Sot, në Tiranë, komisioneri Fule, ndërsa Berisha zvarrit gjetjen e zgjidhjes së krizës
Sot pritet të vizitojë Tiranën një delegacion i lartë i Komisionit Europian, që kryesohet nga komisioneri për Zgjerimin Europian, Stefan Fule. Vetëm një ditë më parë Fule u bëri apel politikanëve shqiptarë që të gjejnë zgjidhjen e krizës politike në vend para vizitës së tij në Tiranë. Por, gjatë seancës së djeshme, kryeministri Berisha dhe maxhoranca demokratike u përpoqën të zvarritin gjetjen e zgjidhjes politike në vend, pavarësisht kërkesës së Fules. Burimet bëjnë të ditur se taktika e ndjekur nga Partia Demokratike është e tillë që, gjatë bisedimeve që do të zhvillohen gjatë ditës së sotme me komisionerin Fule, t’i bëhet e ditur atij se PD-ja është e gatshme të negociojë dhe se i ka ofruar opozitës shumicën në Komisionin Hetimor Parlamentar, por se maxhoranca nuk mund të lejojë të shkelë Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Sipas burimeve, pritet t’i bëhet e qartë komisionerit për Zgjerim se kërkesat e PS-së për hapjen e kutive janë antikushtetuese. Ndërkaq, nga Parlamenti Europian, vetëm një ditë më parë erdhën mesazhe për politikën shqiptare dhe veçanërisht për qeverinë, së cilës i kërkohet transparencë e plotë e procesit zgjedhor. Por qëndrimet diametralisht të kundërta të dy partive politike pritet të diskutohen edhe gjatë takimeve të sotme që Fule do të zhvillojë me kryeministrin Berisha, me kryetarin e PS-së, Rama si dhe me Presidentin e Republikës, Bamir Topi.
19 Mars 2010