Kastrioti i doli borxhit. ER-ja pastë veten më qafë
Sot, që po shkruaj këtë shkrim është ditëlindja e kriminelit Stalin. Kjo më kujton sjelljet staliniste të ER-së, që është emri i shkrimeve skandaloze të „Refleksioneve“, të Edi Ramës. ER është nënshkruar, ER do ta quajmë gjatë këtij shkrimi. Është emri i pëlqyer prej tij, që s’ka munguar në asnjërin nga shkrimet e “Refleksioneve”. Libri „Refleksionet“ nuk duhej përmendur në „Kurban“. Sepse ai i pari mund të quhej nga vetë autori, „Mallkim“. Dhe, meqë është nga vetë autori, si në flakadatë djegëse mesjetare, e meqenëse ai lokucioni popullor se “në shtëpinë e të varurit nuk duhet kujtuar litari” nuk është i pakuptimtë, njeriu me njëfarë namuzi nuk duhet ta zërë me gojë . Por ER-ja nuk është i këtij standardi. Lexuesi që e ka blerë si me përdhunë dhe mundohet ta lexojë se “ka paguar lekët”, në pastë durimin të vijë gjer në faqen 285, do ta shohë këtë fjalë, “Refleksion”, të përmendet me superlativa: “Refleksionet e famshme”!
Pyetja e vetvetishme është: “Refleksionet” ishin për t’u hedhur në zjarr, apo për t’u cituar në faqen 285 të “Kurbanit”, me mburrje, madjé? Tani u dashka që “Refleksionet” të quhen vëll.1 dhe “Kurbani” : vëll. 2? Atëherë ky ER-ja, alias Haxhi pishmani, u bë pishman që e nxori jashtë qarkullimit? (Le ta kërkojë ndonjë lexues në Bibliotekën Kombëtare dhe të shohë nëse do t’i jepet!). Ata që e kanë lexuar vëllimin e parë, e kanë të vështirë të besojnë se e ka përmendur atë libër në të dytin (“Kurban”) dhe, së dyti, në ç’mënyrë e ka përmendur. E thamë se është e padyshimtë që e ka cituar për mirë. Tani mbetet si-ja: “”Refleksione e famshme” janë krijuar pas shembjes së murit (Murit të Berlinit, - K.X.), në hapësirën e ethshme të lirisë së fituar më në fund, shpirtërisht, mendërisht, trupërisht”. Modestia të zbukuron, - është një thënie. Po kush e shiti në pazar që ta blejë ER-ja? Mbase nuk ka edhe pare për të blerë nja dy gramë modestí, i shkreti!
Ja si i vihen kurora të lavdisë një libri të nëmur nga vetë autori! Atëherë duhet të jenë të vërteta, të denja për besim, edhe fjalët që thuhen kundër veteranëve të luftës nacionalçlirimtare, atyre që të nxirrnin gjak në vetull nëse besoje në luftën civile, domethënë në zvetënimin e kësaj luftë nën diktatin e emisarëve të Titos. Në këtë rast, në vëll.1, ata trajtohen si vrastarë të shqiptarëve, të komanduar prej jugosllavëve, për të zezën e popullit shqiptar! Në vëllimin e parë ER-ja kërkonte të vareshin në litar komunistët, pra edhe veteranët. Po tani? Një fizionomi tjetër për tjetër. E habitshme:
Tani po citojmë: “Nuk lexova kurrë te veteranët urrejtje për kundërshtarët e dikurshëm, kurrë (nuk doli nga goja e tyre - K,X,) një fjalë e keqe për ata shqiptarë me të cilët qenë gjendur fatalisht në llogore të ndryshme, kurrë gjësend tjetër përveç mirëkuptimit për domosdoshmërinë e dënimit kombëtarisht(!) të krimeve e fajeve të regjimit komunist. Përkundrazi, shpreheshin me gojën plot për nevojën e paqtimit kombëtar, unitetit kombëtar, zhvillimit kombëtar, mbi bazën e solidaritetit me këdo që skllavërinë e atij ferri e kishte vuajtur në ferrin e nëntë, në burgjet e në kampet e komunizmit dhe të vetëdijës së kristaltë se atdheu u përket të gjithëve, fëmijëve në radhë të parë”! (274).
