E Shtunë, 31 Tetor 2026

Favorizimi, “Rudnap” kishte monopolin e energjisë për vitin 2008

Firma serbe na importoi 46 për qind të energjisë elektrike. Krerët e KESH-it kanë mohuar ndërmjetësimet e Fazlliçit

Kompania “”Rudnap” është përfituesja më e madhe e parave tona të energjisë. Kjo firmë, e cila operon nëpërmjet shumë filialeve, ka marrë vetëm për vitin 2008 46.45për qind të parave tona publike të energjisë. Një vit më parë, në 2007-n, vit që u fut "Rudnap” në treg, mori vetëm 16 për qind, pra vetëm 3 herë më pak se këtë vit, ndërsa në 2006-n nuk ekzistonte fare në listëpagesat e KESH-it. Në më pak se dy vjet, “Rudnap” ka përfituar rreth 106 milionë e 189 mijë euro nga lekët e taksapaguesve shqiptarë. Nga të dhënat e publikuara zyrtarisht nga vetë KESH-i rezulton se me prokurime të drejtpërdrejta dhe pa kurrfarë konkursi, “Rudnap” ka fituar në shumë raste prokurimin e disa dhjetëra milionë eurove ndonëse ofertat e saj kanë qenë ndjeshëm më të larta se firmat e tjera që kanë synuar prokurimet e kryera nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare. Prokurorët kanë tërhequr pak javë më parë të gjithë dokumentacionin që kjo firmë ka depozituar pranë Korporatës Elektroenergjetike, ku vetëm për vitin 2007 ka fituar 34 milionë euro tendera importimi energjie nga prokurimet e KESH-it.

Lidhjet
Gazeta “Albania” botoi ekskluzivisht lidhjen që firma qipriote “Altaria Research Limites” ka me degën e “Rudnap”-it në Zagreb. Firma qipriote “Altaria Research Limited” i bleu në Tiranë Damir Fazlliçit firmën “Croun Acquisitions”. Ky operacion i blerjes së firmës rezultoi i paligjshëm, ndërsa porsa Prokuroria nisi procedimin penal, Fazlliçi deklaroi se ia kishte shitur vetes. Pra dhe firma “Altaria Research Limited” ishte në pronësi të tij, sipas vetë Fazlliçit. Por sikurse tregon shpallja publike e Agjencisë së Regjistrimit të Kompanive rezulton se firma qipriote ka themeluar në Zagreb degën e “Rudnap Energija d.o.o”. Pikërisht kjo nyje e zbuluar nga “Albania” është bërë pjesë e hetimeve të Prokurorisë. Një tjetër referencë për përllogaritjet e prokurimeve të siguruara nga firma “Rudnap” ka qenë raporti për prokurimet dhe blerjet e energjisë elektrike që kreu i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, i ka dërguar komisionit hetimor parlamentar për këtë çështje. Janë zbardhur të gjitha prokurimet në energji dhe firmat e huaja që na kanë importuar energji nga viti 2007 deri në tremujorin e tretë të vitit 2008.

Hetimet
Të tjera të dhëna të rëndësishme i janë shtuar listës së provave lidhur me aktivitetin tregtar të shtetasit serbo-boshnjak, Damir Fazlliç. “Albania” ka mësuar se Prokuroria ka marrë në dorëzim disa të dhëna faktike, të cilat lidhen me veprime financiare të Fazlliçit që duket se kanë lidhje me kompaninë “Altaria Research Limited” që ai ka ngritur në Shqipëri. Më konkretisht, Fazlliç ka arritur të kalojë në llogarinë e tij personale të paktën 2 milionë e 500 mijë euro falë transaksioneve që janë kryer nga llogari bankare të Zvicrës, ndërsa dërguesja ka qenë një firmë, e cila mendohet se është qipriote, si dhe një firmë angleze. Njëra prej firmave quhet “Pluto co ltd”, ndërsa firma angleze quhet “Rouservices”. Në të dy rastet, veprimet janë kryer nga Zvicra. Të dhënat Prokuroria i ka bashkëngjitur me dokumentacionin ekzistues, ndërsa paraprakisht mendohet se të dhënat bankare të dërguesit dhe të marrësit të sasisë së parave përkojnë me disa dërgesa dhe veprime që Fazlliçi i ka kryer nëpërmjet kompanisë së tij në Tiranë.

