E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vret shokun për radhën e lojës në bilardo: “Isha i dehur”

FUSHË-KRUJË - Loja e bilardos dhe konsumimi i alkoolit në një lokal në Fushë-Krujë ka sjellë një konflikt me armë, duke përfunduar me një viktimë. Një 37 vjeçar është vrarë dje në orët e para të mëngjesit, në hyrje të Fushë – Krujës, ku autori ka qenë shok me viktimën. Burime zyrtare bëjnë të ditur se viktima është shtetasi Artan Elezi, i cili është ekzekutuar me pistoletë nga Skerdilajd Shala, pas një mosmarrëveshje mes tyre, në kohën që të dy të rinjtë po luanin bilardo. Ndërkohë që autori përpara policisë, i arrestuar disa orë pas vrasjes, ka deklaruar se ka qenë i dehur dhe se është penduar për vrasjen.
Ngjarja
Kanë qenë orët e para të ditës së djeshme kur dy të rinjtë ishin duke në të njëjtën bilardo. Sipas policisë, konflikti ka lindur për shkak të radhës për të luajtur. 30-vjeçari Shala, pas ofendimeve me personin që ndodhej në lokal, ka nxjerrë pistoletën, duke qëlluar tre herë mbi Artan Elezin dhe duke e plagosur rëndë atë. Edhe pse Elezi është nisur menjëherë për në Spitalin Ushtarak, ai ka gjetur vdekjen, pa arritur dot të marrë ndihmë nga ana e mjekëve. Janë dashur pesë orë kërkime intensive nga ana e policisë, për të bërë të mundur edhe arrestimin e autorit të krimit, i cili është kapur në dalje të Fushë-Krujës, pas bllokimit nga ana e policisë të gjithë rrugëdaljeve ai e ka pasur të pamundur shpëtimit të arrestimit.

Arrestim
Burime zyrtare të Policisë së Krujës, të cilët kanë kryer edhe operacion për arrestimin e Shalës, bëjnë të ditur se ai është kapur së bashku me armën e krimit në dalje të Fushë Krujës, në orën 7:45 minuta, ndërsa po tentonte të kalonte në Malësinë e Krujës për tu fshehur. Ndërhyrja e shpejtë e Policisë Kriminale ka bërë të pamundur largimin e tij nga vendi i ngjarjes. I pyetur përpara oficerëve të policisë gjyqësore, autori i krimit mësohet të ketë thënë se vrasjen e ka kryer nën efektin e alkoolit dhe është i penduar për krimin. Ndërsa ka shpjeguar se me viktimën kishte pasur shoqëri, por konflikti ka lindur për radhën e të luajturit në bilardo. “Nuk mendova më gjatë pas ofendimit që më bëri Artan Elezi, duke e ndjerë veten të pafuqishëm për shkak të pijes që kisha konsumuar, kam nxjerr pistoletën duke qëlluar mbi të për ta plagosur. Më vjen keq që ka vdekur” – mësohet të këtë deklaruar Shala përpara policisë. Gjithashtu ai është shprehur disa herë se vrasjen e ka kryer nën e efektin e alkoolit. Tashmë materialet hetimore lidhur me këtë ngjarje i kanë kaluar prokurorisë, e cila do të kryej dhe veprimet e tjera, deri në dorëzimin e dosjes në gjykatë.

