Fondi për veriun mund të arkëtoj deri në 90 milionë euro

Marrëveshja e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka saktësuar përqindjen e të hyrave doganore në Jarinjë e Bërnjak, që duhen derdhur në fondin zhvillimor për veriun dhe as jetëgjatësinë e fondit.
Për pasojë, marrëveshjes i kanë dhënë interpretime të ndryshme në Prishtinë e Beograd.
Midis interpretimesh, shuma që do të derdhet në fond mund të jetë nga 6 milionë deri në 90 milionë euro.
Sipas burimeve të “Kohës Ditore”, në fond do të derdhen vetëm të ardhurat nga doganat, akcizat dhe TVSH-ja, të mallrave që do të importojnë nga Serbia në Kosovë nëpërmjet Jarinjës e Bërnjakut kompani të regjistruara në veri të Kosovës.
“Një nga dy çështjet më të ndjeshme në takimin e fundit ka qenë ajo e regjistrimit të bizneseve serbe. Ato do të pajisen pastaj me numër fiskal nga ATK-ja. Vetëm taksat e importeve nga këto kompani dhe taksat e produkteve që kanë destinacion veriun do të shkojnë në fond”, ka thënë burimi i gazetës.
“Shuma e fondit nuk do të jetë më e lartë se 5-6 milionë euro”.
Po sipas këtij burimi, çështje tjetër e ndjeshme që ka mundur edhe ta dështojë takimin dhe marrëveshjen, ka qenë rrjedha e parave që arkëtohen në pikëkalimet në Jarinjë dhe Bërnjak.
Sipas këtij burimi pjesëmarrës në takim, delegacioni serb, i prirë nga kryeministri Ivica Daçiq, ka insistuar që ato të shkojnë drejtpërdrejt në llogarinë e fondit. Por,ka thënë të jetë pajtuar në fund që mjetet fillimisht të evidentohen në thesarin e shtetit./Indeksonline/