Topalli, lobing në KE për Shqipërinë
Në vijim të lobimit të saj për promovimin e Shqipërisë, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë punimeve të Konferencës të Asamblesë Parlamentare të KE-së zhvilloi një sërë takimesh të rëndësishme me krerë të parlamenteve, pjesëmarrës në këtë konferencë të nivelit të lartë politik. Përmbyllja e procesit të ratifikimit të MSA-së dhe pavarësia e Kosovës ishin gjithashtu çështje thelbësore në këto takime. Një takim të veçantë kryetarja e Kuvendit e zhvilloi me kryetarin e Parlamentit të Greqisë, Dimitrios Sioufas. Bashkëbiseduesit vlerësuan nivelin e marrëdhënieve politike dhe u fokusuan në zhvillimet aktuale dhe në perspektivën europiane të rajonit. Në takimin me Kryetarin e Parlamentit të Portugalisë, Jaime Gama, zonja Topalli u ndal në mundësitë e rritjes së bashkëpunimit mes këtyre dy vendeve të Mesdheut. Në takimin me kryetarin e Senatit të Meksikës, Santiago Creel Miranda, si një ndër vendet më të rëndësishme të Amerikës Latine dhe me influencë në vendet e kësaj zone, biseda u përqendrua në njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Një takim i përzemërt ishte edhe ai me kryetarin e Senatit të Spanjës, Javier Rojo Garcia. “Ballkani, po përjeton një realitet të ri, në paqe dhe stabilitetit, orientuar drejt perspektivës europiane. Kosova, ajo, ishte një rast unik dhe e vetmja zgjidhje për stabilitetin e Ballkanit ishte pavarësia e saj”.
Një tjetër takim i rëndësishëm ishte ai me kryetaren e Parlamentit hungarez, Katalin Szili.
26 Maj 2008