Vdekja e Irild Çelës, prokuroria hesht për denoncimin

Edhe pse ka kaluar me shume se një muaj, prokuroria e Tiranës, nuk ka nisur hetimet për vdekjen e 9-vjeçarit Irild Çela nga Fushe Kruja. Aktualisht, kanë kaluar mbi 34 ditë nga denoncimi i Entela Çelës për infermieren Irena Sergjini, e cila akuzohet për trajtimin qe i beri fëmijës së saj. Burime të sigurta nga ky organ bëjnë të ditur se vetëm të premten pas kërkesë së nënës së viktimës, denoncimi i saj ka kaluar nga sekretaria e Prokurorisë së Tiranës, në duart e zëvendës prokurores së rrethit Tiranë, ku pritet të delegojë një tjetër prokuror për nisjen e hetimeve. Entela Çela, mësuesja nga Fushë Kruja, me 18 Dhjetor 2008 ka kryer denoncimin në prokurorinë e Tiranës ku ajo akuzon Irena Sergjinin për veprat penale të "shpërdorimit të detyrës", "mjekim të pakujdesshëm dhe mosdhënie ndihme". Ndërkaq, mësohet se ndonëse në zyrat e kancelarisë së Prokurorisë së Tiranës ishte kryer depozitimi akoma deri më sot nuk janë bllokuar nga prokuroria kartela e nëntëvjeçarit të mjekuar në repartin e pediatrisë në spitalin e Tiranës, si dhe në spitalet e Krujës dhe Fushë-Krujës, ku i mituri ka marrë mjekim. Irild Çela gjeti vdekjen në spitalin e pediatrisë në Tiranë në datën 15 shtator të këtij viti, pasi sipas të ëmës, Entela Çela, infermierja e turnit nuk i ka dhënë mjekimin e duhur të përshkruar nga mjekja specialiste, e cila e kishte edhe të shënuar në kartelë. Sipas nënës së fëmijës, infermierja, në vend të ventolinës që ishte rekomanduar, i kishte është dhënë adrenalinë, nga e cila Irildi ka pasur reaksion. Ai ka pasur fryrje në fytyrë, zmadhim të damarëve të qafës, nxjerrje të ushqimit, mavijosje të mukozave të buzëve dhe nxirje të krahëve, që sollën për pasojë edhe vdekjen e nëntëvjeçarit nga Fushë-Kruja. E pyetur nga agjencia, nëna e fëmijës Entela Çela nëse organi i akuzës ka kontaktuar me të pas kryerjes së denoncimit ajo e përlotur është shprehur “ deri tani nuk jam thirrur nga akuza, por kam besim të plotë në zbardhjen e të vërtetë tek ky organ, sepse kushdo që të marrë çështjen është njeri, ka ndjenja njerëzore kujtdo do t’i dhimbset humbja e fëmijës në një situatë të tillë. Jam në pritje të thirrjes nga prokuroria, pasi kam akoma gjëra për të thënë, që nuk i kam thën deri tani në kallëzim, duke qenë e bindur se hetimet do të nisin e do mbarojnë sipas ligjit”.

Sherri për një femër, i merr jetën një shqiptari

ITALI- Një shikimi i hedhur ndaj një femre, mësohet të jetë shkaku i konfliktit të ndodhur dy net më parë në një klub nate në Milano. Sipas Policisë Italiane, viktima është 38 vjeçari Altin Avrami, ndërsa kanë mbetur të plagosur dhe dy persona të tjerë, një italian dhe një shqiptar. Mosmarrëveshje që u kthye në një tragjedi, ka shpërthyer në një lokal, kur brenda ishin rreth pesëdhjetë persona. Njëra prej pistave të dyshuara për nisjen e konflikti dyshohet të ketë qenë ngacmimi i një femre, e cila ende nuk dihet se me kë nga personat ka qenë pjesë. Në këtë moment. italianët dhe shqiptarët hapën zjarr brenda lokalit duke ngjallur panik. Midis rrëmujës së shkaktuar, dy shqiptarët kanë rënë në tokë, ku Avrami humbi jetën menjëherë pas plumbit të marr në gjoks. Forcat e policisë, janë duke punuar për të mbledhur dëshmitë e klientëve të lokalit, në mënyrë që të rindërtojnë skenën e ngjarjes dhe të zbardhen shkaqet e sakta që çuan në shpërthimin e zjarrit, i cili i mori jetën një shqiptari.

Pranga Xhelal Xekës, ju gjetën armë në shtëpi

KURBIN - Policia e Lezhës ka arrestuar Xhelal Xekën, nga Fushë Mamurrasi. Arrestimi i tij është kryer në flagrancë pasi në një kontroll të befasishëm në banesën e tij, iu gjetën një arme zjarri, pistolete, model 54 ( TT ), 1000 fishkë te kalibrit 7.62 mm si dhe një armë gjahu e markës ruse, lloji Bajkal; të gjitha këto pa leje. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se kontrolli në banesën e Xekës kishte ardhur pas të dhënave operative që kishte siguruar policia e këtij rrethi se i arrestuari posedonte armë dhe municione luftarake pa leje. Ndaj tij nisen hetimet për veprën penale te “Mbajtjes pa leje te armeve dhe municioneve luftarake”.

Arrestohet në kufi i dënuari me 6 muaj burg

KAKAVIJË - Ndalohet një shtetas i dënuar me 6 muaj burg për veprën penale “Falsifikim Dokumentesh” në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dje, rreth orës 04:00, të mëngjesit, në pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë është paraqitur pranë sportelit të përpunimit të dokumenteve në hyrje për në Republikën e Shqipërisë, Vangjel Kostare, 53 vjeç, me banim në Tiranë. Gjatë verifikimit të bërë në sistemin TIMS, nga ana e shërbimeve të Policisë Kufitare të dokumenteve të këtij shtetasi, rezultoi se ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar këtë shtetas me 6 muaj burg, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal. “Menjëherë është njoftuar Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë për veprime të mëtejshme”, - thonë burimet policore te Gjirokastrës.

26 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›