E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti sekret, Mediu: Municionet ua lëmë firmave shqiptare, se ka shumë leverdi

Zbardhet deklarimi i ish-ministrit në Komisionin Parlamentar. Gjendja në Ushtrinë Shqiptare rezulton katastrofike
Habjon Hasani
Qeveria shqiptare nuk ka qenë asnjëherë e interesuar që sasia marramendëse e municioneve që gjendet në Shqipëri të demolizohej nga firma amerikane apo kanadeze. Një raport i klasifikuar i Kuvendit të Shqipërisë ka hedhur dritë lidhur me dijeninë nga ana e qeverisë dhe Parlamentit për “fuçitë e barutit” që gjenden anekënd Shqipërisë. Ky raport u konkludua nga Komisioni i Sigurisë Kombëtare, ndërsa filloi punimet kryesisht pas shpërthimeve në Dhemblan të Tepelenës. Sakaq, më 16 nëntor të vitit të kaluar, Komisioni doli me përfundimet e tij, ndërsa dhe fjala e mbajtur nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në mbledhjen e mbyllur, ka dhënë shumë detaje lidhur me gjendjen thuajse katastrofike të municioneve në vend. Ajo që është më e rëndësishme në fjalën e ministrit lidhet me qëndrimin e tij për pajtimin e firmave amerikane apo kanadeze për demolimin e këtij municioni. Mediu ka pranuar haptazi “dilemat” e qeverisë lidhur me mënyrën e menaxhimit të këtyre municioneve. Ai ka shtuar më tej se ndërsa ka oferta nga partnerët amerikanë apo kanadezë për demolimin e tyre, në të njëjtën kohë ekzistojnë shanset për të dalë me fitim nëse ato menaxhohen nga firmat shqiptare, të cilat ishin të interesuara për eksportimin e tyre.
Deklarimi
“Kohët e fundit janë afruar firma, të cilat janë afruar për demolimin, pasi u intereson materiali i ngelur. Ne nisemi me mendimin se po ta bënim vetë çdo të fitonim..., por ne nuk i kemi këto mundësi..., ne do të na bënin nder të madh nëse dikush thjesht të na e merrte gjithë municionin nga territori ynë. Nëse ne u kërkojmë investime amerikanëve apo kanadezëve për financime për demolim në një kohë kur kemi privatë (nënkupton firma vendase) që ofrohen të na i eksportojnë këto municione”. Kështu ka deklaruar ish-ministri i Mbrojtjes katër muaj më parë. Sikurse është e qartë, ministri i dorëhequr vetëm një ditë më parë ka deklaruar se ai vetë, por edhe qeveria, kanë qenë në një “dilemë” të madhe për mënyrën se si do të “hiqeshin qafe” këto municione. Nga deklarata e ministrit del qartë se ndryshe nga sa pretendoi dhe kryeministri (dy ditë më parë), nuk bëhej fjalë për “metodat” profesionale apo variantet e mundshme të demolimit, por bëhej fjalë për dy nocione, të cilat i ndan vetëm një element: FITIMI. Pra është e qartë se kur demolimi bëhet nga amerikanët, të gjitha tonelatat shpërthehen dhe shfarosen. Ndërsa në rastin e firmave shqiptare ato çmontohen e më pas eksportohen. Nuk është e vështirë të dallosh se në rastin e firmave shqiptare eksporti i municioneve sjell në këmbim të ardhura me nëntë zero.
Konkluzionet
Komisioni i Sigurisë Kombëtare doli në konkluzion se municionet janë shumë afër vendbanimeve, rrugëve automobilistike dhe linjave të tensionit të lartë. “Municionet që ruhen në këto depo i përkasin kryesisht moshës 35-40-vjeçare, shumica janë prodhim rus, një pjesë e të cilave prodhuar fill pas Luftës së Dytë Botërore”, - shkruhet e zeza mbi të bardhën në këtë raport. Ndërkohë që ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është dorëzuar totalisht nën dritën e fakteve, duke aprovuar që në fillim të fjalës së tij konkluzionet e errëta të këtij raporti. Por ministri i dorëhequr një ditë më parë ka hedhur dritë edhe në lidhje me problemet madhore që ka ushtria në raport me gjendjen e municioneve. Mediu ka kërkuar nga Komisioni i Sigurisë që të shtohet presioni mbi qeverinë për rikthimin në punë të shumë specialistëve të kualifikuar para vitit 1992 dhe pas vitit 1997 nga NATO, të cilët ishin trajnuar në demolimin e municioneve të rënda. Ai kërkoi nga Kuvendi të bëjë presion mbi qeverinë, që kjo e fundit të marrë iniciativën e një ligji që i jep Ministrisë së Mbrojtjes të gjitha mundësitë për menaxhimin e qindra mijëra tonelata municionesh.

