E Diel, 1 Nëntor 2026

Fatmira Hajdari rrëzon Baren për gjykim të shkurtuar

Procesi Reagon avokati Vladimir Meçi: Gjyqtarja paragjykon çështjen, duhet të përjashtohet

Gjykata e Krimeve të Rënda ka hedhur poshtë kërkesën e Aldo Bares për gjykim të shkurtuar. Vendimi u dha në seancën e radhës, e cila u zhvillua dje. Trupi gjykues i kryesuar nga Fatmira Hajdari tha se “gjykata pasi u konsultua me provat e paraqitura, si dhe me kërkesën e të pandehurit Aldo Bare, doli në përfundimin se kërkesa e të pandehurit të mos pranohet, sepse akuza nuk mund të provojë aktet”. Menjëherë pas vendimit të gjykatës, ka reaguar dhe avokati i të pandehurit, Vladimir Meçi. Ai tha se “ndodhemi në kushte shumë të vështira për të vazhduar procesin, sepse trupi gjykues e paragjykon atë”. “Në këtë situatë të krijuar, duke pasur të gjithë tagrin nga i pandehuri Aldo Bare, unë kërkoj përjashtimin e trupit gjykues nga gjykimi i këtij procesi”, deklaroi Meçi. Pas kërkesës së avokatit të Aldo Bares, gjykata vendosi ndërprerjen e seancës dhe pezullimin e afateve të paraburgimit për të pandehurin. Ndërkohë që seanca e radhës do të zhvillohet pasi të shqyrtohet dhe të merret vendimi për kërkesën e të pandehurit. Kjo është e dyta kërkesë që i hidhet poshtë Aldo Bares nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Kërkesa e parë u zhvillua para disa javësh. Bare, me anë të avokatit të tij, kërkoi pavlefshmëri të procedurave, sepse sipas pretendimit të tij i kishte kaluar afati i paraburgimit dhe i gjykimit. Kjo kërkesë u hodh poshtë nga gjykata ndërkaq që pas saj, Aldo Bare kërkoi gjykim të shkurtuar, duke tentuar në këtë mënyrë që t’i shpëtonte burgimit të përjetshëm. Por dhe kjo kërkesë, ashtu si e para, u hodh poshtë nga gjykata në seancën e djeshme, duke prerë në mes shpresat e Aldo Bares për t’i shpëtuar burgimit të përjetshëm.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›