Fatura e energjisë, Ministria e Financave vendos për janarin të kompensojë 100 mijë pensionistë
Jonida Tashi
Ministria e Financave përcakton numrin e pensionistëve që do të përfitojnë kompensim për rritjen e çmimit të energjisë gjatë muajit janar. Sipas këtij dikasteri, rreth 100 mije pensionistë do të kompensohen për çmimin e ri të energjisë elektrike, i cili hyri në fuqi më 1 janar të këtij viti. Ndërsa sipas vendimit të qeverisë në vitin 2006 për kompensimin e energjisë elektrike, përfitonin subvencionim për dritat 82 pensionistë. Përsa i përket kohës se kur do të tërhiqet kompensimi për energjinë, burime zyrtare nga dikasteri i Financave sqarojnë se ai do të mund të merret nga çdo pensionistë në ditët e para të muajit shkurt. Për të mundësuar këtë, Ministria e Financave në bashkëpunim me ekspertët e Sigurimeve Shoqërore do të dërgojnë në zyrat e postës udhëzimet përkatëse për shpërndarjen e kompensimit, i cili do të variojë nga 500-800 lekë për çdo muaj.
Vendimi
Qeveria do të kompensojnë rritjen e çmimit për 200 kilovatët e parë të konsumit të energjisë. Në total, fondi për kompensimin shkon në 1.7 miliardë lekë dhe pritet të përfitojnë rreth 270 mijë familje. Konkretisht nga subvencioni i rritjes së çmimit do të përfitojnë të gjithë kryefamiljarët që marrin pension nga shteti, familjet, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe familjet, që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, ata që përfitojnë pension invaliditeti dhe të gjithë kryefamiljarët, pjesë e administratës që kanë pagë deri në 35 mijë lekë në muaj. Shtesa për rritjen e çmimit të energjisë të miratuar nga ERE në mes të dhjetorit, është vetëm 140 lekë. Por kjo shumë i shtohet kompensimit prej 500 lekësh që merrej që nga viti 2006. Vlera maksimale e kompensimit do të shkojë deri në 960 lekë në muaj, kjo po të kihen parasysh edhe kompensimet e tjera gjatë viteve të mëparshme
Kompensimi
Sipas vendimit të marrë nga qeveria, do të kompensohen vetëm 200 kilovatët e parë të konsumit. Kështu, çmimi i energjisë për bandën deri në 300 kilovat, është rritur nga 7 lekë në 7.7 lekë. Pra, rritja është 7 lekë për kilovat. Sipas formulës, kompensimi për 200 kilovatët e parë do të bëhet për shtesën 0.7 lekë për kilovat, ose në një total prej 140 lekë në muaj. Kjo shumë i shtohet 500 lekëve që kategoritë e përmendura, i merrnin si kompensim që nga viti 2006. Në total, kompensimi që do merret në janar shkon në 640 lekë në muaj. Me një llogari tjetër, një familje që konsumon 200 kilovat, duhet të paguajë 1540 lekë në muaj. Kësaj shume i shtohet edhe TVSH dhe në total fatura e muajit shkon në 1848 lekë. Nga kjo shumë, qeveria kompenson 640 lekë dhe pjesa që duhet të paguajnë shtresat e subvencionuara është 1208 lekë në muaj.
Vendimi për kompensimin e energjisë elektrike
PËR DISA NDRYSHIME Në VENDIMIN NR.565 DATË 09.08.2006 “PËR MBROJTJEN E SHTRESAVE NË NEVOJË, NGA RRITJA E ÇMIMIT TË ENERGJISË ELEKTRIKE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 1, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, dhe të ligjit nr.9464, datë 28.1 2.2005, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2006”, me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes, të ministrit të Financës dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave:
VENDOSI:
1. Kompensimin për efekt të rritjes së çmimit të energjisë elektrike, për nivelin e konsumit 200 kË/orë, për:
a) familjet, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe familjet, që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-it, sipas pikës 3 të nenit 7 të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005 “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, kur personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar dhe nuk ka anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik ose të vetëpunësuar në sektorin privat;
b) kryefamiljarët, që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror, dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik ose të vetëpunësuar në sektorin privat;
c) kryefamiljarët, që përfitojnë pension pleqërie shtetëror, dhe jetojnë të vetëm ose kanë fëmijë në ngarkim, të cilët janë pa të ardhura;
ç) familjet e punonjësve buxhetorë, me pagë mujore bruto nën 35 mijë lekë në muaj, kur punonjësi është kryefamiljar dhe nuk ka asnjë anëtar të familjes të vetëpunësuar në sektorin privat.
2. Kompensimi për familjet, që do të kompensohen sipas pikës 1 të këtij vendimi, bëhet vetëm për një kontratë të energjisë elektrike dhe jepet vetëm një herë për një familje, pavarësisht se ato mund të kenë në përbërje edhe të punësuar të tjerë në sektorin buxhetor, që kanë pagë nën 35 mijë lekë, apo persona të paaftë a invalidë, persona që përfitojnë pension pleqërie, invaliditeti apo ndihmë ekonomike.
