E Diel, 1 Nëntor 2026

Fatmir Vata, 27 minutat që nuk mjaftojnë për të spikatur

Albania-Sport - Fatmir Vata vazhdon të jetë i detyruar të kënaqet me një rol dytësor në skuadrën e tij gjermane, Arminian e Bielefeldit, pasi shqiptari është aktivizuar për vetëm 27 minuta në humbjen 1-3 që skuadra vendase pësoi të dielën kundër miqve nga Bokumi. Skuadra mike kryesoi që nga minuta e dytë, me një gol të Gekas, i cili vijoi të dyfishonte epërsinë e Bokumit vetëm 8 minuta më pas.
Ndonëse Vishnjarek shkurtoi largësinë e golave për Arminian, në minutën e 26-të, miqtë vijuan të shënonin edhe golin e tretë, në minutën e 51-të me autor Dabrovskin. Kjo ishte në fakt edhe gjendja kur u fut në fushë ish-mesfushori i Kombëtares kuqezi, Fatmir Vata, i cili zëvendësoi në minutën e gjashtë Thërben Marksin. Vata arriti që gjithsesi të spikaste në minutën e fundit të kohës së rregullt, por pasimi i tij i bukur nuk u shfrytëzua sic duhej nga Kristian Zigler, i cili nuk arriti të mposhtte portierin e Bokumit.
Pas dy minutash shtesë, gjyqtari fishkëlleu për përfundimin e ndeshjes, që e lë skuadrën e Arminias në vendin e 12-të, por vetëm 3 pikë larg skuadrës së vendit të fundit, Borusias së Mënshengladbahut. Të shtunën e ardhshme, skuadra e shqiptarit Fatmir Vata, udhëton drejt Kotbusit, për t'u ndeshur me skuadrën e Energies, në kuadër të javës së 24-t të Bundesligës gjermane.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›