Fatmir Mediu jep dorëheqjen, Berisha e pranon pa mëdyshje
Mediu: ”Kërkoj ndjesë, tërhiqem nga qeveria, por jo nga maxhoranca”. Përpara dorëheqjes Mediu takohet me Berishën dhe Topin
Erald Kapri
Qeveria “Berisha” po përballet me ndryshimet e pesta në kabinetin qeveritar. Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, mori përsipër përgjegjësinë morale dhe politike mbi tragjedinë e shpërthimit në fshatin Gërdec dhe paraqiti dorëheqjen e tij. Pasditen e djeshme, rreth orës 15:00, ministri Mediu doli në një konferencë përpara gazetarëve dhe zyrtarizoi dorëheqjen e tij. Ai u shpreh se i kishte paraqitur kryeministrit Sali Berisha dorëheqjen nga kabineti duke marrë përsipër përgjegjësitë e tij institucionale. “Në kushtet e krijuara si një politikan i përgjegjshëm dhe si një prind që e njeh mirë edhe personalisht dhimbjen për këtë që ka ndodhur, edhe pse i zhveshur nga çdo përgjegjësi personale, deklaroj se pak minuta më parë i kam kërkuar kryeministrit të Shqipërisë dorëheqjen time si ministër i Mbrojtjes. Dorëheqja ime është një reflektim politik dhe moral i përgjegjshëm, edhe pse i marrë në kushtet e një mungese të plotë përgjegjësie ligjore dhe institucionale si ministër. Me këtë ndjenjë përgjegjësie dhe në respekt të detyrimeve të mia institucionale dhe morale, deklaroj se do të mbështes fort hetimet e filluara nga organet kompetente për zbardhjen e aksidentit tragjik”, - u shpreh Mediu përpara gazetarëve. Ndër të tjera, ministri Mediu, i prekur nga ngjarja, ka kërkuar falje mbi ngjarjen e fshatit Gërdec, ku një fabrikë e çmontimit të municioneve të rënda shpërtheu. “I dërrmuar nga dhimbja për atë që ka ndodhur, i trishtuar nga humbja e jetëve të pafajshme dhe me një solidaritet të plotë me ata që kanë humbur të afërmit dhe ata që ende ndodhen në kushte të rënda në spital, gjej këtë rast t’ju shpreh të gjithëve atyre që janë prekur nga kjo tragjedi, solidaritetin tim”, - tha Mediu.
Dorëheqja
Kryeministri ka pranuar dorëheqjen e aleatit të tij më të ngushtë në qeveri. Berisha mbajti një konferencë shtypi përpara gazetarëve rreth orës 20:30, ku u shpreh se kishte pranuar dorëheqjen e ministrit Mediu. Kryeministri nuk e bëri të ditur pasardhësin e Mediut, por u shpreh se së shpejti do të bëhet i ditur. Ndonëse dorëheqja e ministrit Mediu është e parevokueshme, kryeministri Berisha ka vendosur që ai ta përfaqësojë vendin në Samitin e NATO-s në Bukuresht në datat 2 dhe 4 prill dhe më pas ai do t’i dërgojë presidentit Topi emrin e ri të ministrit të Mbrojtjes. Gjithsesi, ende nuk dihet axhenda e kryeministrit në lidhje me ndryshime të tjera të kabinet. Mësohet se ministri i Mbrojtjes është takuar gjatë paradites me kryeministrin Berisha, ku qëllimi i këtij takimi ka qenë mundësia e dorëheqjes. Gjatë paradites kryeministri mblodhi Komisionin e Emergjencës, ku në të bëjnë pjesë shumë ministra, midis tyre edhe ministri i Mbrojtjes dhe menjëherë mbas këtij takimi, Berisha ka pasur një takim të zgjedhur vetëm me ministrin Mediu në zyrën e kryeministrit. Axhendën e ditës së fundit si ministër i Mbrojtjes Mediu e ka shfrytëzuar duke u takuar me krerët më të lartë të shtetit. Mbas takimit me kryeministrin Berisha, Mediu është takuar rreth orës 14:00 me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Ministri Mediu ka informuar komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë mbi dorëheqjen e tij. Ministri Mediu u nis drejt ministrisë së tij ku kërkoi edhe organizimin e konferencës për shtyp ky zyrtarizoi dorëheqjen.
Maxhoranca
Fatmir Mediu është përgjigjur mbi interesin e gazetarëve mbi koalicionin qeverisës. Ai u shpreh se 11 deputetët e Partisë Republikane do të mbështesin qeverinë. “Maxhoranca është më e rëndësishme”, - u shpreh Mediu, duke garantuar mbështetjen për qeverinë. Mbështetja e Mediut u duk edhe gjatë fjalës së fundit të tij si ministër i Mbrojtjes. Ai falënderoi kryeministrin Berisha për mbështetjen në këtë situatë të vështirë. “Në mënyrë të veçantë, falënderoj kryeministrin e vendit, Sali Berisha, i cili në çdo moment ka qenë në krye të operacionit dhe me të cilin kemi ndarë këto 72 orë, ndër më të vështirat e jetës sime dhe që në mënyrë të vazhdueshme dhe pa hezitim ka mbështetur të gjitha përpjekjet e Forcave të Armatosura dhe të Ministrisë së Mbrojtjes drejt realizimit të qëllimit të tyre për të qenë pjesë e NATO-s”, - tha Mediu.
18 Mars 2008