3. Përfituesit, që kompensohen për të përballuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, sipas pikës 1 të këtij vendimi, do të përcaktohen nga institucionet përkatëse ku përfituesi merr pagën, pensionin dhe përfitimet e tjera, kundrejt deklarimit personal të përfituesit. Marrja e përfitimit pa deklarim dhe kundrejt deklarimit të rremë përbën shkelje administrative, përkatësisht, për dhënësin dhe për përfituesin e kompensimit. Në këtë rast institucioni përkatës zbaton dispozitat ligjore në fuqi.
4. Përfituesi i kompensimit, në zbatim të pikës 3 të këtij vendimi, detyrohet ta kthejë përfitimin e padrejtë dhe përjashtohet përgjithmonë nga e drejta e përfitimit të kompensimit për energjinë elektrike.
5. Masa e kompensimit, për çdo përfitues, është 640 (gjashtëqind e dyzet) lekë në muaj dhe efekti financiar të përballohet nga buxheti i shtetit për vitin 2010.
6. Rregullat e veçanta të përfitimit të pagesës dhe të zbatimit të skemës së kompensimit përcaktohen me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Financave, të Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe të Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
7. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta për zbatimin e këtij vendimi.
8. Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta i lihet kompetencë, që për raste të veçanta, të paparashikuara në pikën 1, të vendimit nr.565, datë 09.08.2006, “Për mbrojtjen e shtresave në nevojë, nga rritja e çmimit të energjisë elektrike”, që kanë nevojë për interpretim, si pasojë e ndryshimit të statusit të përfituesit (vdekje, martese, ndarje, etj), të trajtojë me kompensim deri në 300 familje.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe i shtrin efektet financiare duke filluar nga data 01.01.2010.
Energjia, nga kompensimi do të përfitojnë pak familje të varfra
Rritja e çmimit të energjisë elektrike do të godasë më të varfrit, jo vetëm se ata kanë më pak të ardhura nga grupet e tjera shoqërore, por edhe sepse shumica e tyre nuk përfitojnë nga subvencioni për çmimin e energjisë. Që nga viti 2003, të varfrit dhe personat me aftësi të kufizuara duhet të subvencionoheshin për energjinë elektrike, por sipas vetë qeverisë, zbatimi ka qenë i vështirë dhe i ngadaltë. Sipas të dhënave zyrtare subvencioni i energjisë ka nisur të shpërndahet në fillim të vitit 2006, por nga rreth 191 500 familje të evidentuara, vetëm 37 mijë prej tyre kanë përfituar. Për vitin 2010, qeveria ka parashikuar që këtë kompensim ta përfitojnë 54 mijë familje, por këto përfaqësojnë vetëm 28 për qind të familjeve që duhet të subvencionoheshin. Nga ana e saj, Ministria e Punës thotë se ekspertët e saj bëjnë vetëm verifikim të dosjeve ekzistuese që përfitojnë nga subvencionimi, dhe nuk evidentojnë familjet në nevojë, atje ku jetojnë. Fondi i dhënë si subvencion për çmimin e energjisë elektrike administrohet nga pushtetet lokale dhe qeveria thotë se janë pikërisht këto struktura që duhet të kujdesen që të gjitha familjet e varfra të përfitojnë nga ndihma. Por kjo “lojë” mes pushtetesh duket se ka lënë rreth 72 për qind të familjeve të varfra pa ndihmë, e cila vazhdon të mbetet simbolike, pasi nuk është rritur në raport me rritjen e herëpashershme të çmimit të energjisë elektrike.
Si do të bëhet kompensimi i energjisë elektrike për çdo kategori
Përfitimi i ndihmës ekonomike dhe kompensimi i energjisë nuk mund të realizohet pa paraqitur pagesën e faturës së energjisë në zyrën e financës së bashkisë/komunës. Në të kundërt, familjet e humbasin të drejtën e përfitimit të kompensimit të energjisë dhe ndihmën sociale. Po ashtu edhe për personat me aftësi të kufizuara, përfitimi i pagesës së aftësisë së kufizuar dhe kompensimi i energjisë nuk mund të realizohet pa paraqitur pagesën e faturës së energjisë tek zyra e financës. Në të kundërt, personat me aftësi të kufizuar e humbasin të drejtën e përfitimit të subvencionit dhe të pagesës së tyre. Të njëjtin rregull për të përfituar nga kompensimi i energjisë elektrike duhet të ndjekin dhe punonjësit buxhetor me pagë bruto nën 35 mijë lekë në muaj, të cilët, duhet të paraqesin pagesën e faturës së energjisë në zyrën e financës të institucionit. Në të kundërt, edhe kjo kategori humbet të drejtën e përfitimit të kompensimit të energjisë. Kurse pensionistët e vetmuar dhe invalidët e punës, duhet të paraqesin pagesën e faturës së energjisë në institucionin që tërheqin pensionin për të përfituar subvencionin e energjisë. Në të kundërt, humbasin të drejtën e përfitimit të kompensimit dhe të pensionit.
Kategoritë që do të përfitojnë kompensimin për energjinë
Familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike
Familjet që kanë persona që përfitojnë pagesë paaftësie
Të papunët
Buxhetorët me pagë mujore nën 35 000 lekë
Pensionistët
Kategoritë e reja që do të trajtohen me ndihmë ekonomike për herë të parë
26 Janar 2010