E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faturimet u ulëta, hiqet kreu i OSSH

Nga Irma Hoxha
Drejtori i OSSH-së për zonën e Fierit dhe të Vlorës, Arqile Kume u shkarkua nga detyra për mosrealizim të objektivave të caktuara, që kanë të bëjnë kryesisht me nivelin e faturimit të energjisë elektrike. 

FIER Vlora bën "kurban" drejtorin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes në Fier, Arqile Kume. Mosrealizimi i objektivave të caktuara dhe konkretisht, niveli i ulët i faturimit të energjisë elektrike në Vlorë, kanë çuar në largimin nga detyra të Kumes. Dy ditë më parë, me anë të një urdhri të pakthyeshëm nga Drejtoria e Përgjithshme e OSSH-së, u shkarkua kreu i OSSH-së dega Fier dhe në vend të tij u komandua kryeinxhinieri i kësaj dege, Andi Prifti. Menjëherë pas emërimit, Prifti deklaroi se ishte Arqile Kume që kërkoi dorëheqjen nga posti që mbante. Por, burime të besueshme nga OSSH-ja e Fierit bëjnë të ditur se nuk bëhet fjalë për dorëheqjen e Kumes, por për shkarkimin e tij për punë jo të mirë. Ndërkohë, mësohet se me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të OSSH-së, Sahit Dollapi u shkarkua nga detyra shefi i OSSH-së së Vlorës, Gjergji Demaj. Vendimet për largimin nga detyra të Arqile Kumes dhe Demajt u bënë publik gjatë një mbledhjeje urgjente të organizuar dy ditë më parë në degën e OSSH-së në Fier.
MBLEDHJA
Të martën, në OSSH-në e Fierit u zhvillua një mbledhje urgjente me punonjësit e kësaj dege, ku mori pjesë dhe drejtori i përgjithshëm i OSSH-së, Sahit Dollapi. Gjatë takimit, Dollapi u ka tërhequr vëmendjen vartësve të tij për mosrealizim të objektivave të caktuara. Mësohet se mosrealizimi i objektivave në Fier ka qenë 2 për qind më pak nga se kërkohej, kurse në Vlorë, në masën 11 për qind. Gjatë takimit është deklaruar zyrtarisht largimi nga detyra i numrit një të OSSH-së së Fierit e Vlorës, Arqile Kume si dhe shkarkimi i shefit të OSSH-së së degës së Vlorës, Gjergji Demaj. Burimet nga OSSH-ja për largimin e Kumes janë kontradiktore. I sapoemëruari Andi Prifti, dje pohoi se paraardhësi i tij dha dorëheqjen dhe se nuk është e vërtetë se u shkarkua nga detyra. Por, burime konfidenciale nga OSSH-ja që mbulon Fierin dhe Vlorën, pohojnë se Arqile Kume u shkarkua me urdhër të Sahit Dollapit. Vetë Kume, jo vetëm që nuk ka marrë pjesë në mbledhjen ku ishte i pranishëm Dollapi, por ka preferuar të heshtë në lidhje me largimin e tij nga detyra. Kume kishte 3 vjet në krye të OSSH-së së Fierit.
FATURIMI DHE INVESTIMET
Gjatë tre viteve në krye të OSSH-së, Arqile Kume ka marrë vlerësime pozitive nga punonjësit e degës së Fierit. Kjo, si në raportet e krijuara mes tyre, por edhe në lidhje me menaxhimin e situatave emergjente të krijuara në këtë qark. Mesa duket, Kume u bë "kurban" nga abonentët familjarë dhe bizneset që ushtrojnë aktivitet në Vlorë. Kjo për faktin se në mbledhjen e zhvilluar dy ditë më parë në Fier, u vu në dukje se në zonën e Vlorës ka pasur shumë mangësi, jo vetëm në arkëtime, por edhe në investime. Aktualisht, niveli i faturimit të energjisë elektrike në Vlorë është në masën 72 për qind, ndërsa në Fier 89 për qind. Nisur nga fakti se Vlora mbetet një zonë tepër problematike dhe që vazhdon të jetë ende në nivelet e mëparshme (me një ndryshim të vogël), u vendos shkarkimi i drejtorit të degës së OSSH-së Fier-Vlorë, Arqile Kumes dhe të shefit të degës së Vlorës, Gjergji Demajt.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›