Emigrantët, radhë kilometrike në kufi
Rikthehen radhët e gjata të emigrantëve në kufi. Mijëra emigrantë janë dyndur në kufi nga pika e kalimit kufitar të Kapshticës, duke krijuar radhë të gjata në territorin kufitar, kryesisht në pjesën greke. Shtim të fluksit ka pasur dje edhe në Kakavijë, por nga kjo pikë kufitare nuk janë raportuar probleme.
KapshticaFluksi i madh i emigrantëve që vijnë për pushime në vend nga shteti grek është shtuar gjatë orëve të natës, duke gdhirë e shtuna, kur në pikën doganore greke radhët kanë arritur deri në 1 kilometër edhe për faktin se shumë emigrantë kanë marrë lejet vjetore që fillojnë në muajin gusht. Pjesa më e madhe e emigrantëve, ndryshe nga ditët e tjera, kanë ardhur në këtë fundmuaj për faktin se kanë planifikuar pushimet në 15 ditët e para të gushtit në plazhet shqiptare. Për shkak të fluksit të madh të emigrantëve që kanë ardhur menjëherë brenda një dite, nga ana e policisë kufitare është ndërmarrë hapja e sporteleve shtesë për përballimin e lëvizjeve në kufi. Nga ana e palës shqiptare është punuar me gjashtë sportele dhe për të kryer procedurat e kalimit dhe të regjistrimit janë përdorur edhe sportelet e daljes nga territori shqiptar, për faktin se ka pasur shumë mjete të vogla dhe dhjetëra autobusë që janë përpunuar që nga pasditja dhe deri në orët e para të mëngjesit.
Ndërkohë, nga pala greke është punuar me tre sportele për të larguar nga territori doganor mjetet e shumta që kanë krijuar radhë kilometrike. Vetëm gjatë natës së të premtes, nga ky vendkalim kufitar kanë hyrë në vend 6000 persona. Ndryshe nga vitet e tjera këtë herë emigrantët kanë preferuar të udhëtojnë më shumë me autobusë dhe jo me mjete të vogla, për shkak të shtrenjtimit të karburanteve në shtetin grek. Emigrantët thonë se kanë pritur deri në një orë në kufi për kryerjen e procedurave, megjithatë nuk ka pasur probleme të tjera.
KakavijaFluksi i emigrantëve është shtuar në mënyrë të dukshme dje edhe në Kakavijë, pika më e madhe kjo e kalimit kufitar me Greqinë. Sipas burimeve të policisë, gjatë 24 orëve të së premtes kaluan kufirin nga Greqia në Shqipëri 3000 shtetas shqiptarë, nga rreth 2000 që ishte numri mesatar i udhëtarëve gjatë javës së fundit. Burimet e policisë kufitare thonë se ky është vetëm fillimi dhe shifrat pritet të shënojnë rritje.
Ditët e javës që kaloi shënuan mesatarisht rreth 2000 emigrantë që kalojnë kufirin grek drejt Shqipërisë, por dy ditë më parë, kur në Greqi u ndaluan grevat e punonjësve të karburanteve, numri i tyre shënoi rritje deri në 2500 të ardhur. Krahas masave të përhershme të policisë kufitare shqiptare, janë shtuar sportelet për të lehtësuar lëvizjen e emigrantëve në kufi, ndërkohë që edhe policia greke ka treguar angazhim dhe ka krijuar lehtësira për lëvizjen në të dy anët e kufirit.
#