LSI-PR: Kodi i ri Zgjedhor të garantojë votën e emigrantëve
Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Republikanë deklarojnë se vota e emigrantëve nuk është e pamundur. Madje akuzojnë dy partitë e mëdha, PS-PD-në, se po pengojnë garantimin e të drejtës së votës për më shumë se 1 milion shqiptarë që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha se garantimi i të drejtës së votës së emigrantëve ka qenë një prej pikave kryesore të LSI-së për realizimin e reformës zgjedhore. Ai theksoi se pjesëmarrja e tyre nuk ka asnjë pengesë të kapërcyeshme dhe i cilësoi të pavenda pretendimet e nxjerra. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Republikane, Aleksandër Garuli, theksoi se PR-ja do të propozonte për Kodin zgjedhor një paketë të posaçme ligjore për votën e emigrantëve.
LSI
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, në një prononcim për gazetën “Albania” tha se në vitin 2005 LSI-ja, në platformën që i dërgoi partive politike dhe Presidentit të Republikës, theksonte se realizimi i reformës zgjedhore duhet të kalonte pikërisht nga garantimi i votës së emigrantëve. “Propozimi ynë i atëhershëm për një sistem proporcional në Shqipëri kishte parasysh, por mbi të gjitha dhe në radhë të parë pikërisht votën e emigrantëve. Sistemi proporcional i propozuar aktualisht është një sistem, i cili nuk e pengon mundësinë e votimit të emigrantëve sepse votuesit shqiptarë brenda dhe jashtë atdheut duhet të votojnë për partitë përkatëse. Sigurisht që modalitetet e realizimit të votimit të emigrantëve atje ku ndodhen janë krejtësisht të njohura dhe nuk është Shqipëria që do ta realizonte këtë proces për herë të parë në botë, por mund të merreshin eksperienca që fillojnë që nga Iraku në luftë dhe deri te Italia, të cilat ashtu si dhe shumë vende të tjera të botës, mund të realizojnë votimin e emigrantëve. Në momentin në të cilin ndodhemi në Kodin Zgjedhor mund të përcaktohet lehtësisht e gjithë procedura për realizimin praktik të këtij votimi nga ana e emigrantëve shqiptarë”, - tha Vasili. Ai i quajti të pavenda pretendimet e PS-së se vota e emigrantëve është e pamundur për shkak të mungesës së kartave të identitetit apo regjistrit për numrin dhe vendndodhjen e tyre. “Ky është një argument i paqëndrueshëm dhe përveçse shpreh frikë, njëkohësisht është vazhdim i logjikës të pandershme të politikës së partive të vjetra, PS-PD”, - vijoi Vasili. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së tha se nuk mund të lihen jashtë procesit të votimit 1 milion shqiptarë dhe kjo gjë bie ndesh me parimet demokratike. “Shqipëria nuk mund të qeveriset nga pakica vërtet shumë të vogla. Kujtojmë që qeveritë që janë ngritur mbi bazën e 400 mijë votave, ndërkohë që votuesit potencialë do të ishin së paku gjashtë herë më shumë se sa kaq”, - u shpreh ai.
PR
Edhe Partia Republikane ka reaguar dje ndaj të drejtës së votës së emigrantëve. Sekretari i Përgjithshëm i PR-së, Aleksandër Garuli, tha se hartimi i Kodit të ri Zgjedhor duhet të fillojë pikërisht nga garantimi i votës së emigrantëve.
“Sistemi zgjedhor proporcional, i sanksionuar tashmë në Kushtetutë, krijon mundësi praktike, lehtësisht të realizueshme për votimin e emigrantëve tanë në çdo vend ku ata janë rezidentë. Ne që jetojmë brenda kufijve të Republikës nuk kemi asnjë të drejtë t’i përjashtojmë ata nga e drejta për të votuar duke hartuar kode zgjedhore që ua vështirësojnë emigrantëve mundësinë për të votuar. Ata kanë të drejtë të shprehen për politikën dhe qeverisjen e vendit të tyre sepse janë realisht pjesë e përhershme e këtij vendi. Duke e konsideruar lidhjen e emigrantëve me vendin amë si një çështje me rëndësi për të sotmen dhe të ardhmen e vendit, Partia Republikane do të propozojë në Kodin Zgjedhor një paketë të posaçme ligjore për të mundësuar votimin e emigrantëve aty ku ata janë rezidentë”, - u shpreh Garuli.
Pretendimi i PS-së
Për Partinë Socialiste përfshirja në votime e emigrantëve shqiptarë në zgjedhjet e ardhshme konsiderohet si një mision i pamundur. Sipas burimeve zyrtare në PS, ekzistojnë pikëpyetje shumë të mëdha dhe pengesa serioze, të cilat e bëjnë shumë të vështirë pjesëmarrjen në votime të emigrantëve, në vendet ku ata jetojnë dhe punojnë. Tri janë arsyet kryesore të cilat duket se do t’u mohojnë të drejtën e votës emigrantëve shqiptarë në botë: Mungesa e kartave të identitetit, mungesa e një regjistri zyrtar për zgjedhjet dhe problemet që mund të hasen gjatë organizimit dhe zhvillimit të zgjedhjeve.
26 Maj 2008