fiton një biznesmen shqiptar po të jetë anëtar i Dhomës? Fiton një shërbim të kualifikuar, bëhet pjesë e misioneve të biznesit, e panaireve dhe ekspozitave brenda dhe jashtë vendit. Biznesmeni njoftohet qysh në fazën e diskutimit mbi ndryshimet e pritshme ligjore, duke u bërë edhe aktor në këtë proces. Për të qenë sa më afër në ndihmë të biznesit në shkëmbimet e tij tregtare me vendet e tjera, synimi ynë shkon më tej. Dhoma synon hapjen e zyrave të përfaqësimit të saj në Itali, Greqi apo Turqi, me ambicien e natyrshme që t'i konkretizojë këto plane brenda këtij viti. Duke pasur shkëmbime të mëdha tregtare me këto vende, Dhoma do të jetë një urë komunikimi dhe bashkërendimi e punës së bizneseve që janë anëtare të Dhomës. Këtë eksperiencë të re ne sapo e kemi nisur me hapjen e Zyrës sonë të Përfaqësimit në Kosovë. Hap pas hapi, Dhoma po kthehet në institucionin qendror të biznesit, duke i ofruar atij shërbime, konsultime e veprimtari që e bëjnë atë të ecë përpara. Në këtë rrugë ka edhe vështirësi. Por, siç ka thënë një i ditur, nëse në një rrugë nuk ndesh vështirësi, ajo nuk është rruga e duhur.Për KosovënKonsolidimi i shtetit të pavarur të Kosovës, përmirësimi i legjislacionit shqiptar dhe riorientimi i kompanive shqiptare do të bëjnë që, ajo e cila në momentin e parë do të duket tkurrje e tregut kosovar drejt tregut serb dhe maqedonas, të rezultojë në një hapje të tij në drejtim të tregut shqiptar. Ky moment historik duhet shfrytëzuar për krijimin e marrëdhënieve të qëndrueshme e me potencial të lartë zhvillimi ekonomik ndërmjet të dy vendeve në të ardhmenPër bukënNuk jemi dakord që të ndërhyhet në përcaktimin e çmimeve për të vendosur dysheme ose tavan, pasi mendoj që kemi një treg, i cili është i zhvilluar, vepron mbi bazën e parimeve të konkurrencës së lirë dhe shtetit i mbetet të jetë një arbitër i drejtë dhe i baraslarguar përballë subjekteve, duke përcaktuar rregulla të qarta loje për të mos i lënë rast njëanshmërisë dhe formave selektive, që rëndom kanë ndodhur vite më parë. Tregu rregullon vetvetenPër naftënPër kategorinë e karburanteve, ndryshe nga kategoritë e tjera të produkteve, të cilat reflektojnë çmime të rritura, mund të ketë një ndërhyrje të përkohshme me uljen e akcizës, pasi një pjesë e vendeve të tjera e kanë bërë këtë, kjo dhe për faktin se karburanti konsiderohet dhe si burim alternativ energjie në kushtet e krizës energjetike.Për dritatSot kemi rritje të ndjeshme të çmimeve. Çështja nuk është vetëm se rritja e çmimit të energjisë elektrike do të pasqyrohet vende-vende ndjeshëm me rritje të çmimeve të mallrave e të shërbimeve. Çështja është se biznesi, si edhe më parë do të paguajë energjinë e konsumuar, madje tani edhe më shtrenjtë, por nuk do të ketë prapë asnjë garanci se do ta ketë këtë mall kur t'i duhet.Për DhomënDhoma e Tregtisë është një shërbyese reale e biznesit që e ndihmon atë për të qenë i suksesshëm. Megjithëse anëtarësimi është një detyrim ligjor, ne kemi synuar ta bëjmë sa më të vullnetshëm, duke përdorur metoda sa më atraktive komunikimi. Ju pyesni çfarë fiton një biznesmen shqiptar po të jetë anëtar i Dhomës? Fiton një shërbim të kualifikuar, bëhet pjesë e misioneve të biznesit, e panaireve dhe ekspozitave brenda dhe jashtë vendit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›