E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koha për një rol të ri të shtetit në arsimin e lartë

Aleks Luarasi*,Besnik Aliaj*,Henri Çili* 

Për ne, si veprues në sektorin universitar jopublik, është një kënaqësi e jashtëzakonshme që debati për universitetet është kthyer sot në një debat të gjerë dhe të thellë që ka përfshirë pothuaj të gjithë aktorët shoqërore: që nga kryeministri Berisha, tek opozita, nga tryezat e shoqërisë civile e deri tek emisionet televizive me prestigjioze në vend, që nga faqet e gazetave e revistave deri te forumet e aktorëve nga më të ndryshëm shoqërore. Por jo vetëm kaq, edhe si pedagogë dhe njerëz me angazhim publik, është për një detyrim intelektual të jemi interaktivë në këtë debat tanimë temë me rëndësi të hapësirës publike. Me sa duket ka një “konsensus politik” në thelb në lidhje me domosdoshmërinë urgjente për standardet e larta në arsimin tonë të lartë si dhe për nevojën e konkurrencës e ndershme edhe në arsimin tonë të lartë, pavarësisht diferencave të caktuara ideologjike apo të debatit, të cilat janë të pranueshme në një shoqëri të lirë.
Prononcimet e pareshtura të kryeministrit Berisha për inkurajim të sektorit privat, për trajtimin e barabartë mes universitetit publik dhe privat, për defiskalizimin e pritshëm të investimit në këtë sektor vital për shoqërinë, mbështetjen përmes fondit të ekselencës dhe brain-gain, etj.; ashtu sikurse forumet e partisë më të madhe të opozitës, të Partisë Socialiste, si Konferenca Kombëtarë për Arsimin, apo deklarimet e herëpashershme të kryetarit të opozitës Edi Rama “për konkurrencë dhe standarde në arsimin tonë të lartë”, japin një shpresë se arsimi është kthyer në një argument qendror të jetës publike dhe politike në këtë vend. Kjo premton të jetë fillimi i një ndryshimi. Edhe pse vonë, kur kjo temë duhej të kishte qenë argument qendror shumë kohë më parë, sërish është inkurajim i madh për botën universitare shqiptare, që politika madje aktorët e saj më me peshë e kanë vendosur arsimin në vëmendje prioritare në raport me problemet e shumta që ka ky vend. E gjithë kjo është një premisë e shëndoshë që një proces reforme të thellë, iniciativa dhe përgjegjësia për të cilën i takon qeverisë, do të gjente një mbështetje të gjerë.
Futja e këtij sektori në treg relativisht vonë, në vitin 2002, kur u licencua universiteti i parë privat, Universiteti i New York – Tirana, në periudhën e qeverisjes socialiste përfaqëson një hap të madh në perspektivën e këtij sektori, pasi futi në treg disa aktorë të rinj, të cilët dhanë kontributet e para për krijimin një universiteti alternativ. Ky shembull reformues në fushën e arsimit të lartë atë kohe, pilotoi hapjen e një rruge për një veprim edhe më të guximshëm të qeverisjes së pas 3 korrikut 2005. Sot jemi në realitetin kur kemi më shumë se 30 operatorë te rinj në sektorin e edukimit të lartë, kemi po ashtu afro më shumë se 15 mijë studentë, të cilët studiojnë në universitetet jopublike, gjë që përfaqëson mbi 10% të totalit të studentëve shqiptare sot. Kjo në kushtet kur dhe sektori publik është stimuluar dhe gati është trefishuar në 3 vitet e fundit.
Nëse është për t’u përshëndetur fort fryma liberalizuese dhe sinergjike e qeverisjes së djathtë në këtë sektor, tashmë duhet pranuar si tejet legjitime edhe debati dhe diskutimi për cilësinë, standardet dhe vlerën e diplomave të këtyre institucioneve të reja, në kuadër të debatit publik mbi arsimin në tërësi. Ndërkohë ia vlen të ndalemi te disa gjëra esenciale.
Liberalizimi i licencave, sidomos pas vitit 2005, kur nga 5 licenca të dhëna gjatë qeverisjes socialiste 2002-2005 janë dhënë 17 licenca për operatorë jopublikë të arsimit të lartë, jo vetëm përfaqëson një hap të guximshëm nga pikëpamja politike, por përfaqëson një mentalitet të ri mjaft pozitiv lidhur me rrugët strukturore të ndryshimit dhe evoluimit të gjendjes në arsimin tonë të lartë. Dhe vërtet sot, konkurrenca në këtë sektor është bëre më e ashpër, performanca e aktorëve është rritur ndjeshëm, investimet fizike dhe materiale të kryera nga universitetet private pa përjashtim demonstrojnë magjinë e konkurrencës, të tregut të lirë, si instrumenti më efikas, më rezultativ për të reformuar dhe përmirësuar ofertën e edukimit të lartë. Pa llogaritur këtu efektin që ka patur kjo në evoluimin edhe të universitetit publik, në kushtet kur monopoli i tij i dikurshëm tashmë ka rënë, dhe në kushtet kur universiteti alternativ është në krahun tjetër të rrugës. Në fakt studentët shqiptarë nuk kanë qenë kurrë më mirë të shërbyer në projektin e tyre të studimeve sesa tani, pedagogët shqiptarë nuk kanë qenë kurrë më të mirëvlerësuar financiarisht sesa tani me futjen e universitetit alternativ në veprim. E gjithë shoqëria shqiptare nuk ka qenë kurrë më e pasur në debate, forume, botime universitare, kërkime se sa tani kur universitetet jopublikë kanë hapur dyert për të gjithë për t’u bërë qendra mendimi, debati, për t’u bërë qendra të lirisë dhe demokracisë. Konkurrenca po jep frytet e veta! Ta bëjmë atë një fakt real në të gjithë sistemin, publik dhe privat.
