E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatmir Sejdiu, “Qytetar Nderi” në Shkodër

Nderohet me titullin “Qytetar Nderi” në Shkodër presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu. Ky titull i është dhënë nga Këshilli Bashkiak i këtij qyteti. Ai ndodhet në Shqipëri që prej 2 ditësh në një vizitë të parë zyrtarë si president i Kosovës. 

SHKODËR- Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu është nderuar sot në qytetin Shkodrës me titullin “Qytetar Nderi”. Ky titull iu dha Sejdiut me një ceremoni festive në mjediset e Bashkisë së Shkodrës nga Këshilli Bashkiak i këtij qyteti.
Kryetari i Këshillit bashkiak, Bardhyl Lohja, tha se “Presidentit të Kosovës i jepet titulli i lartë “Qytetar Nderi i Shkodrës” me motivacionin “Për vlerat e spikatura intelektuale e patriotike, për rolin dhe kontributin historik në Shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, për ngritjen dhe konsolidimin e institucioneve, për merita të veçanta në vendosjen dhe ruajtjen e Paqes në Rajon”.
Pas dorëzimit të titullit nga kryetari i Bashkisë, Luka, Sejdiu falënderoi për nderimin që iu bë nga qyteti i Shkodrës dhe përmendi vlerat kulturore dhe arsimore të krijuara në këtë qytet, historinë dhe legjendat e saj. Gjithashtu Sejdiu bëri thirrje për një rritje të bashkëpunim midis Kosovës, pasi një bashkëpunim i tillë do të rriste integrimin rajonal drejt vendeve te Bashkimit Evropian.
“Shkodra dhe qytetet e Kosovës duhet të rrisin shpejt bashkëpunimin në të gjitha fushat, mbasi zhvillimi modern nuk mund të bëhet pa hyrë në një proces të madh bashkëpunimi e integrimesh rajonale dhe më gjerë. Besoj se bashkëpunimi edhe me Ulqinin dhe qytetet e tjera të Malit të Zi do të jenë një nxitje për zhvillimin e të dy qyteteve dhe vendeve që kanë synim të përbashkët, ashtu si dhe Kosova, integrimet euroatlantike dhe BE-në”, theksoi Presidenti i Kosovës.
Pas ceremonisë, i shoqëruar nga autoritetet vendore dhe stafi i tij, Presidenti i Kosovës bëri një xhiro në pjacën e Shkodrës, ku u përshëndet me qytetarët shkodranë.
Sejdiu ndodhet në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Shqipëri dhe për herë të parë nën cilësinë e presidentit të Kosovës. (a.r/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›