Skandali i vajit, BE-ja ndalon importin e vajit nga Ukraina
BE-ja ka pezulluar tërësisht importimin vajit të kontaminuar me lubrifikantë derisa të hyjnë në fuqi rregullat e reja të kontrollit të imtësishëm të vajit që hyn në Europë nga Ukraina. Që nga muaji prill është zbuluar se vaji i kontaminuar që vinte nga Kievi ka hyrë në 13 vende të BE-së, mes të cilëve, Italia, Greqia, Spanja, Belgjika, Holanda, Rumania Portugalia Suedia, Franca Britania, Irlanda. Në muajin prill u bë një dërgesë prej 40.000 tonë vaj i parafinuar luledielli që hyri në Francë nga Ukraina nëpërmjet detit. Ngarkesa u copëzua dhe u shpërnda në Itali, Spanjë, Holandë e Francë. Prej këtyre vendeve u bë eksport në vende të tjera të BE-së, si Greqia, nga e cila më pas vaji përfundoi edhe në territorin Shqiptar. Njësoj si vendi ynë, jo anëtar i BE-së, ka marrë vaj të tillë edhe Gana, Maroku, Turqia dhe ishujt Maldive. Në këtë vaj luledielli u gjetën gjurmë të një lubrifikanti, për të cilin ekspertët thonë se kishte nivel të vogël helmimi dhe jo vdekjeprurës për njerëzit. Gjithsesi, BE-ja u detyrua të marrë masa të forta ndaj importit të vajit nga Ukraina, e cila eksporton çdo vit drejt Europës, 1 milion tonë vaj luledielli.
26 Maj 2008