Ambasadorët, tryezë për ligjin e SHISH-it: “Shërbimi Informativ të jetë u pavarur nga politika”
Eljona Ballhysa
Ambasadorët e vendeve të BE-së dhe ambasadori amerikan në Tiranë organizuan dje një tryezë diskutimi për projektligjin për funksionimin e Shërbimit Informativ Shtetëror. Në këtë tryezë diskutimi ambasadorët kërkuan që Shërbimi Informativ Shtetëror të funksionojë si një institucion i pavarur nga politika. Ata kërkuan që reforma e ndërmarrë nga qeveria për këtë institucion të mos jetë e nxituar, ndërkohë që theksuan nevojën që ky draft të marrë ekspertizën ndërkombëtare. Të pranishëm në tryezën e djeshme ishin ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Withers, ambasadori i OSBE-së, Bosh, ambasadorja e Britanisë së Madhe, Mekëllham, si dhe dy ish-presidentët Mosiu dhe Meidani.
Apeli
Gjatë fjalës së tij ambasadori amerikan Withers u shpreh se me qëndrimin e tij nuk kërkon të nxisë më tej kundërshtitë ndaj projektligjit, por kërkon të kontribuojë për të gjetur një zgjidhje. “Zgjidhja është e nevojshme për Shqipërinë në rrugën e saj demokratike”, - është shprehur Withers. Sipas tij, funksioni që ka Shërbimi Informativ Shtetëror është shumë i ndjeshëm dhe ka si funksion sigurinë në vend, prandaj SHISH duhet të jetë i pavarur nga politika. “Duhet të sigurohemi që sa herë të kërkohen masa të brendshme të ndërmerren të çliruara nga ndikimet politike. Pra Shërbimi Informativ Shtetëror të jetë i pavarur prej saj”, - është shprehur Withers, i cili theksoi dhe njëherë nevojën që drafti i miratuar një ditë më parë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare nga deputetët e maxhorancës të marrë ekspertizën e ndërkombëtarëve para se të kalojë për miratim në seancë parlamentare. “SHISH duhet të ketë reputacion të fortë profesional, i cili arrihet nga reformat që do të merren për të. Besoni te miqtë dhe lejojini t’ju ndihmojnë, pasi ne jemi gati t’ju ofrojmë të gjitha shërbimet që reformimi i SHISH-it të bëhet sa më mirë”, - theksoi Withers. Ndërsa ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh, është shprehur se shqetësimet që ata kanë në lidhje me ligjin e SHISH-in ia kanë shprehur qeverisë. Sipas tij, ata nuk kanë shumë të qartë se çfarë ndryshimesh janë bërë në të. “Nuk dimë ndryshimet e miratuara, nuk kemi parë versionin e rifreskuar të projektligjit që ka rëndësi shumë të madhe. Shqetësimet tona ia kemi paraqitur qeverisë pasi në të mungon edhe dallimi mes policisë dhe SHISH-it”, - është shprehur Bosh. Ndërsa ambasadorja britanike Mekëllham është shprehur që institucioni i SHISH-it ka nevojë edhe për reforma të tjera. “Duhet t’i jepet më shumë rëndësi institucioneve. Ndarja e pushteteve ka rëndësi kritike në një vend demokratik”, - është shprehur ambasadorja britanike në Tiranë.
18 Mars 2010