E Diel, 1 Nëntor 2026

Fatkeqësitë natyrore; Shqipëria, vendi me më pak masa përballuese



Ervin Koçi

Shqipëria rezulton si një nga vendet e Europës Juglindore më të prapambetura përsa i përket përballimit të fatkeqësive të ndryshme natyrore, si dhe të marrjes së masave për përballimin e tyre. Ende vendi ynë është i papërgatitur për të përballuar fatkeqësitë të çfarëdolloj natyre qofshin, duke mos u ardhur kështu në ndihmë në kohën dhe me mjetet e duhura popullsisë civile. Dëmet në njerëz apo ekonomi, të shkaktuara nga fatkeqësi si tërmetet, përmbytjet, zjarret, shpeshherë kanë ardhur si rezultat i mungesës së kapaciteteve për të reaguar. Me këtë synim qeveria miratoi dje një marrëveshje të financimit prej 6,16 milionë dollarësh nga IDA, shoqata për zhvillim dhe 2 milionë euro nga Banka për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kodet e ndërtimit

Fondet ndihmë nga donatorët do të shërbejnë për hartimin e Kodeve të Ndërtimit, mjaft të nevojshme për të ndihmuar në pakësimin e risqeve nga aktivitetet sizmike përmes përmirësimit të kodeve të ndërtimit dhe prezantimit të standardeve të reja të përmirësuara. Ky është një nga 5 komponentët e projektit të Bankës Botërore me dy faza. Parashikohet gjithashtu, në rast fatkeqësish, sigurimi që do t’u ofrohet për risqet ndaj fatkeqësive, pronarëve të shtëpive dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme. “Kjo do të kryhet përmes krijimit të një Shqipëria do të jetë vendi i parë në rajon që angazhohet për të marrë pjesë në një ndërmarrje të tillë novatore”, thuhet në projekt. Negociatat për kredinë janë bërë pak ditë më parë nga Qeveria shqiptare dhe Banka Botërore. Financimi i IDA-s ka një periudhë maturimi prej 20 vjetësh, ndërsa 10 vitet e para nuk do të ketë pagesë principali. Tarifa e shërbimit që duhet të paguhet për këtë financim është 0,75 për qind, ndërsa tarifa e angazhimit është 0.5 për qind.

Projekti

Objektivi kryesor i projektit është forcimi i kapaciteteve institucionale për uljen e ekspozimit të Shqipërisë ndaj rreziqeve natyrore dhe atyre të krijuara nga njeriu. Ai synon pakësimin e humbjeve njerëzore, ekonomike dhe financiare të shkaktuara nga këto fatkeqësi. Faza e parë e projektit të huas do të zgjasë tre vjet. Projekti pritet të shkojë për miratim në Bordin e Drejtorëve të Bankës Botërore në qershor të këtij viti. Komponentët e tjerë të projektit synojnë menaxhimin dhe përgatitjen ndaj fatkeqësive. Në rast emergjencash do të ndërtohen kapacitetet për mekanizmat e përgjigjes përmes dhënies së pajisjeve të nevojshme dhe forcimit të planifikimit e menaxhimit të risqeve të fatkeqësive. Nga ana tjetër, shërbimet meteorologjike do të fuqizohen në drejtim të pakësimit të risqeve të fatkeqësive përmes parashikimeve të sakta të motit dhe shërbimeve të përshtatura për nevojat e menaxherëve të riskut në sektorë të ndjeshëm ndaj motit të ashpër.

Rajoni

Projekti do të zbatohet nga Ministria e Brendshme dhe agjenci të tjera si Ministria e Financave, Ministria e Punëve Publike dhe Instituti i Energjisë, Ujërave dhe Mjedisit. Ky projekt për zbutjen dhe përshtatjen ndaj risqeve të fatkeqësive natyrore do të jetë pjesë e një programi rajonal të vendeve të Evropës Juglindore për zbutjen dhe përshtatjen ndaj risqeve për fatkeqësi natyrore. Projektvendimi është paraqitur dhe miratuar me procedurë të përshpejtuar, sipas relacionit, sepse dokumentet kanë pasur afatin e fundit të miratimit, më 22 maj. Gjithashtu, projekti synon përafrimin e legjislacionit të këtij sistemi me standardet evropiane. Në të parashikohet edhe rritja e nivelit profesional të personelit të strukturave të shërbimit të emergjencave civile.

26 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›