E Shtunë, 31 Tetor 2026

MJAFT-i: “Protesta nëse nuk jep dorëheqjen kryeministri”

Lëvizja “MJAFT” ka kërcënuar me protesta në rast se kryeministri i vendit Sali Berisha dhe ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nuk do të japin dorëheqjen. MJAFT-i ka akuzuar si përgjegjës të ngjarjes tragjike të ndodhur në Gërdec qeverinë shqiptare, dhe për këtë arsye ka kërkuar largimin e kryeministrit Berisha. “Në rast se kjo qeveri nuk merr përgjegjësi dhe institucionet përkatëse nuk veprojnë në bazë të ligjit dhe moralit njerëzor, lëvizja “MJAFT” do të organizojë qytetarët në protesta, deri në dorëheqjen e kryeministrit dhe ndjekjen penale të ministrit të Mbrojtjes”, - thuhet në deklaratën për shtyp të kësaj lëvizjeje. “MJAFT”-i ka denoncuar gjithashtu fajësimet dhe justifikimet e përdorua nga ana e kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë.
“Nga ana tjetër jemi të tronditur edhe nga deklaratat justifikuese dhe të turpshme të kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë, të cilët në më shumë se një rast e kanë klasifikuar ndodhinë si aksident dhe në vend që të mbajnë përgjegjësi publike, janë shndërruar në zëdhënës të mortit të radhës. Kujtojmë se ky është precedenti i dytë, që nga tragjedia e ngjashme e Dhëmbanit në Tepelenë, në 2006-n, ku në pushtet ishte po i njëjti ministër. Përballë këtyre fakteve, ministri i Mbrojtjes duhet të ndiqet menjëherë penalisht si fajtori kryesor i kësaj tragjedie dhe kryeministri Sali Berisha duhet të japë menjëherë dorëheqjen, për sa kohë, si kreu i qeverisë, është personalisht përgjegjës për keqqeverisjen që shkaktoi këtë katastrofë njerëzore”, - thuhet në deklaratën e lëvizjes “MJAFT”.

18 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›