Fatmir Limaj akuzohet me sms të falsifikuar!

Mesazhet telefonike mbi bazën e të cilëve është ngritur aktakuza ndaj ish-ministrit të Transporteve janë të falsifikuara “fund e krye”.
Pothuajse e tërë aktakuza ndaj nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limajt, është ngritur duke u bazuar në disa mesazhe telefonike, që EULEX-i pretendon se janë shkëmbyer mes ish-shefit të Kabinetit të Limajt, Endrit Shalës, dhe kompanisë ndërtimore “Tali”.
Gazeta “Zëri” ka siguruar aktakuzën e Limajt, ku përveç deklaratave të ndryshme, dyshimeve të Prokurorisë, vend të konsiderueshëm zënë mesazhet telefonike të Shalës me pronarin e kompanisë “Tali”, Florim Zuka.
Përveç dosjes së aktakuzës, gazeta ka siguruar edhe historitë e telefonatave dhe mesazheve të Endrit Shalës dhe të Florim Zukës.
Këto janë nxjerr nga PTK-ja dhe të njëjtat i janë dorëzuar Prokurorisë së EULEX-it, të cilat dëshmojnë se mesazhet që posedon EULEX-i, të cilat janë të listuara në një dokument që nuk përmbanë asnjë dëshmi dhe vulë të ndonjë institucioni, vijnë në kundërshtim të plotq me mesazhet që Endrit Shala dhe Florim Zuka kanë marrë nga PTK-ja.
Mesazhet e falsifikuara kanë arritur në EULEX nga Zyra e Kryeministrit, Hashim Thaçi. Këtë e pranon edhe vetë kryeministri.
Siç shihet nga aktakuza, "dokumenti" me mesazhet e falsifikuara, para se të bjerë në "dorë" të EULEX-it ka qëndruar paraprakisht te kryeministri Hashim Thaçi./Indeksonline/