E Diel, 1 Nëntor 2026

Një histori pa letërsi apo një letërsi pa histori?!

Behar GJOKA

Libri “Sfida teorike të historiografisë letrare” i Akademikes Floresha Dado, që në krye të herës, çel udhën e shqyrtimeve dhe trajtimeve teorike edhe në lëmë të historiografisë letrare, përpos vlerave të prekshme si një enciklopedi dhe maket i shumicës së teorive letrare; klasike dhe bashkëkohore, gjithashtu edhe një enciklopedi e plotë e të gjithë historive të letërsisë shqipe, të hartuara gjatë periudhave të ndryshme kohore, po ashtu edhe e pjesës dërrmuese të artikujve dhe shkrimeve mediatike, botuar kohë pas kohe rreth kësaj situate. Padyshim, një tekst i shoqëruar edhe me qëndrimet autoriale mbi shkencën e historisë, teorinë dhe të kritikën letrare, si dhe i anësimit nga interpretimi historicist i Historisë së Letërsisë, me ndikim të gjerë dhe të shtrirë në tekstin e librit, për secilën nga këto trajtime dhe qasje interesante autoriale. Madje me një hapësirë të konsiderueshme, njëherësh ka edhe meritën e dyfishtë:

Së pari: E nxori më në fund çështjen e Historisë së Letërsisë vetëm nga trajtimet e mbyllura në disa institucione, të kryera, sidomos, me një ritëm dhe garë të habitshme gjatë vitit 2008, në mjediset zyrtare dhe shkencore të Shqipërisë dhe Kosovës, tashmë edhe në mjediset e opinionit të lexuesve të ndryshëm të letrares, të cilët kanë interes të veçantë për letërsinë, dhe në njëfarë mënyre, edhe për historinë e letërsisë.

Së dyti: Nisur nga mëtesa e saj studimore, e pohuar më se njëherë në faqet e librit, kryesisht është shkruar, edhe për ta rihapur debatin për shkrimin e historisë së letërsisë, të pasuruar tashmë dhe në mënyrë të veçantë edhe me pasqyrën e teorive letrare, siç e sugjeron edhe vetë termi “sfidë”, e jo për ta mbyllur përfundimisht vetëm në mjediset zyrtare këtë problem mjaft të ndërlikuar të vlerave shpirtërore/letrare, kryesisht vetëm brenda mureve të akademizmit zyrtar shqiptar, pavarësisht anëve të kufirit.

Rihapja e temës së shkrim mos-shkrimit të Historisë së Letërsisë shqipe, e cytur edhe nga moria e debateve mbi të, padyshim e debateve akademike dhe jo të tilla, me vlerë dhe pabukëse, ndonëse letrarja dhe shkrimi i historisë së saj nuk ka gjasa që të ketë vetëm hipotekë zyrtariste, krejt vetiu, më solli në mendje thënien e Niçes, se nuk ka fakte por interpretim, në një kontekst të gjerë të dijes në përgjithësi, si dhe të asaj që quhet shkencë e historisë në veçanti. Pra, për atë që shpesh emërtohet si histori e përgjithshme, tekembramja, kemi rrafshe interpretimi, mbase edhe interpretime të gjetura ose të pagjetura, të drejta ose të gabuara, të cilat, gjithsesi, janë të lidhura për faktesh. Por, edhe si Histori e Letërsisë, mund të flitet më tepër për interpretim faktesh letrare, kryesisht për tekste të shkruara në kohë dhe hapësira socio-kulturore të caktuar, të kushtëzuara nga kontekstet e shkrimit të librave, e mjerisht edhe të harrimit të historive mbi evolucionin letrar. Por, tekefundit, çdo trajtim dhe trajtesë mbetet vetëm se një interpretim dhe verifikim, autorial ose i një grupi autorësh; edhe nëse është bazuar në dijen e fundit letrare; edhe nëse ka shkrirë dhe gërshetuar teoritë klasike dhe moderne; edhe nëse është sendërtuar me kulmin e trajtimit shkencor, akademik si i thonë, përsëri, në fund fare, është thjesht dhe vetëm se një interpretim objektiv ose subjektiv; pra, gjithsesi, shënon një arritje të një momenti të caktuar, të asaj që e kemi shpallur si shkencën e letërsisë, sepse realisht dhe praktikisht çdo brez duhet ta lexojë dhe rilexojë letërsinë e së kaluarës dhe bashkëkohore, dhe në një kuptim të ngushtë të kësaj fjale, edhe ta shkruajë dhe rishkruajë Historinë e Letërsisë. Situata e shkrimit ose rishkrimit të Historisë së Letërsisë, jo vetëm si një shqetësim akademik, por, me gjasë dhe më shumë si nevojë e risjelljes në panteonin e letrave shqipe e një sërë tekstesh të përzënë për shkaqe jashtë-letrare, mbetet detyrë parësore e hartimit të çdo lloji historie të letërsisë. As këtu nuk është e qartë se çfarë do të bëhet; do të shkruhet apo do të rishkruhet historia e letërsisë?; pra, do të vijohet shkrimi në hullitë e mëparshme, apo do të kemi hulli të reja të kompozimit të saj? Kundruar me qetësi dhe në distancë kohore, historitë e letërsisë shqipe, pra ato libra që jo vetëm e promovojnë historiografinë letrare, së paku, tekstet e shkruara gjer më tash, kanë qenë dy tipesh:

