Fatmir Xhafaj: “Nuk ka asnjë vendim gjykate kundër hapjes së kutive”
Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, u shpreh dje gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend se nuk ekziston asnjë vendim gjykate që të pengojë hapjen e kutive. Madje sipas Xhafajt as në Kushtetutë dhe as në ligj nuk ka asnjë dispozitë që të parashikojë moshapjen e kutive të votimit. “Pretendimi për moshapjen nga Komisioni Parlamentar Hetimor të kutive zgjedhore do të qëndronte vetëm nëse këtë ndalim do ta urdhëronte një normë juridike (Kushtetuta, ligji etj.), ose një vendim gjyqësor i formës së prerë. Për rastin në fjalë mungon si njëra, ashtu dhe tjetra! Nuk ka asnjë normë juridike që të ketë në përmbajtjen e vet një urdhërim të tillë! Nuk ka asnjë normë të tillë që të ndalojë KH të Kuvendit të këqyrë materialin zgjedhor që gjendet në kutitë e votimit.
Nuk ka asnjë vendim gjyqësor që në përmbajtjen urdhëruese të parashikojë një ndalim të tillë! Përkundrazi”, - është shprehur Xhafaj. Sipas tij, “komisioni hetimor parlamentar nuk parasheh dhe nuk synon të marrë të pandehur askënd; nuk parasheh dhe nuk synon të ngrejë akuza penale ndaj ndokujt; nuk parasheh dhe as nuk synon të kontrollojë apo/edhe të vlerësojë bazueshmërinë në ligj dhe rregullsinë e vendimeve gjyqësore apo të prokurorit; nuk synon dhe nuk ka të drejtë të rishikojë vendimet që ka marrë Kolegji Zgjedhor”. Xhafaj gjithashtu ka shtuar se “komisioni hetimor parlamentar nuk merr dhe as nuk ushtron asnjë prej kompetencave të mësipërme, nuk bën atë që për të cilën janë ngarkuar gjykatat, pra administrimin e Drejtësisë, KHP synon të kryejë të gjitha veprimet procedurale që janë të domosdoshme për t´u informuar për mënyrën e zbatimit të ligjeve gjatë procesit zgjedhor, nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, parandalimin e fenomeneve negative për të ardhmen si dhe amendimin e ligjeve përkatëse”, - është shprehur socialisti Xhafaj.
Seanca parlamentare, PD-PS nuk arrihet kompromisi për kutitë
Maxhoranca: Kushtetuta nuk lejon transparencën e plotë
Deputetët e PS-së: Berisha pengon hetimin e zgjedhjeve
Socialistët dhe demokratët nuk kanë arritur kompromisin për hapjen e kutive të zgjedhjeve edhe gjatë seancës së djeshme parlamentare, e cila ishte cilësuar si afati i fundit për gjetjen e zgjidhjes së krizës politike në vend. Të dyja kampet e politikës kanë qëndruar për orë të tëra debati në llogoret e tyre duke mos lëshuar pe nga qëndrimet e tyre. Kështu, socialistët, duke iu referuar Kushtetutës, vendimeve të gjykatave dhe ligjeve të vendit, kanë kërkuara transparencën e plotë të procesit zgjedhor si e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund krizës dhe për të hapur rrugën amendimit të Kodit Zgjedhor. Deputetët socialistë e kanë cilësuar të domosdoshme hapjen e kutive të votimit për të zbuluar skenarin e manipulimit të zgjedhjeve duke mos lejuar që ky skenar të realizohet në zgjedhjet e ardhshme. Madje ata janë shprehur se nuk ka vendime gjykate që nuk lejojnë hapjen e kutive. Ndërsa deputetët demokratë dhe veçanërisht kryeministri Berisha, ka mbrojtur tezën e moshapjes së kutive, pasi sipas tij, kjo bie ndesh me Kushtetutën e vendit, pasi shkelet parimi i ndarjes së pushteteve dhe, sipas tij, Kuvendi merr atributet e Prokurorisë apo të pushtetit gjyqësor. Nuk kanë munguar debatet dhe akuzat e ndërsjella ndaj njëri–tjetrit, ndërkohë që seanca ka zgjatur me orë të tëra, pa arritur në një marrëveshje për të dalë nga kriza.
