E Shtunë, 31 Tetor 2026

Favorizohet Prishtina

Të shtunën do të nisë gjysmësezoni i dytë i TechnoMarket Superligës së Kosovës në basketboll.

Sikurse në pjesën e parë të kampionatit, edhe në gjysmësezonin e dytë, pritet që Sigal Prishtina të dominojë dukshëm në luftën për titullin e Kampionit dhe për Kupën e Kosovës. Kështu parashikojnë njohësit e mirë të basketbollit kosovar.

Sipas tyre, Sigal Prishtina do t’i nisë garat e play-off-it nga pozita e parë, Trepça nga e dyta, Big Brother Bashkimi nga vendi i tretë dhe Peja nga pozita e katërt.

Pra, sipas njohësve të basketbollit, pritet që në gjysmëfinale të play-off-it Sigal Prishtina të luajë kundër Pejës, kurse Trepça ndaj Big Brother Bashkimit. Nga kjo del se prishtinasit do të kenë përparësi të madhe në ndeshjet vendimtare për titullin e kampionit, sepse bardhekaltrit do të zhvillojnë më shumë ndeshje në shtëpi gjatë atyre garave.

Madje, Sigal Prishtina është favorizuar në këtë mënyrë nga njohës të basketbollit kosovar, edhe pse gjatë afatit kalimtar ekipi kryeqytetas mbeti pa njërin ndër basketbollistët kyç të saj. Bëhet fjalë për Yll Kaçanikun, i cili ka kaluar tek skuadra turke, Darussafaka.

Mirëpo, bardhekaltrit kanë rikthyer në ekip Blerim Mazrekun, vetëm pas një gjysmësezoni sa luajti tek Big Brother Bashkimi.

“Mungesa e Yll Kaçanikut nuk do të vërehet shumë te Sigal Prishtina, sepse kjo skuadër ka shumë lojtarë kualitativë dhe do të mund ta mbulojë atë zbrazëtirë. Mirëpo, Sigal Prishtina është përforcuar me qendrën Blerim Mazreku, për të cilin ka pasur nevojë të madhe”, deklaroi trajneri Jeton Nixha, për Express.

“Sigal Prishtina do të synojë ta mposhtë Trepçën në Mitrovicë, edhe pse do ta ketë të vështirë, sepse Trepça ka një ekip të mirë. Kështu, që unë mendoj se Prishtina do t’i nisë garat e play-off-it si skuadra e parë, Trepça e dyta, Bashkimi i treti, Peja e katërta. Bashkimi do ta ketë vështirë të dalë e dyta, sepse ka bërë shumë ndryshime dhe të shpeshta në shtabin teknik, por edhe në ekip. Kjo do të ndikojë në komponimin e lojës”, theksoi Nixha.

Njëjtë si Nixha është shprehur edhe ish-trajneri i Pejës, Bujar Loci. “Sigal Prishtina është shumë e fortë dhe do të dominojë dukshëm, nëse klubet tjera nuk përforcohen. Katërshja e njohur do të garojë në play-off, derisa Bashkimi nuk do të jetë ai Bashkimi i vjetër, sepse po bënë ndryshime të mëdha dhe të shpeshta në shtabin teknik. Madje, Bashkimi ka mbetur edhe pa Mazrekun”, tha Loci.

Sigal Prishtina është shpallur kampion vjeshtor me 27 pikë të tubuara, pasi në gjysmësezonin e parë, bardhekaltrit e kanë pësuar vetëm një humbje, kurse në të gjitha ndeshjet e tjera kanë triumfuar.

Superliga
Xhiroja e 15-të

E shtunë
K. EuroSport – Drita 16:00
Peja – Trepça 19:00

E diel
Bambi – Kosova 15:00
S. Prishtina – BB Bashkimi 19:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›