Nga ç’lexuam të kënaq ai “dënimi kombëtarisht ” i krimeve, me ndajfolje jashtë standardit! Por neologjizmat e sajuar vërshojnë në këtë libër. I është mbushur mendja ER-së se na qenka edhe leksikograf? Ja disa prej sajesave si në kovaçhane: gojë pashmagje (22); ulërinte i çakërgjosur (34); të pallura ujqërisht (35); mosdakordësisë...(59); gjermanët (62,63); vandalizuar (65) [një autor kishte shkruar antagonizmuar!]; barrikadim force (67); të reja të dollandërdisura (70); perversitetin e kushedisaterrtë (288)... (për të dhënë vetëm disa nga bastardimet e fjalëve sipas shijeve artistike të ER-së! Habitem sesi vallai siamez i tij, që ka edhe emrin në palën e ballinës, nuk ka vënë dorë në dyfjalëshin “shpifës hipokriziak” (f.22), që të bën për të qeshur, sikur nuk tingëllon bukur “shpifës hipokrit!”. Mbase kërcen prifti nga belaja, me një megaloman si ER-ja! Fizionomia e veteranëve është kundërthënëse nga vëll. i 1-rë, në të dytin, siç e pamë. Sipas vëllimit të parë (të varen në litar!) cilët ishin ata që ofroheshin me dëshirë të madhe për të montuar “gjyqe” që bënin kërdinë në ekzekutime, në burgime e ridënime prej disa dhjetëvjetëshash, para të cilat “Burgjet e mia” të Silvio Pélikos do të dukeshin parajsë?
Duke qenë dakord se Enveri i projektonte dënimet e të pafajshmëve, por ekzekutorët, sipas skenarësh që kishin si gjeneratorë torturën gjer në pohim tradhtish të fantastikuara, ishin të tjerë. Atëherë: cili ishte kontingjenti që jetësonte skenarët me pohime të detyrueshme që sillnin si pasojë ndëshkimin me vdekje të shkencëtarëve të kalibrit ndërkombëtar, si Kujtim Beqiri, me pllakën e mermertë të nderit në Universitetin e Gracit? Ishin bash prej atij grupimi që enverizmi u kishte mpirë qelizat e trurit e i kishte shndërruar në robotë të llahtarshëm. Këta janë veteranët e vëllimit 1 (që duheshin varur, sipas ER-së). Por sipas vëllimit 2 këta janë persona që “shpreheshin me gojën plot për nevojën e paqtimit kombëtar, unitetit kombëtar, zhvillimit kombëtar, mbi bazën e solidaritetit me këdo që skllavërinë e atij ferri e kishte vuajtur në ferrin e nëntë, në burgjet e në kampet e komunizmit dhe të vetëdijës së kristaltë se atdheu u përket të gjithëve, fëmijëve në radhë të parë.”! Këta të vëllimit 2, tani, na dalkan solidarë me ata që kishin vuajtur ferrin e nëntë! Një lëmsh logjik, sikur të dy librat të koordinonin me njëri-tjetrin.
Ja ç’do të thotë të mburresh me atë që duhej ta kishe varrosur pa pishmanllëk! Për të mos thënë fjalë më të rënda, “Kurbani” në vend t’i vinte vetullat, i nxori sytë autorit! Më shkurt: Është një libër i pabesueshëm. Si s’ka dalë dikush që t’i bëjë një kritikë letrare lëvduese këtij libri! Gjithë halli është të shitet sa më shumë, me listë, me detyrime partiake, por edhe me detyrime simpatizantësh, që do të mund të përfliteshin si të ngërthyer në konflikte interesi...
***
Tani do të flasim për një figurë tjetër të PS-së, z. Kastriot Islami.
