E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tani i TOP-it, lamtumirë me karafila të bardhë dhe duartrokitje



Karafila të bardhë dhe duartrokitje të pareshtura. Ky ka qenë dekori i lamtumirës dje në mesditë i presidentit të Top Medias, Dritan Hoxha. E si për ta bërë më prekëse të gjithë këtë atmosferë, nuk reshtën as lotët e gazetarëve, personaliteteve të medias, miqve e bashkëpunëtorëve dhe qindra mijëra qytetarëve, të cilët kishin ardhur për të përcjellë në banesën e fundit Tanin e TOP-it. Presidenti i “Top Medias” përcillet për herë të fundit nga banesa e tij në orën 11:00 në Tiranë, ku në rrugën përpara godinës së “Top Channel”-it ishin mbledhur me mijëra qytetarë, punonjës të kompanisë së “Top Medias” dhe kolegë të mediave të tjera, politikanë, biznesmenë e artistë. Rreth orës 11:05, me një hap të ngadaltë nga pesha e dhimbjes, trupi i pajetë i presidentit ka filluar të lërë pas banesën e tij pranë ish-Piramidës. Vetëm pak metra e ndanin banesën e Dritan Hoxhës nga zyra e tij në "Top Channel", ku gjithçka nisi dhe mori hov. Diçka që qiellit gri të Shqipërisë do t'i jepte ngjyrë. Ndaj Dritan Hoxha nuk mund të ndahej pa një vështrim të fundit nga selia e perandorisë së tij mediatike. Pas kthesës te selia e Radio Tiranës, kortezhi ka marrë rrugën përkrah selisë së Kryeministrisë, për të dalë në bulevardin "Dëshmorët e kombit". Një bulevard ku trafiku ndaloi për t'i lënë udhë hidhërimit dhe njëkohësisht përkrah tij respektit të qindra qytetarëve të thjeshtë. Njerëzit hipën në makina përpara ish-hotel "Dajtit" dhe kortezhi u nis drejt Laprakës, lagjes në periferi të Tiranës ku Dritan Hoxha u rrit. Kortezhit të makinave iu shtuan rrugës në shenjë respekti edhe makinat e televizioneve të tjera, nën duartrokitjet e pandërprera të qytetarëve buzë trotuareve. Më pas u krye ceremonia mortore në varrezat e Sharrës, ku Dritan Hoxhës iu dha lamtumira e fundit nga qindra mijëra qytetarë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.

26 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›