Mbrojtja nga erozioni, nis studimi i bregdetit
Vija bregdetare shqiptare, nga Velipoja deri në Nartë, do të mbahet nën vëzhgim dhe përmes një studimi do të vlerësohen të gjitha mundësitë se si të ruhet nga erozioni. Për këtë qëllim është ngritur edhe një grup pune i përbërë nga shkencëtarë të Akademisë së Shkencave, si dhe profesorë të Universitetit Politeknik të Tiranës. Njëkohësisht është dhënë porosia që të gjitha institucionet shtetërore që kanë lidhje me këtë çështje dhe disponojnë të dhëna, do t’i vënë ato në dispozicion të këtij grupi pune, në mënyrë që studimi të përfundojë sa më shpejt.
Kryeministri Sali Berisha ka mbledhur dje posaçërisht për këtë çështje grupin e studimit, për marrjen e masave për mbrojtjen e zonës bregdetare nga erozioni detar. Sipas përfaqësuesve zyrtarë të Kryeministrisë, bëhet e ditur se studimi që do të përfshijë zonën bregdetare nga Velipoja deri në Nartë do të evidentojë gjendjen e vijës bregdetare, në veçanti plazhet. Sipas tyre, ky studim do të jetë konkret, kompleks, utilitar dhe do të japë rekomandime për vendimmarrje.
“Lidhur me shqetësimet nga kërcënimet gjithnjë e në rritje të erozionit detar, i cili dëmton drejtpërdrejt aktivitetet ekonomike, turistike, për infrastrukturën, për mbrojtjen e mjedisit dhe të vlerave kulturore e natyrore, Kryeministri Berisha, në një takim me disa ministra të kabinetit, si dhe me shkencëtarë të fushës përkatëse nga Universiteti Politeknik dhe Akademia e Shkencave, organizoi një diskutim dhe shtroi detyrën për të ndërmarrë një studim të menjëhershëm, konkret dhe multidisiplinor”, thuhet në qëndrimin zyrtar të Këshillit të Ministrave.
çështjet kryesore ku do të përqendrohet studimi do të jenë evidentimi i gjendjes aktuale të vijës bregdetare dhe çfarë ndryshimesh ka pësuar ajo në dekadat e fundit. Si pritet të jetë dinamika e lëvizjes së vijës bregdetare në tërësi dhe në veçanti për zonat sensitive që janë plazhet. Po kështu do të jepen rekomandime për masat dhe ndërhyrjet eventuale që mund të ndërmerren duke përcaktuar ku, dhe kur, sipas rendit prioritar, për të frenuar veprimin e erozionit detar. Në këtë studim do të parashikohet edhe kostoja financiare e ndërhyrjeve e shtrirë në kohë dhe hapësirë, në segmente të veçanta të plazheve, si dhe kostoja totale për një ndërhyrje të gjerë dhe të plotë.
Për studimin e erozionit detar dhe për të përcaktuar masat që duhet të ndërmerren ndaj tij, Kryeministri urdhëroi ngritjen e një grupi studimor në përbërje të të cilit do të jenë ministra, shkencëtarë nga Universiteti Politeknik, Akademia e Shkencave dhe kabineti i Kryeministrit.
Në zbatim të këtij urdhri, ministritë, institutet shkencore dhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore, do të venë në dispozicion të grupit të studimit, ekspertët më të kualifikuar që lidhen me këtë fushë, si dhe të dhënat dhe studimet e nevojshme disponibël, të cilat mund t’i shërbejnë kryerjes në kohë dhe me cilësi të studimit.
Një nxitim i tillë për kryerjen e këtij studimi për mbrojtjen e vijës bregdetare shqiptare duket se ka ardhur falë ndërtimit të shumë vilave të pushimit në këtë linjë të kaltër, përfshirë këtu edhe ato të vetë pushtetarëve më të lartë të shtetit.
#