Socialistët
Deputetët socialistë e akuzuan Berishën se është ai që pengon hapjen e kutive dhe jo Kushtetuta apo ligji. Socialisti Dokle e cilësoi rastin e manipulimit në Ruzhdie një krim elektoral që është i shtrirë në të gjithë vendin. “Rasti i Ruzhdies është vetëm një pjesë e vogël e krimit elektoral. Qeveria dhe kryeministri nuk e pranojnë transparencën dhe hapjen e kutive sepse e dinë mirë çfarë ato kanë. Ai që akuzohet për vjedhje, kur është i ndershëm, tregon xhepat”, - është shprehur Dokle. Ndërsa Majko e cilësoi situatën ku ndodhet vendi një numërim për së mbrapshti që do të sjellë pasoja dhe në proceset integruese të vendit. Duke iu referuar deklaratave të ndërkombëtarëve, Majko bëri thirrje që të bëhet transparenca e plotë e procesit zgjedhor. “Sot ndodhemi përballë një numërimi mbrapsht përballë kërkesës së ndërkombëtarëve që kërkon bashkëpunim. Në PE grupi liberal po ju thotë hapur që transparenca e zgjedhjeve duhet të jetë e plotë. Pritshmëria për këtë seancë sot është gjetja e një konsensusi që të garantojë mirëbesimin për zgjedhjet që vijnë. Hetimi për zgjedhjet e kaluara është baza e mirëbesimit që në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri nuk do të preket më vota. Ne nuk vëmë në diskutim vendimet e KQZ-së dhe ato të Kolegjit Zgjedhor. Legaliteti i Parlamentit është i pakthyeshëm dhe i pahetueshëm. Hetimi parlamentar nuk është i barasvlershëm me hetimin e Prokurorisë”, - është shprehur Majko. Ai tha se nuk mund të ketë reformë zgjedhore dhe ndryshim të Kodit Zgjedhor pa ditur se si është bërë manipulimi i zgjedhjeve. “Si mund të fillojmë ne një reformë zgjedhore nëse nuk do të kemi një hetim të plotë për zbatueshmërinë e Kodit Zgjedhor? Ne nuk kërkojmë të hetojmë rezultatin e zgjedhjeve. Ne nuk duam të penalizojmë askënd. Hetimi parlamentar nuk ka të bëjë me çuarjen në prokurori të askujt”, - është shprehur Majko.
Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, bëri të qartë se synimi i PS-së është që të negociojë në gjetjen e zgjidhjes nëpërmjet debatit konstruktiv, dhe jo nëpërmjet demagogjisë, ndërsa e akuzoi Berishën se po shfrytëzon kohën e tij për të bërë demagogji pa ofruar zgjidhje. “Ne kemi kulturën politike të të drejtohemi: Zoti kryeministër, këmbët mbaji në tokë, mendjen në kokë, Shqipëria është në krizë dhe kjo përgjegjësi është e juaja. Ne do të përdorim të gjitha argumentet tona për t’ju thënë se ky argument ka zgjidhje dhe pengesa është mungesa e vullnetit tuaj politik”, - është shprehur Ruçi.
Kryeministri
Argumentet për moshapjen e kutive nga ana e maxhorancës i ka dhënë kryeministri Berisha. Ndërsa ka përsëritur dhe njëherë se PD-ja i ka bërë favor PS-së duke i ofruar shumicën në komisionin hetimor parlamentar, Berisha theksoi se nuk do të pranojë hapjen e kutive të votimit. Kryeministri u shpreh se ky është atribut i Prokurorisë. Ai i bëri ofertë PS-së që Kuvendi të paguajë 100 prokurorë që të hetojnë procesin zgjedhor. “Ne bëjmë amendime të Kushtetutës dhe të mobilizojmë Prokurorinë. Por ne nuk mund të marrim atributet e prokurorëve dhe gjykatësve. Hajde të bëhemi të arsyeshëm! Hajde të ndryshojmë gjërat, por jo parimet themelore. Kjo është republikë që bazohet në ndarjen e pushteteve. Doni t’i hetoni zgjedhjet? Ky shtet i ka të gjitha instrumentet për hetimin e plotë të tyre. Por ju s’doni hetim, sepse ju nuk keni asnjë fakt të vetëm. Shumicën në komision jua kam ofruar unë. Ju jeni juristë dhe e dini se disa veprime mbeten në histori. Hajde të bëjmë një ligj që Parlamenti të paguajë 100 prokurorë që të shpejtojë procesin e hetimit nëse ju keni dokumente. Të bëjmë transparencë të plotë me mjetet kushtetuese”, - është shprehur Berisha. Ai u përpoq të bënte diversion duke marrë në mbrojtje komisionerët e PS-së që, sipas tij, po akuzohen nga vetë PS-ja. “Opozita t’i lërë teoritë e akuzave monstruoze ndaj komisionerëve të saj. Nuk ka gjë më të rëndë sa ta shndërrojmë këtë seancë në një gjyq ndaj komisionerëve socialistë, të cilët përmbushën me ndërgjegje shoqërore dhe përgjegjësi ligjore detyrën e tyre para programit të partisë së tyre si dhe ligjeve të vendit”, - është shprehur Berisha.
19 Mars 2010