E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorëheqja e Mediut, Berisha mbledh të vetët në zyrë

Dorëheqja e ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka vënë në lëvizje kryeministrin Sali Berisha, i cili ka mbledhur pasdite në zyrën e tij disa ministra si dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kryeministri është takuar me disa ministra të kabinetit të tij. Rreth orës 15:45, makina e ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, ka dalë nga Kryeministria. Pak kohë më parë doli edhe makina e kryetares së Kuvendit, Topalli, njëkohësisht nënkryetare e PD-së. Gjithsesi, nuk bëhet e ditur se për çfarë arsye kryeministri Berisha i ka kërkuar këto takime, por dorëheqja e ministrit Fatmir Mediu ka qenë një nga shkaqet e takimit informal të kryetarit të PD-së me zyrtarët e tjerë të Partisë Demokratike. Burime pranë Kryeministrisë bëjnë të ditur se takime të tjera janë zhvilluar mes kryeministrit Berisha dhe ministrave. Mësohet se një takim është zhvilluar edhe me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, si dhe me ministrin e Shëndetësisë, Nard Ndoka. Sipas burimeve, kryeministri ka bërë të ditur për ministrin Olldashi si dhe për nënkryetaren e PD-së axhendën politike të tij, që duket se ka ndryshuar mbas dorëheqjes së ministrit të Mbrojtjes, Mediu. Duket se kryeministri Berisha ka paralajmëruar për ndryshime të tjera në kabinet, por gjithsesi ende nuk bëhet e ditur mbi vendimet që mund të merren në lidhje me përbërjen e kabinetit qeveritar. Ndërkohë që krahas interesit politik të kryeministrit Berisha është mësuar më shumë edhe për zonën e Gërdecit si dhe për gjendjen e të lënduarve në spitalet e vendit dhe jashtë tij.

18 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›