E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatos Nano mbeshtet takimet pozite-opozite

Disa orë pasi kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë për t’u takuar me kreun e opozitës Rama për të nxitur përmbylljen e reformës zgjedhore, lëvizja Nano për fitoren e socialistëve u shpreh përmes një deklarate për median se është në favor të takimeve dypalëshe transparente e të ndershme

“Lëvizja Nano shpreh mbështetjen e saj për çdo takim e marrëveshje pozitë - opozitë, që do të vendosë në themelin e saj transparencën për publikun dhe ndershmërinë e parimeve e qëllimeve në favor të krijimit të kushteve për një aleancë të madhe të mirëbesimit mes gjithë aktorëve e faktorëve politikë e civilë në luftën pa kompromis kundër korrupsionit, për krijimin e hapësirave e kushteve për një qeverisje të pastër të ndershme dhe llogaridhënëse, për organizimim në 2013-ën të zgjedhjeve të lira, të ndershme, të pakontestuara dhe në përputhje me standardet europiane, si edhe për suksesin e udhëtimit shqiptar drejt BE-së”-thuhet në deklaratë.

Nano shprehet se mirëpret dhe turin e kryesocialisitit Rama në bazë, por jo me qëllimin që sipas nanos ai është ndërmarrë.

“Lëvizja Nano e përshendet turin e Kryetarit të PS-së, Edi Rama, në bazën e PS, por e fton Edi Ramën që të mos humbasë kohë t'iu shpjegojë socialistëve arsyet përse Edi Rama nuk e mbështeti Fatos Nanon për president, por të gjejë motivimin dhe ndjeshmërinë e duhur për t'iu treguar socialistëve se cili është Projekti i tij për bashkimin e popullit opozitar në mënyrë që të fitohen zgjedhjet e vitit 2013”

Më tej në njoftimin për shtyp thuhet se Lëvizja Nano shprehet e vendosur në projektin e saj për bashkimin, përfaqësimin dhe udhëheqjen e të gjithë popullit opozitar drejt fitores së zgjedhjeve të vitit 2013.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›