E Shtunë, 31 Tetor 2026

Saimir Tahiri: “Kutitë janë hapur nga PD-ja në 2005-n”



Deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, bëri të ditur gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvend se Partia Demokratike ka votuar pro hapjes së kutive të votimit në komisionin hetimor parlamentar të vitit 2005. Ai u shpreh se me kërkesë të komisionit hetimor parlamentar kutitë janë hapur nga KQZ-ja dhe materialet zgjedhore ende nuk i janë kthyer Komisionit Qendror Zgjedhor, por se gjendet ende në zyrat e Kuvendit.
“Në 2005-n Partia Demokratike vendosi hetimin e zgjedhjeve. Komisioni hetimor në atë vit nga kjo maxhorancë urdhëroi hapjen e kutive me miratimin e zotit Patozi dhe zotit Nishani. Jo vetëm KQZ-ja ka hapur kutitë me urdhër të Komisionit Hetimor, por këto materiale nuk i janë kthyer kurrë KQZ-së dhe i keni ju në zyrat e Kuvendit. Kjo maxhorancë tani refuzon të bëjë transparencë të procesit zgjedhor. Maxhoranca nuk ka vullnet politik të hetojë zgjedhjet, jo se e pengon Kushtetuta. Parlamenti nuk rrëzon as vendimet e KQZ-së, as vendimet e Kolegjit Zgjedhor dhe as rezultatin e zgjedhjeve. Por rrëzon skenarin tuaj të manipulimit të zgjedhjeve të ardhshme”, - është shprehur Tahiri. Pas tij ka reaguar ministri Nishani, i cili u shpreh se nuk janë hapur asnjëherë kutitë e votimit dhe bëri thirrje që të zbardhet procesverbali i Komisionit Hetimor për zgjedhjet e vitit 2005. “Përgënjeshtroj dhe e cilësoj si krejt të pavërtetë për veprimtarinë e Komisionit Hetimor të vitit 2005. Ekzistojnë procesverbale konkrete dhe i jap të drejtë kujtdo të verifikojë se në asnjë rast nuk ka pas hapje kutish”, - është shprehur Tahiri.

19 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›