E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fino, Berishës: “Në 97-n ti qaje në prehrin e Ngjelës”

Berisha, debat të ashpër me Finon për ngjarjet e 97-s. Kryeministri: “Pushtetin ua dhashë unë, nuk e fituat”

Seanca për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar gjeneroi në debate të ashpra personale mes kryeministrit Berisha dhe deputetit socialist Bashkim Fino. Të dy politikanët i janë rikthyer kohës kur kanë punuar bashkë në vitin ‘97 dhe kanë hedhur akuza ndaj njëri-tjetrit. Kryeministri Berisha e akuzoi Finon se në kohën kur ka qenë kryeministër ka dashur të largohet nga Shqipëria nga frika e bandave, ndërsa ai, në postin e Presidentit të Republikës në atë kohë, e ka detyruar që të qëndrojë në detyrë. Ndërsa Fino, në replikë, i tha Berishës se e ka ndihmuar në atë periudhë të vështirë të jetës së tij, kur qante në prehrin e Spartak Ngjelës. Debati mes dy politikanëve përfundoi në ofendime ndaj njëri-tjetrit për shkak se Fino i tha Berishës se gjysma e shqiptarëve e ndjekin me fanatizëm, ndërsa gjysma tjetër e urren.
Debati
Në fillim të fjalës së tij, socialisti Fino i kërkoi Berishës që të mos bëjë shurdhin ndaj kërkesës së opozitës për të hapur kutitë. Ai tha se kutitë nuk hapen vetëm se nuk do Berisha dhe jo se nuk e lejon Kushtetuta. Fino tha se edhe deputetët e PD-së jashtë sallës së Kuvendit janë pro hapjes së kutive, ndërsa në sallë kanë frikë të flasin nga kryetari i tyre. Ai e krahasoi këtë regjim me regjimin komunist duke iu drejtuar Berishës se edhe ai në atë kohë ishte me shokun Enver vetëm për shkak të frikës. “Dje ju vrisnit për shokun Enver për shkak të frikës që kishit ndaj tij. Por dashuritë me frikë nuk zgjasin shumë”, - është shprehur Fino.
Kjo solli reagimin e ashpër të Berishës, i cili e akuzoi Finon se në ’97-n e ka mbajtur me pahir në postin e kryeministrit, pasi ai donte të largohej nga Shqipëria. “Viti ‘97 ka qenë një vit i vështirë, kur banda, shtabet dhe rebelët u ngritën me rebelim; kur u sulmua Presidenca, rebelët morën atë që merituan; kur të sulmuan ty, desh ia mbathe dhe s’të lash të lëvizje vendit. Ke nga këta këtu që kanë ikur me rroba grash nga Shqipëria. Unë të vura kurorë, të bëra dhëndër të demokracisë. Ti përmende Enver Hoxhën, por ti ke gjenet e Enver Hoxhës”, - është shprehur Berisha. Ai shtoi se ndihet krenar për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri. “Atë që pësoi komunizmi shqiptar nga Sali Berisha, ajo mbetet një nga veprimet më të goditura të miat. Ti ishe kryeministër okazional. Nëse kërkesat i bazoni mbi kërcënimin, ju duhet t’i bëni mirë llogaritë. Ty s’të beson më as grupi yt. Të gjitha mjetet kushtetuese do të jenë në mbrojtje të shtetit ligjor. Kjo tribunë nuk përdoret për të kërcënuar”, - është shprehur Berisha.
Duke iu drejtuar deputetëve të PS-së, kryeministri tha se ata nuk e merrnin dot kurrë pushtetin në vitin 1997. “Ju s’e merrnit kurrë pushtetin në ’97-n. Pushtetin jua lashë unë. Nëse ju ka ngelur në mendje ’97-a, dilni provojeni që nesër”, - është shprehur Berisha.
Më pas ka replikuar socialisti Fino, i cili, duke iu referuar ’97-s, përgënjeshtroi kryeministrin Berisha. “Zoti kryeministër, të gjitha ato që thatë ishin vetëm shpifje dhe trillime. Unë fola për një kohë të vështirë që kemi kaluar bashkë, ndërsa tani kemi mundësi të bëjmë dialog dhe të shohim kutitë. Nuk ju kërkoi njeri pushtetin. Ndërsa ju përmendët banda. Po nëse përmendni banda, dijeni se dilni i humbur me mua. Sepse unë vija nga Gjirokastra. ǒpunë kishin bandat me mua?! Bandat kishin punë me ty. Ti kishe mundësi të ikje, sepse ishe i mbyllur me tanke si në Big Brother. Unë isha në lëvizje në gjithë Shqipërinë. Të gjithë njerëzit donin kryeministrin e Qeverisë së Pajtimit Kombëtarë. Unë do të jem kryeministër dhe ministër, por asnjëherë ministri i qeverisë tënde. Unë ato ditë të vështira të kam ndihmuar dhe të kam ndjerë si president, edhe kur qaje, kur të mbante kokën Spartak Ngjela në prehër. Të kam ndihmuar edhe nga ministrat tuaj Imami e Pollo”, - është shprehur Fino.

Bosh: “Duhet të gjendet doemos kompromisi mes palëve”

Pak orë para se të niste seanca e Parlamentit, politika shqiptare ka marrë një apel nga përfaqësuesi i OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosh. Ambasadori i OSBE-së në vendit tonë, Robert Bosh, u shpreh dje në mesditë, gjatë një vizite në qendrën rajonale të OSBE-së në Kukës, besimin se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste do të arrijnë kompromisin në Parlament. Sipas ambasadorit Bosh, debatet dhe zgjidhjet në politikë vijnë vetëm brenda sallës së Parlamentit. “Jam optimist për zgjidhjen në Parlament. Kam thënë se ngërçi zgjidhet vetëm në Parlament”, - është shprehur Bosh. Duke iu referuar deklaratave nga pozita dhe opozita se janë gati për kompromis, Bosh shton se “të dyja partitë thonë se janë të gatshme për kompromis, por ende nuk është e qartë se çfarë duan të thonë me këtë”. Sipas tij, “ditët e fundit kanë qarkulluar shumë propozime interesante për zgjidhjen e krizës”. Në këtë pikë Bosh thotë se, kompromisi do të arrihet, pasi nuk ka një rrugë tjetër. “PS-ja duhet të mbetet në Parlament e aty t’i shprehë mendimet e propozimet e saj”, - tha ai, duke shtuar se “për këtë ne inkurajojmë të dyja palët se nga kjo do të ketë vetëm fitimtarë”.

19 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›