E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS mendime te ndryshme per listen e kandidateve ne zgjedhjet e 2013

Partia Socialiste është përfshirë nga ethet e përpilimit të listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet politike të vitit 2013. Nënkryetari i grupit parlamentar Erion Braçe, ka kërkuar që kandidatët për deputetë të zgjidhet nga baza e partisë, përmes parimit “një anëtar, një votë”, duke anashkaluar atë çka është e sanksionuar në statutin e partisë. Braçe kërkon në mënyrë ultimative, që përzgjedhja e kandidatëve të mos bëhet nga një nejri i vetëm, ose nga një grup njerëzish në nivel qendror apo lokal. Sipas tij, kandidatët duhet të jenë me moral të pacenuar, të pakonsumuar në raport me ligjin, moralin, politikën, të papërfshirë qoftë edhe në një rast të vetëm në afera korruptive, profesionistë, të angazhuar politikisht me PS-në në mënyrë konstante, të ndarë nga aktiviteti i tyre ekonomik, të shërbejnë me kohë të plotë ndaj komunitetit që i zgjedh duke i qëndruar besnik votës politike të marrë e të kenë moshë aktive.
Por, deputeti dhe anëtari i kryesisë socilaiste Bashkim Fino, përmes argumentave kundërshton këtë propozim.
Mediat raportojnë se në të njëjtën linjë oponence janë shprehur edhe deputetë të tjerë socialistë.
 “Ky diskutim i mënyrës së zgjedhjeve të deputetëve më duket pa vend, para nevojës për të reformuar vetë zgjedhjet në këtë vend, për të ndryshuar KQZ-në dhe vendosur standardin e zgjedhjeve që nuk e cenojnë dot votën, as kur ajo hidhet dhe as kur numërohet. E për sa kohë nuk ndërgjegjësojmë këdo për këtë nevojë, çdo gjë tjetër do shënohej si një vrimë në ujë”, u shpreh deputetja Ermonela Felaj. 
“Jam i gatshëm të jap mendimin tim brenda forumeve, në linjën e diskutimit brenda tyre, por jo në Facebook apo në media”, vlerësoi deputeti, Artan Gaçi.
Mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë shpjegohet qartë në statutin e Partisë Socialiste, kur thuhet se është kryesia e partisë ajo që miraton kandidaturat për deputetë dhe drejtuesit kryesorë të organeve vendore. Më pas kjo listë kalon për miratim përfundimtar në Asamblenë Kombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›