Fatos Qerimi inicion edicionin e pestë të “Tirana Music Festival”
Izaura Ndoj
“Tirana Music Festival” është festivali i ri që është iniciuar nën drejtimin e Fatos Qerimit dhe arrin në edicionin e 5-të të tij. Ai do të mirëpres publikun për tetë ditë radhazi mbushur me koncerte e masterklas perfeksionimi për muzikantët e rinj shqiptarë të cilët mund të zhvillojnë talentin e tyre nën drejtimin e mjeshtrave të shquar italianë. Festivali u ideua nga Piero Vincenti, klarinetist me famë botërore, docent, themelues e President aktual i “Açademia Musicale Internazionale” dhe nga Marsida Koni, lindur në Shqipëri dhe aktualisht banuese në Itali ku, krahas koncerteve anembanë botës, zhvillon dhe aktivitet didaktik. “Tirana Music Festival” do të hapet në fillim me një koncert të orkestrës frymore “Big Band” të Akademisë së Arteve të Tiranën nën dirigjimin e Qerimit. Evenimenti do të shoqërohet dhe me pjesëmarrjen e klarinetistit të njohur italian Piero Vincenti. E veçanta do të jetë se në dy data të këtij festivali do të jenë pjesëmarrës dhe vetë studentë të Akademisë në sallën “Zadeja” të Akademisë së Arteve. Festivali është vendosur të jetë nga 22 deri më 29 prill dhe do të ketë pjesëmarrjen e muzikantëve nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova. Gjatë ditëve të tij janë planifikuar plot tetë koncerte në Akademinë e Arteve kurse koncerti përmbyllës është planifikuar të jetë në Teatrin Kombëtar ku do të interpretoj orkestra e Cameratës së Tiranës nën dirigjentin e njohur italian Piero Vincenti. Organizatori i saj Fatos Qerimi është një nga instrumentistët më të njohur shqiptarë dhe përfaqësuesi i një dinastie shumë interesante muzikantësh. Meqenëse një nga qëllimet e “Tirana Music Festival” është t’i japë muzikantëve të rinj shqiptar mundësinë për t’u vlerësuar edhe jashtë Shqipërisë, gjatë mbrëmjeve të 25 e 27 prillit do të komunikohen edhe emrat e fituesve të bursave të studimit pranë Açademia Musicale Internazionale gjatë vitit 2011, me një vlerë rreth 2.000 Euro secila; gjatë 4 edicioneve të para janë dhënë rreth 60 bursa studimi. Këto dy mbrëmje bëjnë pjesë në serinë e tetë koncerteve, të programuara, gjithnjë në ora 19.00, pranë teatrit të Akademisë së Arteve të Tiranës nga 22 deri në 28 prill dhe më datë 29 do të jetë mbrëmja e madhe përmbyllëse pranë Teatrit Kombëtar.
Si nisi Festivali “Tirana Music Festival”
Të bindur se muzika nuk ka kufij, Piero Vincenti e Marsida Koni ideuan në vitin 2006 festivalin “Tirana Music Festival”, me qëllim konsolidimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit kulturor mes Italisë dhe Shqipërisë (Academia Musicale Internazionale ka ftuar në Itali orkestrën e parë shqiptare në vitin 1994) dhe promovimin e imazhit të një Shqipërie turistike jashtë kufijve kombëtar. Për realizimin e këtyre synimeve, Academia Musicale Internazionale, promovuese e aktivitetit, gëzon mbështetjen e Akademisë së Arteve në Tiranë dhe patronazhin e Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane, Ambasadës së Italisë, Institutit Italian të Kulturës, Ministrisë shqiptare të Kulturës, Teatrit të Operës dhe Baletit, Bashkisë së Tiranës dhe Durrësit dhe enteve të tjera si Regione Umbria, Provincia e Comune di Perugia, Endas, Promadria si dhe bashkëpunimin me Kompaninë ajrore Belle Air, Artex, Gradidea Office e Hotel City. “Tirana Music Festival” ndahet në një pjesë mësimore për artistët e rinj dhe një sërë koncertesh të ideuar për të kënaqur qytetarët e Tiranës dhe të huajt e shumtë. Pjesa kushtuar artistëve të rinj përbëhet nga masterklas të perfeksionimit të lartë të hapura gratis për muzikantët e rinj shqiptar, maqedonas, kosovarë e malazezë; me pagesë frekuentimi për muzikantët italianë apo të ardhur nga vende të tjera të botës, të cilët dëshirojnë të perfeksionohen me mjeshtra të mëdhenj e të shkëmbejnë eksperienca të reja muzikore; katër edicionet e para kanë shënuar pjesëmarrjen e mbi 600 studentëve. Masterklaset zhvillohen nga 22 deri në 29 prill pranë Akademisë së Arteve në Tiranë: në piano nën drejtimin e Michele Rossetti-t, në kitarë me Giorgio Albiani-n dhe në klarinetë e muzikë dhome me Piero Vincenti-n.
6 Prill 2010