Në këtë kuptim, e gjitha sa ka ndodhur përfaqëson pa asnjë dyshim një bilanc të kësaj qeverie, dhe absolutisht jo një kosto të saj! Evoluimi sasior i këtij sektori ka sjellë dhe po sjell patjetër një përmirësim cilësor. Por këtu është rasti të themi që procesi i evoluimit cilësor të universiteteve jopublike, dhe universiteti shqiptar në tërësi, do të duhet të ecë edhe më shpejt, të ketë kosto më të vogla për shoqërinë, për studentët dhe prindërit shqiptarë. Kështu një proces sa më i drejtë, i paanshëm dhe profesional i akreditimit dhe vlerësimit të jashtëm (ranking- renditjes) të gjithë sistemit tonë universitar, publik, jopublik dhe privat tani bëhet i domosdoshëm dhe urgjent. Kjo është e vetmja mënyrë që situata në universitetin shqiptar të mund të vlerësohej jo nga masat ndëshkuese, por nga tregues profesionalë, të drejtë dhe të besueshëm, duke krijuar një renditje të këtyre institucioneve sipas cilësisë së diplomave që lëshojnë. Mbi këto tregues publiku do të orientohej për vendimet e tij nesër, kurse autoriteti publik do të kishte luksin të ndërtonte politikë dhe të bënte ndërhyrje për të rritur cilësinë e sektorit, për të orientuar investimet dhe për të bërë politika bashkëkohore dhe efikase. Dhe kështu një proces i natyrshëm vetë-seleksionimi do të pasonte këto procese, qoftë i kryer nga vetë publiku, qoftë i kombinuar me masat administrative të qeverisë. Ai do ta sillte universitetin shqiptar në një stad tërësisht të ri.
Jemi vetëm në hapat e para të sektorit universitar jopublik, dhe nevoja e do që sistemi universitar shqiptar në tërësi dhe roli i shtetit në të, të ndryshonte edhe më shumë duke krijuar një sistem që vë në qendër “universitetin” e “studentin” dhe jo “burokracinë universitare” publike, një sistem që mbështet shtresa të caktuara në nevojë në vend të parazitizmit që i dëmton të gjithë të varfrit apo të pasurit, cilësorët apo mediokrit. Një sistem universitar i tille do të krijonte shanset që të mbështeteshin më mirë dhe më fort degë dhe disiplina për të cilat shoqëria ka nevojë. Ai do të krijonte konkurrencën e shëndetshme e reale mes stafeve akademike për të “fituar” studentin, duke i dhënë shansin studentit të jetë ai që zgjedh institucionin, qoftë ky me prapashtesën “publik”, “jopublik” apo “privat”. Në këtë mënyrë studenti i shpenzon paratë për arsimimin e tij, siç dëshiron vetë dhe në të mirën e tij, të ardhura që i ka nxjerrë nga puna e tij, apo që ia ka siguruar familja ose edhe shoqëria përmes bursave nga të ardhurat publike.
Por një sistem i tillë bashkëkohor universitar, kërkon një rol të ri të shtetit në arsimin e lartë. Një rol që mbetet për t’u definuar më qartë, që mbetet për t’u diskutuar edhe më shumë. Viti akademik ku kemi hyrë, pasi disa vitesh diskutime e debate për këto çështje është ndoshta një shans i madh që debati politik dhe publik mbi arsimin e lartë, potencohet më shumë, të vihet në qendër të vëmendjes të opinionit publik dhe taksapaguesve. Është koha më e mirë që kryeministri Berisha jo thjesht të mbajë ato premtime lidhur me universitetet private, duke filluar nga heqja e TVSH-së për arsimin privat, për të vazhduar me një vlerësim të jashtëm, të besueshëm dhe të barabartë për të gjithë sistemin ose siç njihet ndryshe “ranking” e universiteteve e diplomave tona universitare, por për të shkuar më tej: reformimi me themel i rolit të shtetit në arsimin e lartë dhe shtrirjen e veprimit të mekanizmave të tregut e partneritetin publik–privat në gjithë këtë sektor, si rruga e vetme e një rritje të shpejtë sasiore dhe cilësore. Pavarësisht nga diferenca e pronësisë, në të vërtetë të gjithë universitetet janë pronë e shoqërisë shqiptare dhe janë një shërbim publik. I gjithë sistemi ka nevojë për reformë: universiteti publik ka nevojë për autonomi reale, universiteti privat e jopublik ka nevojë për konkurrencë të ndershme, publiku ka nevojë për diploma më cilësore e për standarde. Kurse e gjithë shoqëria shqiptare dhe tregu kanë nevojë për një “universitet tjetër”, universitetin e zhvilluar dhe bashkëkohor, universitetin në ndihmë shoqërisë dhe të zhvillimit.
Ne, do të mirëprisnim në këtë debat kontributet e të gjithë atyre aktorëve që kanë për të thënë dhe vepruar në këtë çështje, të bindur se kjo është në dobi të shoqërisë shqiptare sot.  
* themelues dhe rektor
i Universitetit “Luarasi”
* një nga themeluesit dhe rektor i Universitetit “Polis”
* një nga themeluesit dhe administrator i Universitetit Europian të Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›