16 NËNTOR 2007
Deklarimi i plotë i Mediut në Komisionin e Sigurisë Kombëtare

Faleminderit për interesin dhe vlerësimin e situatës. Për mua raporti është i arrirë dhe gjendja është e tillë, pasi gjërat duhen thënë ashtu siç janë. Ky sensibilizim në komision duhet të shërbejë për sensibilizimin e të gjitha strukturave shtetërore për rëndësinë e problemit. Ne duhet të punojmë për përmirësimin e tyre. Ne e kemi pasur shkatërrimin e municioneve prioritet të Ministrisë. Ka dy projekte që konsiderohen të suksesshme. Projekti për shkatërrimin e elementëve kimikë. Ne jemi vendi i parë pa armë dhe elementë kimikë. Pavarësisht se po marr një situatë të ministrit të Mbrojtjes, kërkoj mbështetjen tuaj në zgjidhjen e të gjitha problemeve. Ministria e Mbrojtjes duhet të heqë dorë nga qëndrimi i pronarit, pasi municioni është në të gjithë ata sektorë të cilësuar prioritarë, por kanë lënë pas dore probleme të tilla që për nga rrezikshmëria që sjellin për jetën bëhen prioritare. Ne jemi orientuar te shkatërrimi i armatimeve dhe kemi qenë edhe të detyruar të ecim në këtë drejtim politik, pasi ka qenë edhe kriter vlerësimi për zhvillimin e Forcave të Armatosura nga partnerët tanë. Kam nxjerrë një urdhër për të nxjerrë armët dhe municionet efektive. Ka një seri problemesh. Ju përmendët poligonin. Ministria e Mbrojtjes merr pjesë në ndërtime të rrugëve dhe financojmë në pushtetin lokal në mënyrë që ata të na japin leje për të bërë shkatërrimin e municioneve. Mendoj se sensibiliteti që ka vetë politika për këtë problem duhet të rritet. Përsa u përket këtyre poligoneve, disa herë është tentuar për të bërë përcaktimin e poligoneve kombëtare, por propozimet janë hedhur poshtë me justifikime të bukura në dukje. Nëse nuk do të ketë asgjësim të municionit, nuk do të kemi siguri dhe as zhvillim turizmi. Mendoj se këtu duhet marrë një masë dhe do t’u lutesha të na ndihmonit në përcaktimin e poligoneve të shkatërrimit të municioneve. Po ashtu, nuk kemi poligone stërvitjeje. Duhet ndoshta të arrijmë në një mirëkuptim, duke parashikuar fonde në buxhet për asgjësimin e municioneve si dhe të shohim mundësi të tjera. Për shembull, kohët e fundit janë afruar firma, të cilat janë ofruar për demolimin, pasi i intereson materiali i ngelur. Ne nisemi me mendimin se po ta bënin vetë, çdo të fitonim... Por ne nuk i kemi këto mundësi... Do të na bënte nder të madh nëse dikush thjesht të na e merrte gjithë municionin nga territori ynë. Nëse ne i kërkojmë investime amerikanëve apo kanadezëve për financime për demolim në një kohë kur kemi privatë që ofrohen të na... (eksportim). Përsa i përket personelit, sipas kritereve të NATO-s, shpërndarja nuk është më ajo e mëparshme dhe nuk përputhet kjo shpërndarje me atë të depove dhe ne e kemi të pamundur administrimin real të tyre. Trajtimi i veçantë i këtyre punonjësve. Fokusi i Ministrisë, që një pjesë e fondeve që i janë besuar Ministrisë të mos shkojë në funksion të strukturave të reja të FA-së, por në funksion të çështjeve të së shkuarës, duhet kuptuar. Duhet kërkuar që kjo lëvizje të kuptohet nga qeveria, pasi ka të bëjë me rrezikun për jetën. Krijimi i piramidës së gradave na bën që të nxjerrim në rezervë oficerë të specializuar, si do ta zgjidhim. Unë mendoj të parashikojmë një amendament brenda ligjit që për këto grupime specialistësh, batalioni special që shkojë në Irak, po ashtu edhe pilotët të trajtohen në mënyrë të veçantë. Kam kërkuar këtë gjë, por nuk më është kuptuar nga qeveria apo politika. Pilotët e Ministrisë së Mbrojtjes që kryejnë misione të kërkim-shpëtimit paguhen shumë herë më pak se pilotët e Ministrisë së Shëndetësisë apo të Rendit, dhe këtu duhet të sensibilizojmë, pasi është gjynah që këta djem të largohen nga Forcat e Armatosura. Kjo nuk do të thotë të tërhiqemi nga këto pozicione. Të gjitha këto probleme që u ngritën do të jenë pjesë e punës së Ministrisë së Mbrojtjes për vitin që vjen. Do të kërkoj që kuadrin ligjor që kemi të realizohet në praktikë. Ka edhe një zgjidhje: që oficerë të dalë në rezervë të kthehen në punë si nënoficerë, të cilët edhe pse janë në moshë më të madhe se 35-vjeçarët, janë shumë më mirë të specializuar dhe me edukatë ushtarake. Përsa i përket çështjes së ruajtjes së këtyre objekteve me ushtarë profesionistë është e pamundur. Ka dy tendenca: përsa i përket forcës profesioniste, rekrutët që kemi ne sot kanë një seri problemesh si arsimi e shumë të tjera, pasi këta janë njerëzit lehtësisht të kapshëm. Mundësitë në buxhet janë dhënë. Vërtet rritet buxheti 2%, por Ministria e Mbrojtjes duhet të ketë një farë pavarësie për të vendosur prioritetet e veta. Nëse do të heqim një zë këtu e atje, nuk do të zgjidhim punë. Do të doja që këto mendime që diskutuam t’i kthenim në një plan veprimi të Ministrisë së Mbrojtjes. Shtabi nuk i ka ato kapacitete për të qenë nën varësinë e tij, prandaj ia kemi lënë komandës operative. Mendoj të mblidhemi e të biem dakord ju dhe ne sesi të veprojmë. Pasi sado dëshirë të kem si ministër, nëse nuk kam ligjin të më mbështesë, unë nuk veproj dot. Tabloja është e zymtë, pasi e tillë është. Të vëmë specialistët në punë dhe vendimmarrjen e kemi ne.

18 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›