E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qeveria shqiptare në gjyq me disa kompani të rëndësishme ndërkombëtare



Gjatë gati 5 viteve në pushtet, qeveria “Berisha” është paditur nga disa kompani të rëndësishme ndërkombëtare, kryesisht për prishje të njëanshme të kontratave që këto kompani kanë nënshkruar më qeverinë e mëparshme të socialistëve. Janë disa kompani të huaja të rëndësishme që kanë paditur qeverinë shqiptare dhe që presin miliona dollarë dëmshpërblim nga Shqipëria.
Petrolifera italiane
Kaosi në hipotekat shqiptare ishte arsyeja kryesore pse qeveria shqiptare është në gjyq ndërkombëtar me kompaninë italiane “Petrolifera”. Mes kësaj kompanie dhe qeverisë shqiptare është lidhur një kontratë që parashikon që 183 mijë metra katrorë sipërfaqe në qytetin e Vlorës t’i shiten kësaj kompanie me 1 euro m2. Ky territor do të përdorej për ngritjen e disa depozitave të naftës në këtë zonë. Kushti kryesor i kësaj kontrate shitjeje ishte që Petrolifera të kryente një investim prej afro 12 milionë eurosh në infrastrukturën e Portit të Vlorës. Por, teksa ambienti do t’i shitej kompanisë italiane, në zyrat e hipotekës u vërtetua se në këtë zonë pronare nuk ishte vetëm qeveria shqiptare, por edhe shtatë familje vlonjate. Këtu nis odiseja e mbivendosjes së pronave. Sipas afatit ligjor, Petrolifera duhej ta kishte nisur punën që në janar të vitit 2004. Por kompania italiane, në qershor të vitit 2006, u është drejtuar institucioneve ndërkombëtare për të gjetur të drejtën e saj. Në qershor të vitit 2006 shteti shqiptar njoftohet se është në proces gjyqësor me këtë kompani. Kompania “Petrolifera” i kërkon qeverisë shqiptare zbatimin e kontratës duke i dhënë në pronësi 183 mijë metra katrorë sipërfaqe tokë në këtë zonë, si dhe kërkon fitimin e munguar për një periudhë 2-vjeçare. Në shkurt të vitit 2007 Avokatura e Shtetit i propozoi Petroliferës të tërhiqet nga gjyqi dhe të rinegociojnë edhe një herë termat e referencës së kontratës.
Kompania daneze “Rhade Nielsen”
Në vitin 2004, qeveria lidh një kontratë me kompaninë daneze “Rhade Nielsen” me një shumë prej afro 2 milionë eurosh. Projekti kishte të bënte me gërmimin dhe pastrimin e bazamentit në Portin e Durrësit, dhe konkretisht të zonës ku ndalojnë dhe shkarkohen anijet në port. Gërmimi i këtij ambienti bëhet pasi ngrihet niveli i tokës pranë portit dhe kjo ndikon në uljen e tonazhit të anijeve. Por, pasi u lidh kontrata, kjo kompani nuk u duk më në Shqipëri. Më pas shfaqet dhe fillojnë punimet, që kanë ecur shumë ngadalë për shkak se pajisjet që u morën me qira nuk ishin në nivelin e duhur. Gjatë gërmimeve kompania gjen disa predha të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore. Kaq mjaftoi që kompania të tërhiqej dhe ushtria shqiptare të niste pastrimin e zonës. Ekspertiza nxori se predhat nuk ishin të rrezikshme. Pasi rikthehet mjeti pastrues në ujërat e Adriatikut merr flakë anija dhe digjet. Afati i punimeve zvarritet dhe në vitin 2006 qeveria shqiptare i lë një afat kësaj kompanie për të përfunduar punimet, por ky afat nuk respektohet nga kjo kompani. Qeveria shqiptare nuk ka përfunduar kryerjen e pagesave ndaj kësaj kompanie duke i mbetur rreth 900 mijë euro borxh. Qeveria shqiptare detyrohet të prishë kontratën, ndërsa kompania nis proces gjyqësor me pretendimin për prishje kontrate në mënyrë të njëanshme, prishje imazhi, dhe kërkon 6 milion euro dëmshpërblim. Avokatura e Shtetit shqiptar i kundërpërgjigjet me padi kësaj kompanie për zvarritje kontrate duke e komplikuar më tej procesin gjyqësor.
Kompania turke “Behashe”
Kompania turke “Behashe” do të rikonstruktonte rrugën Peqin-Elbasan. Kontrata është lidhur që në vitin 1998. Kjo kompani kryen punimet kryesore të projektit, por punimet zvarriten duke thyer afatet ligjore të parashikuara në kontratë. Qeveria shqiptare, pasi i vendosi disa herë afate për të përfunduar punimet, por këto afate nuk u zbatuan asnjëherë, ndaj dhe qeveria vendosi t’i sekuestrojë pajisjet e punës kësaj kompanie. Të drejtën për përfundimin e punimeve të rrugës qeveria shqiptare ia jep një kompanie tjetër, e cila përfundon në kohë pjesën e mbetur të segmentit rrugor. Kompania turke nis proces gjyqësor me pretendimin se u janë bllokuar pajisjet padrejtësisht dhe për prishje kontrate të njëanshme. Vetëm për bllokimin e pajisjeve kompania “Behashe” kërkoi 20 milionë euro dëmshpërblim.

19 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›