a – Të autorëve të veçantë, qysh me Stratikoin, Markionin, Petrotën, Rrotën, Çabejn, Myderrizin, etj. , që përgjithësisht përfaqësojnë tekstet e shkruara përpara viteve 1944.

b – Të institucioneve zyrtare; pra, zakonisht janë historitë e letërsisë shqipe, tanimë të realizuara me grupe autorësh, e cila, në veçanti, përkon me ligjërimin e letërsisë së realizmit socialist, që e ka ulur siparin aty në vitet ’90, si ndikim i fuqishëm dhe tipik zyrtar.
Përveç dallimeve të pranishme që vihen re ndërmjetshëm, papërjashtim të gjithë tipet e shkrimit të historive të shkruara, përmbi letraren deri më tani; autoriale ose institucionale, të histori-shkrimit të letërsisë shqipe, bartin dhe përcjellin disa shenja të përbashkëta, që ta tërheqin vëmendjen për t’i shqyrtuar dhe hedhur dritë edhe më tej në instrumentet e hartimit të historive të letërsisë:

- Të dy tipet e historive letrare të shkruara; zyrtare dhe individuale, me ndonjë përjashtim të vogël, kanë qenë të destinuara për shkollën e mesme ose për shkollën e lartë, pra kryesisht të shoqëruara me shqyrtim dhe adresim didaktik.

- Në të dy tipet kryesore të shkrimit të historisë së letërsisë, pra, si historitë e letërsisë individuale, po ashtu edhe ato histori letrare institucionale, ka mbizotëruar shqyrtimi i biografizmit të autorit, të ideshmërisë, si dhe kontekstit, dhe duke e trajtuar përciptazi tekstin dhe format letrare, si dhe stilin e shkrimtarit.

- Në të dy tipologjitë e histori-shkrimeve të hartuara deri më tani, për arealin e letrave shqipe, përgjithësisht nga studiuesit e hartimit të teksteve historike/letrare, ka pasur përjashtime me shumicë, autorësh dhe tekstesh.

Në rastin e parë, pra, kur historitë letrare janë hartuar nga autorë të veçantë, ka dëshmi dhe shenja se mospërfshirja e autorëve dhe teksteve, përgjithësisht, më tepër, ka ardhur prej mosnjohjes dhe mungesës së kontaktit me të gjithë prodhimtarinë letrare, ndërsa përjashtimet institucionale, të kryera veçmas në harkun kohor të viteve 1944-1990, u kryen kryesisht për shkaqe ideologjike dhe politike, çka e shpërndërroi letërsinë shqipe, më tepër në një shkretëtirë letrare, të shkëputur nga letërsia e mëparshme, por edhe nga letrarja bashkëkohore, sepse, në të, në shumicën e vetë, nuk u përfaqësuan vlerat letrare, gjithë-kohore dhe gjithë-hapësinore.
Kuptohet se përjashtimi institucional i letërsisë shqipe, padyshim i të gjithë hapësirave të lëvrimit të saj, bëri që shkenca letrare sociologjiko-ideologjike, shumica e studiuesve të saj, ta këqyrte dhe verifikonte zhvillimin letrar me syzet e sistemit monist-sociologjik/ideologjik. Përjashtimi institucional, i dhjetëra autorëve dhe teksteve letrare, bëri që akademik Rexhep Qosja të fliste shpesh edhe për një panteon të rralluar të letrave shqipe, që në fakt, më tepër shënon vetë-rrallimin e gjurmuar të studimtarisë zyrtare; madje, edhe pse i konceptuar si një historian i nivelit më të lartë të mundshëm, edhe në gushtin e vitit 2009, e rishpalli botërisht se letërsia shqipe është provinciale/jo-europiane, si një lexim tipik rajonal, pra jashtë-letrar. Pikërisht, kjo situatë e një amullie të dukshme studimore, akademike dhe jo e tillë, të sjellë natyrshëm tek dilema/mëdyshja e pastër ekzistenciale e letrares në gjuhën shqipe: A më mirë një histori pa letërsi; së paku, kështu duket sikur e rrëshqet situatën shqyrtimi i sociologjisë letrare zyrtare, ku edhe zbulohen aftësitë e interpretuesve dhe verifikuesve të zyrtarshëm? Apo, më mirë një letërsi pa histori; pra, ku edhe i kemi disa tekste të rrafsheve gjithë-kohore dhe gjithë-hapësinore, pavarësisht leximeve tematike, ideore dhe antihistorike, të kryera në shumicën e kohës?

