E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDS: “Berisha të japë shpjegime në Parlament”

Partia Demokracia Sociale ka reaguar në lidhje me tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën shumë persona të pafajshëm. Sekretari Politik i PDS-së, Artur Duçkollari, në një konferencë për shtyp tha se përgjegjëse e kësaj tragjedie është qeveria shqiptare dhe i bëri thirrje kryeministrit Berisha që të japë shpjegime në Parlament për ngjarjen. “Nisur nga faktet e reja të publikuara në media rreth tragjedisë së ndodhur, PDS-ja i kërkon qeverisë dhe kryeministrit Berisha të paraqitet me urgjencë në Kuvend për të shpjeguar para deputetëve dhe opinionit publik përgjegjësinë e strukturave shtetërore për ngjarjen e rëndë të Gërdecit. Humbja e jetëve të pafajshme, dëmet materiale dhe imazhi i përbaltur i vendit bëjnë të nevojshme një përgjigje serioze nga kryeministri dhe ministrat e tij”, deklaroi Duçkollari. Në emër të PDS ai i bëri thirrje Prokurorisë që të mos stepet në kryerjen e hetimeve.
“PDS mbështet deklarimet e Presidentit të Republikës për një analizë të detajuar të ngjarjes tragjike të Gërdecit dhe i kërkon Prokurorisë të mos stepet në kryerjen e hetimeve, pavarësisht përgjegjësisë së mundshme të personave konkretë, cilitdo qofshin ata”.

18 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›