Sheshi Skënderbej, në konkurs 6 studiot më të njohura
Studiot
Studiot e përzgjedhura, pas fazave të konkurrimit janë 6. Sipas burimeve të bashkisë, “51N4E” është studioja arkitektonike e krijuar në vitin 2000, me qendër në Bruksel. Kjo studio merr pjesë për herë të dytë në një konkurs ndërkombëtar të zhvilluar në Tiranë, pasi është fituese e projektit të TID Tower. “MVRDV” është një studio holandeze, me një listë të gjatë projektimesh në mbarë botën, nga Pittsburghv i SHBA në Paris, Seul, Madrid, Oslo, Bejrut e gjetkë. Kjo studio, ofron njohje të mirë të Tiranës, pasi prej disa vitesh ka operuar për projekte private në kryeqytet. Ndërsa MAP “Architects Barcelona” është një studio e cila drejtohet nga arkitekti i njohur Josep Lluis Mateo, i nderuar gjatë karrierës së tij me shumë çmime prestigjioze. Në garë do të jetë edhe “AS.ARCHITECTURE”, që është një studio franceze me qendër në Paris, e krijuar në vitin 1973 dhe e përbërë nga 80 urbanistë e arkitektë nga vende të ndryshme. Gjithashtu “DANIEL LIBESKIND Studio” është krijuar në vitin 1989, në Berlin. Pas aprovimit të projektit të saj për World Trade Center, në vitin 2003, kjo studio zhvendoset në New York. Në konkurs do marrë pjesë edhe “ATENA Studio”, që e ka qendrën e saj në Romë. Kjo studio ka eksperiencë në fushën kërkimore dhe projektuese të arkitekturës dhe projektimit urban.
Juria
Juria e konkursit ndërkombëtar për gjallërimin e Sheshit “Skëndërbej” do të përbëhet nga 11 anëtarë, 4 prej të cilëve shqiptarë dhe 7 të huaj. Kështu, Edi Rama, kryetari i bashkisë së Tiranës do të jetë njëri nga anëtarët e jurisë. “Grupit të anëtarëve shqiptarë do t’i bashkohen edhe Marin Biçoku (anëtar i KRRTRSH-së), Maks Velo (Arkitekt) dhe Arben Kumbaro (Regjisor)”,- pohojnë burime të bashkisë së Tiranës. Ndërsa sa i takon anëtarëve të jurisë që janë të huaj, do të marrin pjesë Andreas Ruby, nga Gjermania, i cili është kurator dhe pjesëtar i disa bordeve drejtuese me profil arkitekturor. Ismail Khudhr Al-Shatti nga Kuvajti, i cli gëzon titullin Doktor Shkencash, si rezultat i një PhD në Universitetin e Southampton UK, në fushën e Inxhinierisë Civile dhe është gjithashtu këshilltar i Shkëlqesisë së Tij, Kryeministrit të Kuvajtit, Ismail Khudhr.