Në këtë moment, kur ndonëse, në dukje të padukshme, sërish kemi përpjekjen e radhës për ta zyrtarizuar aktin e shkrimit të Historisë së Letërsisë, pra, për ta rifutur procesin e shkrimit dhe mos-shkrimit të Historisë së Letërsisë Shqipe, kryekëput vetëm në duart e zyrtarshme; madje, edhe pa bërë asnjë distancim nga socrealizmi, si model letrar dhe studimor, që jo pak prej autoriteteve zyrtare në fushë të kritikës dhe të studimeve letrare, i morën gradat dhe sidomos titujt, duke e mbrojtur me sa patën fuqi, madje edhe hodhën piketat e lulëzimit të tij, pra që më tepër këmbëngulin që të mos e humbasin nderin e humbur të studimeve zyrtare sociologjike. E them me bindje, në këto çaste, kur verifikimet e zyrtarshme, rishtas zgjasin duart drejt shkarra-shkrimit të Historisë së Letrares, më mirë e vlen që të flitet për një letërsi pa një histori tjetër, që tashmë do të realizonte përjashtimin e radhës, mbase edhe më liksht se herët e tjera, ndoshta edhe pa e shpallur shkakun e largimit nga e drejta e teksteve për t’u strehuar në ngrehinën e letërsisë, gjithnjë nëse kanë vlera letrare. Aq më tepër, letërsia e përbotshme është katër mijë vjeçare, kurse letërsia shqipe, e ka zanafillën me Mesharin e Buzukut, ndërsa shkenca për letërsinë i përket vetëm shek XIX, e në këtë raport për çfarë ka rëndësi të flitet për letërsinë, që për hir të shkrimit të Historisë së Letërsisë, kemi lënë në hije me dhjetëra tekste, apo për historitë letrare, që nuk e konsiderojnë letërsinë shqipe me vlera dhe europiane? Historia e Letërsisë shqipe, në këto çaste, ka kuptim të diskutohet për nevojat utilitare të shkollës shqiptare, pavarësisht nivelit dhe hapësirës; qoftë edhe për të shmangur ato mungesa të shumta në tekstet mësimore, të hartuara zakonisht nga duart e zyrtarshme, ndërsa sipërmarrjet akademike për hartimin e një historie përfundimtare të letërsisë shqipe, duke mos u përballur me malin e mediokritetit letrar të socrealizmit, si ligjërim letrar e studimor, mbase edhe duke u fshehur me gjethe fiku prapa semiotikës dhe semiotistëve shqiptarë, pa rivlerësuar letërsinë e hershme shqipe, e cila nuk ka vetëm vlera gjuhësore, historike, fetare, por ka edhe vlera të prekshme letrare, e gjithashtu pa rivlerësuar veprën e Skiroit, Fishtës, Konicës, Prendushit, etj., nga letërsia e së kaluarës, të A. Pipës, M. Camajt, K. Trebeshinës, Z. Zorbës, F. Reshpes, B. Xhaferrit etj. , pa rilexuar tekstet e Kadaresë, Agollit, Arapit etj. , tashmë vetëm si tekste dhe dukuri letrare, ka gjasa që të hartohet një histori letrare e radhës, që më tepër do të përçojë frymën e një lëvizje zyrtare, që shpejt do të duhet ta rikonceptojmë dhe rishkruajmë nga e para, si një imazh që të fanit muret e kalasë së Rozafës, që çdo ditë-natë ngrihen dhe shemben pandërprerje .

Shënim: Duke parë ndjeshmërinë e trajtimit të kësaj çështje, sidomos në qarqet akademike dhe universitare, por edhe tek studiues të tjerë, gazeta është e hapur për të mirëpritur opinione rreth problemeve që ngre shkrimi i historisë së letërsisë, metodikat, praktikat e përdorura deri më tani, apo sfidat që duhet të kapërcehen. Për çdo gjë, mund të kontaktoni përmes adresës: gazetalbania@gmail.com

26 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›