Debati për kutinë e Ruzhdies mbërrin në Parlamentin Europian
Kryetari i Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve, Martin Schultz, mirëpriti kthimin e deputetëve të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë një takimi që pati me kreun socialist, Edi Rama, Shultz tha se tani shpreson që partitë e qeverisë shqiptare do t’u japin një përgjigje pozitive kërkesave të opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, i cili do të ushtrojë një hetim të plotë, duke përfshirë hapjen e kutive të votimit, për mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. “Vetëm në këtë mënyrë një bazë e re për dialog konstruktiv, ndërmjet qeverisë dhe opozitës, në këndvështrim të forcimit të procesit të integrimit europian të vendit, mund të vendoset”, theksoi ai.
Me këtë rast, zoti Rama nënvizoi edhe njëherë faktin se Partia Socialiste pranon vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pas zgjedhjeve dhe që nuk është objektivi i partisë së tij të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të PS-së, zhgënjime dhe shqetësime të sinqerta u shprehën për konkluzionet e hetimit të prokurorisë për manipulimin elektoral në fshatin Ruzhdie (Qarku Fier), ku është gjetur se 70% e votave janë manipuluar.
“Edhe nëse ky do të ishte një rast i izoluar i manipulimit elektoral, ky rast do të ishte sërish shumë”, është mesazhi i dhënë sipas këtij njoftimi. Në diskutime u nënvizua që partitë në Kuvendin e Shqipërisë duhet të marrin kohë të mjaftueshme për të arritur një zgjidhje të balancuar për krizën aktuale politike në vend. Zëvendëspresidentët e grupit, Severin dhe Svoboda, shprehën dëshirën e tyre që nëse është e mundur, së bashku me kolegët e tyre nga grupi PPE në Parlamentin Europian, të vizitojnë Shqipërinë dhe të zhvillojnë bisedime me të gjitha partitë për të ndihmuar gjetjen e një marrëveshjeje për një zgjidhje të balancuar. Gjithashtu duhet nënvizuar se disa çështje të tjera që lidhen me procesin e integrimit europian të Shqipërisë u diskutuan gjatë këtyre takimeve, përfshirë çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë.