Dhunoi fotografin, Mumajesi në polici
TIRANE - Shoqërohet në Komisariatin nr. 1 këngëtari Flori Mumajesi, pas denoncimit për dhunë ndaj fotoreporterit të gazetës “Panorama”, Erdi Mara. Burime zyrtare të policisë thanë se shoqërimi i këngëtarit Mumajesi, është bërë për llogari të hetimeve që po zhvillohen lidhur me incidentin që ndodhi 3 ditë më parë te kompleksi “Mai Tai” në periferi të Tiranës. Kantautori Mumajesi është shoqëruar dje në orën 19:00 në cilësinë e personit në hetim, ku ka dhënë deklarime për ngjarjen. Hetuesit e policisë thanë se këngëtari Mumajesi është mbajtur për mëse 2 orë e 30 minuta për t’i marrë deklarimet në lidhje me ngjarjen. Ai është denoncuar në rajonin e policisë nga fotoreporteri Erdi Mara. Ky i fundit iu drejtua policisë, pasi është përballur me dhunën fizike dhe verbale në një kohë kur po kryente detyrën e tij. Ngjarja për të cilën është shoqëruar në komisariat kompozitori Flori Mumajesi ka ndodhur gjatë mbrëmjes së mërkurë në kompleksin “Mai Tai”, ku ishin të ftuar artistë dhe gazetarë në promovimin e videoklipit të fundit të Çiljeta Xhilagës. Këngëtarja kishte rezervuar një ftesë edhe për fotoreporterin Erdi Mara, i cili do të ndiqte momente të veçanta gjatë këtij aktiviteti artistik. Por gjatë detyrës së tij Mara është përballur me dhunën e ushtruar nga Flori Mumajesi, i cili ka dëmtuar aparatin fotografik si dhe ka qëlluar me grushte. Në prani të disa artistëve të tjerë, Mumajesi i ka hequr aparatin nga dora të dëmtuarit Erdi Mara duke e përplasur në tokë. Pas kësaj Mumajesi ka qëlluar me grushte derisa rojat e sigurisë kanë ndërhyrë, duke e nxjerrë në ambientet e jashtme. Pas kësaj ngjarje fotoreporteri Mara i është drejtuar policisë në Komisariatin nr. 1, ku ka bërë një kallëzim ndaj Mumajesit. e.d