E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faturat e energjisë, titull ekzekutiv

27/10/2011  Këshilli i Ministrave miraton propozimin e METE

Të gjithë operatorët do të paguajnë, pavarësisht kontestimeve

Faturat tatimore të shitjes, të blerjes dhe faturat e shërbimit të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike do të përbëjnë titull ekzekutiv, çka e bën të pavlefshëm pezullimin e pagesës, nëse ka kontestime. Qeveria shqiptare miratoi në mbledhjen e djeshme një ndryshim në ligjin nr. 8662, datë 18.9.2000 “Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike”, i ndryshuar. “Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi që “fatura tatimore e konsumit, të shitjes, të blerjes dhe faturat e shërbimit të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, sipas modelit të caktuar nga Ministria e Financave, në zbatim të nenit nr. 36 të ligjit nr.7928, datë 27.04.1995 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, është titull ekzekutiv”, - përcaktohet në projektligj. Meqenëse tashmë në tregun e energjisë elektrike kanë hyrë dhe operatorë të tjerë me kapital privat apo shtetëror, METE propozon që ky titull ekzekutiv të veprojë për të gjithë këta operatorë. Ajo ka propozuar që në ligjin ekzistues të bëhet një ndryshim, i cili parashikon që të konsiderohen si tituj ekzekutivë jo vetëm faturat tatimore për furnizimin me energji elektrike të emetuara nga CEZ-Shpërndarje, por edhe ato të emetuara nga operatorët e tjerë për shitjen, blerjen dhe kryerjen e shërbimit të transmetimit të energjisë elektrike. Me këtë ndryshim unifikohet trajtimi si titull ekzekutiv i të gjitha faturave për blerjet, shitjet dhe shërbimet që kryhen nga të gjithë operatorët në tregun e energjisë elektrike, si KESH-i, CEZ-Shpërndarje, OST dhe operatorë të tjerë. “Duke e konsideruar tashmë faturën e konsumit të energjisë elektrike si titull ekzekutiv, si një ndihmesë për operatorin e shpërndarjes së energjisë elektrike si dhe nga eksperienca e fituar nga zbatimi i ligjit për faturat e energjisë elektrike të emetuara nga shoqëria e shpërndarjes së energjisë elektrike, trajtuar si titull ekzekutiv, ka treguar se ajo ka qenë e suksesshme dhe ka rregulluar marrëdhëniet financiare të palëve kontraktuese”, - ka sqaruar vetë METE në një njoftim të disa ditëve më parë. “Me këtë ndryshim, - vijon ajo, - unifikohet trajtimi si titull ekzekutiv i të gjitha faturave për blerjet, shitjet dhe shërbimet që kryhen nga të gjithë operatorët në tregun e energjisë elektrike, si KESH-i, CEZ-Shpërndarje, OST dhe operatorëve të tjerë.” Pak kohë më parë Ministria e Ekonomisë bëri me dije përgatitjen e këtyre ndryshimeve ligjore për liberalizimin e tregut të energjisë. Aktualisht në vend ka një sërë koncesionarësh që prodhojnë energji në hidrocentrale, të cilët mund të jenë operatorë lokalë.

Rritja e energjisë

ERE është në proces shqyrtimi të kërkesave për rritje të çmimit të energjisë për vitin 2012 nga tri kompanitë: CEZ-Shpërndarje, KESH dhe OST. ERE do të vendosë në lidhje me këto aplikime pasi të ketë shqyrtuar deri në fund të dhjetorit argumentet e tyre. ERE në bazë të procedurës bën edhe monitorimin e investimeve të tyre dhe kostot, për të dalë më pas në një përcaktim konkret dhe për të arsyetuar se sa realiste janë kërkesat e tyre. CEZ-Shpërndarje i është drejtuar ERE-së duke kërkuar rritjes së çmimit të energjisë elektrike për vitin e ardhshëm me mesatarisht 4.5 për qind. Çmimi aktual i energjisë për familjarët është 7.7 lekë për kilovat-orë për brezin e parë të faturimit dhe 13.5 lekë për kilovat-orë për tejkalimin e brezit prej 300 kilovat-orë. Ky është viti kur OST do të kërkojë një rritje të çmimit të çdo kilovati energji, që ajo e merr nga KESH-i dhe ia dërgon CEZ-Shpërndarjes.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›