E kam pasur nxënës në të gjitha klasat, në shkollën e mesme të përgjithshme “Partizani”. Që të them se ka qenë nxënës shumë i mirë në lëndën time (matematikë), është pak. Ka qenë i dhjetës? Prapë cilësori është i pamjaftueshëm. Ka qenë i olimpiadave të matematikës. Domethënë i +10-s (Se mos ngatërrohet me atë +10-n e ER-së, një shëmtim i fitores qyl!). Mësuesi krenohej me nxënës si Kastrioti. Së dyti, më duhet të rrëfej një gjest të tij në provimet më shkrim të maturës. Ne, mësuesit e matematikës, ishim ngarkuar që “të ruanim” secili një klasë. Ishin ngarkuar me këtë detyrë edhe disa nga mësuesit ose mësueset e lëndëve të tjera. Në klasën ku gjendej Kastrioti ishte Njazi Kosovrasti, me autoritet dhe i rreptë. Më duket se Njaziu për pak kohë duhej të shkonte në drejtori dhe u ngarkua një mësuese rezervë për të mbikëqyrur në klasë. Nxënësit pas Kastriotit nuk i kujtohej një formulë trigonometrike apo nga ato të integraleve. Ia kërkoi Kastriotit, duke i pëshpëritur. Ky e shkroi në letër dhe e ngriti paksa që ta shihte ai i bankës prapa. Mësuesja i hoqi vërejtjen dhe kaq. Qëlloi që sapo hyri Njaziu dhe u kontrolloi fletën të dyve. E vuri re se kishin komunikuar dhe e nxori jashtë atë nxënësin prapa Kastriotit. Këtë ai s’e kishte nxënësin e tij, por e dinte se ishte i shkëlqyer në matematikë. Megjithatë mësuesja u thirr për dëshmi dhe i mbetej edhe Kastriotit që të dënohej. Nuk jam i sigurt në hollësirat. Veçse Kastriotin e mbrojtën të gjithë mësuesit, ndonëse kjo nuk shkonte me “vijën”. Si mundet një nxënës të mos ishte solidar me një shokun e tij, ´në hall? E lehtë të thuhet “e dënueshme”. Por, në moshën e tij, Kastrioti e pranoi “rrezikun” më mirë se ta linte shokun në baltë. U thanë në Këshillin Pedagogjik rrethanat lehtësuese. Mbase “ndihma” mund të ishte jo përcaktuese, punë formulash. Mundej që edhe mësuesi të jepte ndonjë udhëzim, ndonëse kjo ishte jashtë rregullores dhe Njaziu hynte në kategorinë e mësuesve të rreptë. Sidoqoftë edhe Kastrioti pati një dënim, më të lehtë natyrisht. Veçse kjo kishte zgjuar simpatinë e mësuesve që s’i jepnin drejtpërdrejt mësim. Ishin përballë “parimet” me humanizmin. Kastrioti parapëlqeu këtë të fundit.
Më vonë Kastrioti kishte bërë emër në universitetet perëndimore. Kishte marrë tituj akademikë. Prof. Kastriot Islami ka tani staturën e një politikani me frymëzim perëndimor. Edi Ramën e ka respektuar dhe e ka quajtur publikisht. Z. Edi Rama. Si sekretar i çështjeve zgjedhore, këshillat e tij kanë qenë të zgjuara dhe kundër përçarjes. Ai ka qenë, si të thuash, profetik në mendimet e balancuara e të përkora që i ka dhënë ER-së. Ja, tani, PS-ja është ndarë më tresh: Njëri grupim përfshin PSD-në PDS-në dhe partinë e Petro Koçit, se mos ia them gabim siglën këtij të fundit. Tjetra, përfshin partinë e Elmaz Sherifit. E treta përfshin një bashkësi të madhe elementësh që iu kundërvunë Edvinit, si një lëvizje e mendimit ndryshe. Tani ER-ja t’i qajë edhe të 16.000 votat e prof. Kastriot Islamit. Në “Kurban” ka gjetur një sinonim të fjalës përçarje. Kjo fjala “përçarje” ia vret veshët. Po e shkërmoq PS-në vazhdimisht duke ia bërë votat asaj rrush e kumbulla. Fjala e ER-së është dasí! – që t’ia veshë “Saliut”. Çdo huq i tij duhet t’i përkasë pa tjetër edhe kundërshtarit të tij politik. Atij, të cilin kurrë nuk e ka quajtur me “z. Berisha”. Qoftë edhe për reciprocitet. Mllefi e ka kapluar të tërin, ndonëse kërkon të hiqet si liberal!
Sidoqoftë K. Islami i ka dalë borxhit. Do të vijë një kohë që ER-së nuk do t’i bëjë punë ajo formula monotone: “m’i vodhën votat”. Atëherë do të kujtohet për atë lokucionin: “Koka bën, koka pëson!”.