E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapshticë, bllokohen 2.7 kg kokainë e 300 gr heroinë

Droga kishte destinacion Selanikun. Arrestohen dy emigrantët dhe bashkëpunëtori. Vazhdojnë hetimet për identifikimin dhe vënien në pranga dhe të personave të tjerë që dyshohet të jenë përfshirë në rrjetin. 

KORÇË Bllokohen plot 3 kile lëndë narkotike në pikën kufitare të Kapshticës, në Korçë, ku 2.7 kg dyshohet të jetë e llojit kokainë dhe 300 gramë e llojit heroinë. Pas sekuestrimit të sasisë së drogës në autobusin e linjës "Altrans" Tiranë-Selanik, u arrestuan në flagrancë: Artiol Sula, nga Korça, emigrant në Greqi; Asqeri Bebri (40 vjeç), banues në qytetin juglindor, si dhe Neada Kota (19 vjeç), po nga Korça dhe studente e vitit të parë në Universitetin "Aristoteli" në Selanik të Greqisë. Pas informacioneve të sakta të siguruara në rrugë operative, se një sasi e madhe droge do të transportohej për në Greqi, Sektori i Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Korçës ndërmori operacionin e koduar "Debatiku", i cili startoi me vënien në pranga të tre autorëve të krimit. 23-vjeçari Sula, Bebri dhe Kota akuzohen për "trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim". Burime zyrtare nga Policia e Korçës, bëjnë me dije se rreth orës 15:00 të ditës së djeshme u ushtrua kontroll në autobusin e linjës Tiranë-Selanik. Mësohet se gjatë kontrollit të imtësishëm, iu gjet si dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, 2.7 kg kokainë Artiol Sulës (aktualisht emigrant në Greqi dhe i padënuar më parë). Sipas hetuesve të çështjes, 23-vjeçari e kishte fshehur drogën në trup. Lënda narkotike ishte e paketuar në tri pako dhe e mbështjellë me letër natriban. Gjithashtu, gjatë kontrollit i është gjetur 700 gramë heroinë e paketuar në qese plastmase Neada Kotas. Dy të rinjtë, të cilët prej disa vitesh jetonin si emigrantë të ligjshëm në vendin fqinj, ishin ulur në vende të ndryshme, në autobusin e linjës "Altrans", Tiranë-Selanik. Gjatë marrjes në pyetje, ata kanë deklaruar se nuk njiheshin njëri me tjetrin. Por, burime nga organi hetimor pohojnë se Sula dhe Kota janë pjesë e rrjetit më të fundit të drogës me Greqinë. Vetëm pak kohë pas prangosjes së dy emigrantëve është arrestuar dhe bashkëpunëtori i tyre, Asqeri Bebri. Ky i fundit ishte dënuar më parë po për trafik droge. Burimet e mësipërme sqarojnë se 40-vjeçarit iu sekuestrua një sasi vlere monetare si dhe automjeti tip "Benz" me targë KO 4654B, në pronësi të tij. Ndërkaq, policia dhe prokuroria e Korçës po hetojnë për identifikimin dhe vënien në pranga dhe të personave të tjerë që dyshohet të jenë përfshirë në rrjetin e trafikut të lëndëve narkotike me destinacion Selanikun. Materialet i janë përcjellë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë për hetime të mëtejshme.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›