Presidenti Topi: “Do të ndëshkohen abuzimet me mbivendosjen e pronave”
Shaban Sulçe
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shpall luftë fenomenit të mbivendosjes së pronave, i përhapur veçanërisht në bregdet. Kreu i shtetit, i cili ka vizituar dje qytetin e Himarës, ka shprehur angazhimin e tij maksimal për t’u dhënë fund abuzimeve të grabitjes së pronave. Gjatë takimit me autoritetet vendore, ku merrnin pjesë kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, anëtarët e Këshillit Bashkiak, prefekti, kryetari i Qarkut, deputetë dhe përfaqësues të medias, presidenti Topi shprehu shqetësimin për çështjet e pronësisë në Shqipëri, shkeljet dhe gabimet që janë bërë në këtë drejtim gjatë periudhës së tranzicionit.
Fenomeni
Pas takimit me autoritetet vendore, presidenti Topi ka dalë në një konferencë për shtyp, ku iu është përgjigjur interesit të madh të gazetarëve në lidhje me deklaratën e tij të mëparshme për të luftuar fenomenin e mbivendosjes së pronave. I pyetur nga gazetarët, presidenti Topi tha se kjo deklaratë dhe ky qëndrim kundërshtues ndaj këtij fenomeni nuk do të jetë as i pari dhe as i fundit. Numri 1 i Republikës shpjegoi mënyrën se si do të angazhohej për t’u dhënë fund abuzimeve dhe grabitjeve të pronave të shqiptarëve. “E shoh të rëndësishme që ta ritheksoj që Presidenti i Republikës nuk mban një pozicion ekstraligjor, përkundrazi është garant i gjithë kuadrit ligjor që ekziston në Shqipëri. Me këtë unë nënkuptoj që mbi bazën e kuadrit ligjor ekzistues, edhe kur një ligj i caktuar nuk pëlqehet nga një kategori e caktuar, nga grupe interesi, kjo nuk do të thotë që ky ligj mund të jetë respektuar si i tillë, çka do të thotë që edhe mbi bazën e Ligjit 7501 ka pasur mjaft abuzime. Ka iniciativa edhe në Parlament që po merren për të parë të gjithë titujt e pronësisë mbi bazën e respektimit të Ligjit 7501. Unë fjalën time e kisha pikërisht në këtë kontekst dhe duke diskutuar më gjerë për çështjen e pronësisë, e lidhur pikërisht me atë për të cilën ishim mbledhur sot në Himarë, për çështjen e zhvillimit të turizmit, unë kam pasur, kam dhe do ta kem gjithmonë këtë bindje dhe si unë dhe shumë të tjerë dhe çka është më e rëndësishme, këto mendime vijnë nga komuniteti i profesionistëve që merren me çështjet e zhvillimit të turizmit dhe të mjedisit, se pa konsolidim të titujve të pronësisë nuk do të kishte as hapje të tregut ligjor, pra të komunikimit të njerëzve për të shitur dhe për të blerë tokën”, - u shpreh Topi
Dëmtimi i turizmit
Presidenti u shpreh se nga mbivendosja e pronave në bregdet dhe abuzimet e kryera në këtë drejtim është dëmtuar shumë bregdeti në Shqipëri dhe se për këtë arsye është shumë e nevojshme ndërhyrja. “Për fat të keq, edhe gjatë këtij viti janë ndërtuar të tilla ndërtime që unë i kam konsideruar ndërtime ordinere që nuk janë për turizëm, ato janë vetëm për mbijetesë. Të ndërtosh shtëpi kaq të dobëta duke prishur ambientin, duke prishur ekosistemin dhe duke prishur mbi të gjitha perspektivën e këtij turizmi, kjo mendoj që mbi të gjitha është një përgjegjësi e të gjitha strukturave të shtetit, e pushtetit vendor në mënyrë të veçantë, në mënyrë që të bëjmë një bllok të përbashkët për frenimin e këtyre ndërtimeve abuzive dhe mbi të gjitha për t’i hapur një perspektivë të qartë zhvillimit të turizmit. Unë besoj që, duke konsoliduar titujt e pronësisë do të kemi shansin që të bëjmë edhe masterplane, të bëjmë edhe ndërtimin e projekteve për zona të caktuara që do të jenë detyrimisht të orientuara dhe të kontrolluara nga jashtë shtetit”, - vijoi Presidenti i Republikës.
Akuzat e medias greke
I pyetur nga gazetarët lidhur me akuzat e medias greke, sipas të cilave qeveria shqiptare është e implikuar në abuzimet me pronat në Jug, presidenti Topi tha: “Së pari nuk shoh asnjë lidhje të shkurtër, sepse unë nuk merrem me komentet e gazetave. Kur unë bëj komente për titujt e pronësisë kam parasysh jo vetëm një zonë të caktuar, por të gjithë territorin. Edhe një herë po ju them që nuk i referohem, ndonëse media është një burim shumë i rëndësishëm, Presidenti i Republikës ka burime të tjera informacioni. Kur diskutojmë për abuzime për titujt e pronësisë, nuk mund të specifikojmë një kontingjent të caktuar, sepse, e kam thënë dhe herë tjetër, ku më pak e ku më shumë, janë përfshirë në vite, në të gjithë vitet e tranzicionit. Unë kam akuzuar më shumë drejtpërdrejt komisionet, njësitë e pushtetit vendor, sepse ata kanë qenë përgjegjës të drejtpërdrejtë me abuzimet me titujt e pronësisë, por nuk mund të mohoj as sikurse nuk mund të pohoj, sepse do të ishte e pafalshme që unë të pranoja një fakt të tillë, sepse çështja duhet të shkojë në Prokurori. Unë kam qenë i hapur dhe kam qenë inkurajues që të gjitha kontestimet të mos mbesin kontestime verbale, të mos mbesin si kontestime në ajër, por duhet të depozitohen pranë institucionit të Prokurorisë, institucion të cilin unë gjithnjë e kam mbështetur që t’i bëjë patjetër transparencë të gjitha këtyre momenteve që shkojnë për ndjekje penale në Prokurori”.
26 Maj 2008