E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stefano Mauri “koka” e mafies së basteve

ITALI - Gjuetia mbaroi! Është Stefano Mauri lojtari i madh i Serisë A, që konsiderohet nga Prokuroria e Bernës në Zvicër si “koka” e trukimit të ndeshjeve në futboll. Lojtari i Lacios do të dëgjohet nesër pasdite në Kremona nga hetuesi Guido Salvini dhe prokurori Roberto Di Martino.

Një seancë e kërkuar nga autoritetet zviceriane, të cilat pak ditë më parë zbuluan se shumat e fituara nga bastet shkonin në një llogari në Zvicër.

Llogaria në të vërtetë është e prindërve të Maurit. Prokuroria u vu në lëvizje pasi vuri re lëvizje të çuditshme shumash, si ajo e 100 mijë eurove njëherësh si bamirësi. Pasi zbuluan këtë llogari, hetuesit zvicerianë bënë të ditur se një lojtar i madh, i quajtur “Mister X”, kalonte shuma të frikshme parash në Zvicër.

Mauri u arrestua më 28 maj të këtij viti, si rrjedhim i hetimeve për skandalin e basteve, të nisura nga Prokuroria e Kremonës. Vetë Mauri e ka quajtur veten të pafajshëm, duke deklaruar se nuk ka asnjë lloj lidhje me bastet në futboll.

(a.k/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›