Opozita: Berisha dhe Mediu fajtorë për tragjedinë, të japin dorëheqjen
Edi Rama: “Kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes nuk mund të justifikohen”. Ilir Meta: “Qeveria përgjegjëse për ngjarjen. Të largohet Berisha”
Shaban Sulçe
Partitë e opozitës kanë kërkuar dje dorëheqjen jo vetëm të ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, por edhe atë të kryeministrit Sali Berisha. Kryetari i PS-së, Edi Rama dhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, në deklaratat e tyre për shtyp kanë fajësuar si përgjegjëse dhe shkaktare të tragjedisë së Gërdecit qeverinë shqiptare, kryeministrin Berisha dhe ministrin e Mbrojtjes Mediu, duke kërkuar që ata të japin dorëheqjen e menjëhershme.
Rama
Kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se kryeministri Berisha dhe ministri i Mbrojtjes Mediu, duhet t’i paraqesin dorëheqjen e tyre Presidentit të Republikës, në mënyrë që të zbardhet e vërteta e tragjedisë së Gërdecit. “Që e vërteta të zbardhet deri në fund, që llogaritë të bëhen deri në fund, që përgjegjësitë të dalin deri në fund, që kjo tragjedi e pashembullt të bëhet pika e një kthese historike pas 17 vjet pësimesh të pakthyera në mësime dhe që politika shqiptare të mos bëjë politikë me vdekjen, duke u bërë përsëri varrmihëse e së vërtetës, unë i kërkoj kryeministrit e ministrit të Mbrojtjes të ndalojnë çdo deklaratë shfajësuese, të përfundojnë një orë e më parë fazën e emergjencës, duke garantuar plotësisht përcjelljen e trupave pa jetë në banesën e fundit si edhe asistencën logjistike e financiare të familjeve që kanë humbur shtëpitë, dhe pastaj të vënë menjëherë në dispozicion të Presidentit të Republikës dorëheqjen nga detyra”, - tha Rama. Kreu i PS-së vlerësoi bashkëpunimin dhe solidaritetin që opozita ofroi për të përballuar me qetësi situatën kaotike që u krijua ditën e tragjedisë, por, nga ana tjetër, ai denoncoi shfajësimet dhe justifikimet e përdorura nga ana e qeverisë për t’iu shmangur përgjegjësive për këtë ngjarje. “Ne, opozita e sotme e Shqipërisë, nuk bëmë atë që opozita e deridjeshme ka bërë në këtë vend me ulërima, akuza e shpifje sa herë që hija e viktimave të pafajshme ka rënduar kuptimplotë mbi supet e qeverisë. Ne nuk shtuam konfuzionin e panikun me krismat e politikës së vjetër në orët e një tmerri që kërkonte gjakftohtësinë e përqendrimin ekstrem të të gjithë atyre mjekëve, policëve e ushtarëve në një fushë të vërtetë lufte. Ne i dhamë dorën e solidaritetit e të bashkëpunimit qeverisë së vendit për të krijuar kohezionin e domosdoshëm politik në orët e një emergjence që mund të dilte jashtë kontrollit në rast se politika do të merrej me veten e jo me të vdekurit e me të mbijetuarit. Por, për fat të keq, kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, përgjegjësit e drejtpërdrejtë të kësaj katrahure që jehoi në çdo cep të globit, na dhanë këto 48 orë një shfaqje të shëmtuar shfajësimi përmes justifikimesh që fyen inteligjencën e çdo shqiptareje dhe shqiptari”, - tha Rama.
Meta
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Berisha. Meta tha se kryeministri ka përgjegjësi evidente në ngjarjen tragjike të Gërdecit, ndërkohë që theksoi se dorëheqja e Berishës do të ishte e domosdoshme për të lejuar Prokurorinë që të hetonte në mënyrë të paanshme për të vërtetën e kësaj ngjarjeje tragjike. “Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim jam këtu përpara jush për të kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Sali Berisha. Z. Berisha dhe qeveria e drejtuar prej tij kanë një përgjegjësi evidente dhe të pashmangshme për katastrofën e jashtëzakonshme që ndodhi dy ditë më parë në fshatin Gërdec të Vorës. Sepse ata lejuan që një aktivitet i tillë, me rrezikshmëri tejet të lartë për popullsinë, të realizohej pikërisht në një zonë të banuar. Dorëheqja e kryeministrit aktual, z. Berisha, është gjithashtu e domosdoshme me qëllim që Prokuroria të ushtrojë detyrat e saj kushtetuese e të hetojë në mënyrë të paanshme dhe e pandikuar nga presionet e politikës”, - tha Meta. Kryetari i LSI-së deklaroi se forca që ai drejton do të kërkojë në Parlament ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar në lidhje me këtë ngjarje. “LSI-ja njëkohësisht do të kërkojë ngritjen e menjëhershme të një komisioni hetimor parlamentar për të çuar në vend transparencën e munguar mbi këtë çështje dhe për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësit e saj. Në rast se Sali Berisha dhe qeveria e tij nuk japin dorëheqjen dhe nuk marrin përgjegjësitë për një katastrofë të tillë, ato do të vendosin precedentin më të keq, se në këtë vend mund të bësh gjithçka, mund të firmosësh me dorën tënde akte e vendime shkatërrimtare, mund të jesh përgjegjës edhe për katastrofa të këtyre përmasave, por mund të shpëtosh pa marrë asnjë përgjegjësi”, - tha kryetari i LSI-së, Ilir Meta.
18 Mars 2008