Berisha: “Fazlliç nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike”

Fill pas nisjes së hetimeve nga ana e Prokurorisë së Tiranës për “mikun e tij” Damir Fazlliç, kryeministri Sali Berisha ka kërkuar në një konferencë urgjente për shtyp hetim ndërkombëtar mbi çështjen “Fazlliç”. Kreu i qeverisë ka deklaruar rreth tre muaj më parë se hetimi do të kryhet për të zbardhur nëse qeveria shqiptare i ka dhënë para biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç dhe të sqarohen të gjitha goditjet që u janë bërë biznesmenëve vendas dhe të huaj. Berisha ka theksuar se nëse vërtetohet se Fazlliç ka marrë qoftë edhe 1 qindarkë nga fondet publike, kuptohet se kjo qeveri i ka dhënë atij miliarda. Për të vërtetuar seriozitetin e kësaj lëvizjeje, Berisha përmendi rastet kur ka bërë të njëjtën gjë..Në këtë konferencë Berisha për herë të parë akuzoi ashpër dhe disa prokurorë që po hetojnë qeverinë e tij. Ai tha se prokurorët Shtylla dhe Mazreku u kanë kërkuar dy oficerëve të policisë përmes telefonit, me një urdhër verbal, ndalimin e Fazlliçit, në dhunim të të gjitha ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. “Edhe armiku më i egër i këtij kryeministri nëse do të ndalohej në mënyrë të tillë, do të përbënte turpin më të madh për këtë vend”, - tha ai. Berisha deklaroi se nuk mund të ketë një mendim tjetër kur rastis që personi në fjalë të jetë një mik i tij, një njeri që ka kontribuar në fushatën elektorale dhe që do të hetohet nëse ka përfituar qoftë edhe një qindarkë të vetme nga fondet publike.

Hetimi i Fazlliçit “nën kujdesin” e prokurorëve ndërkombëtarë

Hetimi në Tiranë për pastrim parash i serbo-boshnjakut Damir Fazlliç ka vënë në lëvizje edhe struktura hetimore të shteteve të tjera ku Damir Fazlliç kryen aktivitet tregtar. Madje, “Albania” ka informuar e para se pak kohë më parë disa hetues të huaj kanë mbërritur në Tiranë dhe kanë marrë kontakte me zyrtarë të lartë të Prokurorisë së Përgjithshme. Pikërisht një burim i nivelit të lartë nga organi i akuzës e informoi “Albania”-n disa javë më parë duke pohuar se drejtues të këtij institucioni kanë pritur hetues të huaj (ku njëri prej tyre po asiston prokurorët shqiptarë për hetimin e dosjes “Fazlliç”), të cilët morën të dhëna lidhur me aktivitetin e Fazlliçit në Shqipëri, në kuadër të verifikimeve që këta hetues po kryejnë në vendet e tyre. “Ishin hetues të huaj, të cilët duket se janë vënë në lëvizje pasi janë sinjalizuar se Damir Fazlliç ka kryer veprime të dyshimta financiare në Shqipëri. Hetimi i prokurorëve shqiptarë ka ngjallur interes te kolegët e huaj”, - i ka thënë burimi “Albania”-s, duke refuzuar të japë të dhëna të detajuara për hetuesit e huaj që kanë vizituar Tiranën pak kohë më parë. Gjithsesi, “Albania” ka mundur të mësojë se hetuesit e huaj kanë qenë seriozisht të interesuar për të ngelur në kontakt dhe për të mos nënvleftësuar asnjë të dhënë që do të dalë nga hetimi shqiptar për Fazlliçin lidhur me aktivitetin e tij në Shqipëri. Aktiviteti tregtar i Damir Fazlliçit përfshin një hartë shumë interesante përsa u përket vendeve ku është zhvilluar. Vetë Fazlliç, në prononcimet e tij publike për mediat shqiptare, ka deklaruar se ka prona në Shtetet e Bashkuara, Bosnjë dhe Zvicër.

14 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›